Citizens.al

Mirditë: Banorët e Kaçinarit në protestë kundër HEC-eve

Foto ilustrim për protestën e banorëve në Kaçinar të Mirditës, kundër ndërtimit të HEC-eve.

Kafja e mëngjesit për Gjovalinin, Arbenin, Emanuelin dhe dhjetëra të tjerë u pi rrëmbimthi në Rrëshen. E diela e fundit e marsit i pa ata të niseshin për në Kaçinar, ku për të shtatin vit radhazi banorët e zonës kundërshtojnë ndërtimin e katër hidrocentraleve.

Duke ditur kushtet e rrugës, makinat e larta ishin rreshtuar në qytet, gati për t’u nisur në Qafën e Vorres, jo më shumë se 40 minuta larg Rrëshenit.

Përgjatë rrugës, bashkë me baltën dhe peizazhin e zymtë të ditës, udhëtimin e shoqëruan histori të besës, mikpritjes dhe rezistencës shekullore të zonës, sikurse rezistenca kundër HEC-eve.

Ndërsa i afroheshim vendit të protestës, në një peizazh të mjegullt për shkak të motit dhe me ngjyrat e vjeshtës, me adrenalinën e rrugës së pashtruar e shpesh të baltosur, ajo çka bëhej më e qartë ishin forcat e policisë, të cilat kontrollonin makinat që kalonin.

“Ju çfarë përfaqësoni?” pyeti një prej efektivëve, përpara se të lejonte grupin të kalonte, pasi pa kamerat që dokumentonin.

Në Qafën e Vorres, u mblodhën pak e nga pak, rreth 200 banorë. Disa kishin ardhur nga emigracioni, të tjerë nga Rrësheni dhe Lezha, por të gjithë kishin lidhje me Kaçinarin: tokat dhe shtëpitë e tyre.

Mes burrave e të rinjve, binin në sy flokët e arta të Dava Lleshit, një grua në të 70-at, e cila nuk ishte për herë të parë në protestë. E vendosur për atë që kërkonte, ajo mbante një pankartë në mbështetje të kauzës.

“Protestojmë për të drejtat tona që na i ka dhuruar Zoti. Nuk na i ka dhënë askush tjetër. Mbi Zotin nuk del dot asnjë njeri!” tha Dava për Citizens.al.

Shtatëdhjetëvjeçarja nuk lëshonte nga duart pankartën, e cila dëshmonte rëndësinë që kishte uji për zonën dhe veprimtarinë e përditshme të Kaçinarit. E revoltuar, ajo shtoi se nuk ka shtet që të vjen e të merr ujin.

“Që nesër shkoj në burg! Nuk e kam frikë jetën më, fëmijët i kam të martuar, i kam stabilizuar, janë duke pritur të vijnë në Kaçinar, të rregullojnë shtëpinë dhe të jetojnë këtu, qyteti s’më duhet gjë!” u shpreh Dava.

Forca të shumta policie qëndronin në gatishmëri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Zona ishte e monitoruar nga kamera dhe për disa orë nuk kishte as akses në valë për të përdorur telefonin.

Rruga që të çonte aty ishte nisur të rregullohej dhe sipas banorëve, ndërtimi i rrugës në këtë moment nuk ishte për një përmirësim të infrastrukturës, por një hap i fshehtë për të lehtësuar ndërtimin e hidrocentraleve.

Emanuel Çupi, një i ri i zonës, e përshkroi protestën si një qëndresë të vazhdueshme ndaj projekteve që nuk janë konsultuar me banorët sipas tij, si nga qeveria qendrore, po ashtu nga ajo lokale.

“Ato firma që pretendohet se kanë firmosur për ndërtimin e HEC-eve, janë firma ilegale, firma që nuk ekzistojnë. Firmat e vërteta janë të këtyre banorëve që shihni këtu përreth, tha Çupi.

Banorët pretendojnë se firma ndërtuese “Shpërdhaza-Energji” ka falsifikuar dokumente për të siguruar lejet e ndërtimit. Një padi për këtë çështje është dorëzuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë më 18 korrik 2023, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje.

Në mesin e protestuesve, një banor mbante në dorë një tufë me dokumente, mes të cilave edhe firmat e 30 banorëve që thuhet se kishin nënshkruar “pro” hidrocentraleve, por që banorët i cilësojnë të falsifikuara.

Romeo Moli, një tjetër i ri i ardhur nga emigrimi vetëm për të marrë pjesë në protestë tha se organizimi do të përshkallëzohet nëse kompania nuk tërhiqet. Rregullimi i rrugës shihet nga banorët si një formë për t’u marrë atyre ujin, ndaj ata e kundërshtojnë edhe këtë projekt.

“Kemi marrë një iniciativë që të mbledhim një fond, kush shumë, kush pak, sa të jetë mundësia, dhe do ta rregullojmë vetë rrugën,” u shpreh Romeo për Citizens.al

Për Bardhok Nikollën, janë shtatë vite tashmë që proteston kundër hidrocentraleve në Kaçinar.

“Në momentin që futet uji nëpër tuba nuk ka ku pi as miza e bletës ujë. Edhe unë nesër pasnesër po të më marrin ujë, nuk kam çfarë bëj në këtë zonë, nuk më duhet gjë as rruga, as shkolla, se nuk ka njerëz,” tha Bardhoku, sipas të cilit nënshkrimet e 30 banorëve janë falsifikuar.

“Ne kemi mbledhur mbi 1,000 firma kundër projektit, krejt zona është kundër, 95% e banorëve!”

Kompania ndërtuese: “Jemi konform ligjit”

Kompania ndërtuese pretendon se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore. Në vitin 2015, ajo nënshkroi një kontratë koncesionare me ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për ndërtimin e katër hidrocentraleve në lumin Shpërdhazë: Arrëz, Kaçinar, Simon dhe Shpërdhazë.

Në vitin 2018, për shkak të rezistencës së banorëve, punimet u pezulluan. Një vit më vonë, kompania u përball me djegien e mjeteve të saj të punës, çka solli një tjetër ndalesë të projektit.

“Ky vendim erdhi si pasojë e akteve të dhunshme të ndërmarra nga disa banorë, të cilët jo vetëm kanë penguar procesin ndërtimor, por kanë kaluar në veprime ekstrem si djegia e mjeteve të punës dhe ushtrimi i dhunës fizike ndaj punonjësve të shqërisë”, deklaroi kompania në një përgjigje për Citizens.al.

Përfaqësuesit e kompanisë i quajnë të pabaza akuzat e banorëve se nuk kanë leje mjedisore. Sipas Fajon Hoxhës, administrator i “Shpërdhaza-Energji”, referuar ligjit për “Vlerësimin e ndikimit në mjedis”, deklarata mjedisore apo vendimi për VNM-në paraprake mbeten të vlefshme për aq kohë sa është i vlefshëm dokumenti i miratimit të zhvillimit të projektit.

“Për projektin e zhvilluar nga shoqëria ‘Shperdhaza Energji’ sh.p.k., procesi i zbatimit në terren ka filluar brenda afatit ligjor të përcaktuar, dhe madje është zhvilluar në dy periudha të ndryshme kohore, për të cilat ekzistojnë prova të dokumentuara përmes procesverbaleve dhe  njoftimeve  zyrtare drejtuar institucioneve shtetërore përkatëse”, tha Hoxha për Citizens.al

Kësisoj, sipas Hoxhës, vlerësimi i ndikimit në mjedis konsiderohet i kryer dhe në fuqi për aq kohë sa punimet kanë filluar brenda afatit ligjor prej 2 vitesh nga miratimi i saj.

“Madje janë zhvilluar në dy periudha të ndryshme për më shumë se një muaj, dhe si rrjedhojë nuk lind nevoja për përsëritjen apo rinisjen e tij”, deklaroi Hoxha.

Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për shtyrjen e afatit të ndërtimit të HEC-eve në Kaçinar

Bashkia Mirditë: Tërhiqemi nga investimet e kompanisë në komunitet

Me përfundimin e protestës të dielën e 30 marsit, banorët u dakordësuan të zhvillojnë një tjetër protestë para bashkisë Mirditë, paraditen e së martës.

Mirëpo, kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi i priti ata në sallën e qendrës kulturore të qytetit, ndërsa dëgjoi pretendimet e tyre.

Banorët përsëritën kundërshtitë e tyre ndaj HEC-eve dhe pretendimet për falsifikim të firmave dhe proces jo të rregullt të ndjekur nga firma ndërtuese.

Në përfundim të takimit, kreu i bashkisë u shpreh se do të pezullonte vendimin e këshillit bashkiak të një muaji më herët, që i lejonte kompanisë të kryente investime në Kaçinar si rezultat i ndërtimit të HEC-eve.

“Pas konsultimeve me banorët, absolutisht nuk e duan atë lloj investimi nga firma koncensionare, kemi renë dakord që meqenëse banorët nuk e kërkojnë, nuk e duan investimin e firmës pra jashtë projektit të HEC-eve, ai vendim i këshillit bashkiak të tërhiqet dhe të jetë në atë pikë që ka qenë më përpara”, deklaroi kryetari Albert Mëlyshi.

Mirëpo, kjo nuk e zhbën vendimin për të ndërtuar HEC-et, ndërsa banorët shprehen të vendosur për ti kundërshtuar deri në fund.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW