Aktivistë të shoqërisë civile dhe organizatës Qëndresa Qytetare kërkuan sot reagim nga autoritetet publike pas skandalit të mishit të infektuar me salmonelë që u shpërnda në treg pa pritur analizat laboratorike. Ata kërkuan llogari për neglizhencën institucionale dhe masa konkrete ndaj përgjegjësve të situatës, të cilën e cilësuan alarmante.
Në një aksion simbolik të zhvilluar mesditën e sotme përpara Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), aktivistët vendosën në hyrje një poster me mbishkrimin “Pasaportë evropiane me salmonelë braziliane!” një ironi me zotimin kryesor të qeverisë në prag fushate elektorale.
Sipas raportimeve, rreth 18.3 tonë fileto pule e importuar nga Brazili, rezultuan të kontaminuara me bakterin e rrezikshëm “Salmonella Typhimurium”. Por produkti qarkulloi në treg për dy javë rresht, duke u konsumuar nga qytetarët, pavarësisht se sipas protokolleve duheshin pritur rezultatet e analizave.
Ky fakt ka nxitur reagim të fortë nga aktivistët dhe qytetarët, të cilët akuzojnë AKU-në dhe institucionet përgjegjëse për neglizhencë dhe mosveprim.
Në një deklaratë të shpërndarë për shtyp dhe në rrjetet sociale, Qendresa Qytetare theksoi se skandali është një dëshmi e qartë se siguria ushqimore në Shqipëri nuk garantohet nga ligji, por nga interesat private dhe korrupsioni.
Sipas tyre, produkti i kontaminuar është shpërndarë në treg që nga 11 marsi, ndërkohë që analizat laboratorike që vërtetuan infektimin u publikuan më vonë, kur tashmë një pjesë e konsiderueshme e mishit ishte konsumuar.
Institucionet në heshtje, qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut
Në vend që të shpallej një alarm kombëtar për ndalimin e menjëhershëm të mishit të kontaminuar dhe për gjetjen e përgjegjësve, institucionet kanë zgjedhur të heshtin.
Aktivistët e shoqërisë civile dhe të organizatës Qëndresa Qytetare ironizuan mungesën e veprimit nga drejtuesit shtetërorë, duke vënë në dukje se ndërsa qytetarët helmohen, “drejtori i AKU-së bën fushatë në Elbasan dhe ministrja e Bujqësisë promovon mandarina në Vlorë”.
“Këta e kanë mendjen te fushata, jo te detyra. Ne i paguajmë të na mbrojnë, ata na ekspozojnë ndaj rrezikut,” deklaroi në një postim në Facebook Qëndresa.

Sipas raportimeve që i referohet Qëndresa Qytetare, rreth 7 tonë fileto pule të kontaminuara janë konsumuar tashmë nga qytetarët.
Kjo situatë, sipas tyre e përsëritur, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e produkteve ushqimore në Shqipëri, veçanërisht në një kohë kur skandalet e tjera si peshku me parazitë, akulloret me lëndë kancerogjene dhe çokollatat me copa metali janë bërë një rrezik i vazhdueshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Kërkesat e Qëndresës Qytetare
Nisur nga situata, Qëndresa Qytetare parashtroi disa kërkesa kryesore, mes të cilave zbardhja dhe hetimi i plotë nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) i të gjithë zinxhirit të përfshirë dhe ndjekjen e përgjegjësve realë në hierarkinë shtetërore (autoritetet portuale, AKU-në, ministrinë etj.).
Sipas Qëndresës Qytetare një skandal i përmasave të tilla do ta bënte të menjëhershëm veprimin politik dhe institucional duke “shkrirë menjëherë AKU-në”. Qëndresa argumenton se me rastin e zbuluar shihet qartë një dështim i plotë institucional në mbrojtjen e konsumatorëve.
Organizata sugjeron krijimin e një Agjencie të re të Konsumatorit, e cila duhet të jetë e pavarur, e papolitizuar dhe të garantojë transparencë në mbikëqyrjen e produkteve ushqimore.
Si ndodhi skandali?
Hetimet zbuluan se kompania “AMG Food” importoi nga Brazili një sasi prej rreth 18 tonësh fileto pule të ngrirë, e cila u bllokua nga AKU pas analizave që konfirmuan praninë e salmonelës. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës dyshohet se është hedhur fshehurazi në treg ose është përdorur për përpunimin e sallameve në fabrikën “DiMal”.
Kompania pretendon se “asnjë sasi nga lotet e kontaminuara nuk është përdorur për prodhimin e produkteve dhe nënprodukteve të saj”. Në një reagim “DiMal” tha se “grupi i identifikuar nuk është në prodhim”.
AKU raportoi se produkti u zhdoganua në Tiranë, jo në Durrës, dhe se një pjesë e tij u zhduk nga magazinat përpara përfundimit të analizave. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime për manipulimin e dokumentacionit dhe mundësinë e një skeme mashtrimi që ka rrezikuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.
“AMG Food”, që importoi ngarkesën, u ka vënë në dispozicion autoriteteve 154 faturat e shitjeve për të bërë të mundur njoftimin e zinxhirit të shitjeve deri te konsumatorët për të tërhequr sasinë nga tregu. Por kjo gjë duket e vështirë të realizohet.
Prokuroria ka nisur hetimet për administratorët e dy kompanive dhe të paktën ndaj tre inspektorëve të AKU-së të cilët dyshohen për neglizhencë ose bashkëpunim në fshehjen e produktit të ndaluar.
Ndërkohë, të gjitha produktet e mbetura në magazinat e “AMG Food” janë bllokuar dhe po i nënshtrohen analizave shtesë.
Lexoni gjithashtu:

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.