“T’i thuash një fshatari ikët ju prandaj erdhëm ne, është turp!” u shpreh Resmi Myftaraj i irrituar nga fjalët e kompanisë “Vëllezërit Hysaj”, e cila po ndërton dy HEC-e në Grabovë të Gramshit.
Për Myftarajn dhe të tjerë banorë të njësisë administrative Lenie, sot ishte dita e dytë që u mblodhën në rrugën e fshatit. Në pritje të gazetarëve, të cilët për shkak të gjendjes së keqe të rrugës nuk kishin mbërritur në orar, fytyrat e tyre u çelën me nevojën për t’u dëgjuar.
Prej dy vitesh, ndërtimi i hidrocentraleve “Grabova 1” dhe “Grabova 2” nga kompania “Vëllezërit Hysa” ka sjellë pasoja për banorët.
“Kam punuar gjithë jetën time për të investuar në këtë fshat. Tani këtu kam mbjellë një hektarë vreshtari. Kur vjen muhabeti ai pret ujin lart, më thanë krahët se me atë i mbaj fëmijët”, tha për Citizens.al Genci Çela, banor i zonës.
Premtimet e firmës ndërtuese të HEC-eve për rrugë të asfaltuar, ujësjellës dhe respektim të periudhës së lëshimit të ujit vaditës kanë firuar, ndërsa ndërtimi i HEC-eve është ende në proces.
“Kanë premtuar asfaltimin e rrugës fillimisht kur kanë ardhur. Do bëjmë rrugët e lagjeve, do bëjmë ndriçimin e lagjeve, do ju sjellim ujin e pijshëm, do lemë ujin e vaditjes. Tani në Grabovën e sipërme edhe uji për të vaditur në disa toka nuk ju kanë lenë”, rrëfen Fatjon Bajrami, banor tjetër.
Bajrami shprehet se edhe miratimi i ndërtimit të hidrocentraleve është kryer pa pëlqimin e banorëve.
“Ne nuk kemi firmosur, qoftë ne që jemi vendali që rrimë këtu edhe qoftë ata të ikurit. Mund të kenë firmosur me dorën e tyre maksimumi 3-4 familje, por ky fshat ka pasur 180 familje”, shtoi ai.
Gjendja e rrugës është kthyer në pengesë edhe për të larguarit nga fshati, të cilët kanë ende familjet në fshat.
“Duam të bëhet rruga të paktën, që këta tanët që kanë ikur jashtë, nëpër shtete, të vijnë njëherë për mall, se i thonë, Lenie ka qenë me shkollë e me të tëra. Këtë duam ne!”, tha Novruz Meçi për Citizens.al.
Ndërtimi i HEC-eve sipas banorëve ka sjellë dëme edhe pranë shtëpive të tyre dhe të të parëve.
“Edhe varrezat i kanë shkatërruar, edhe te shtëpia kanë shkuar. Gjithë ky shkatërrim që është bërë në fshatin tonë, të paktën tre hidrocentrale e të mos bëhet një rrugë është krim”, tha i revoltuar Myftaraj.
Ndërsa ndjehet i përbuzur sa herë është drejtuar për të shprehur shqetësimin e tij pranë bashkisë Gramsh.
“Kur i thashë për së treti se po gërmojmë në varreza, kur të dalin kufomat atëherë hajde tha. Këtë përgjigje më ka thënë kryetari i bashkisë”, ndau ai me keqardhje.
Kleo Meçi, thotë se për shkak të rrugës vjen të vizitojë shumë rrallë familjarët e tij.
“Rruga është skandal. Vetëm gënjeshtra, vetëm vjedhje! 35 vite këtu, nuk është bërë asgjë. Kjo është 22 km rrugë, sikur nga 400 metra të bëjë në vit kjo do ishte bërë”, shprehet ai.
Mungesa e rrugës ka sjellë edhe vështirësi në shërbime shëndetësore, pasi sipas banorëve nuk arrijnë të marrin ndihmën e shpejtë.
Në shenjë proteste, ata ndaluan për disa minuta kalimin e makinës së firmës ndërtuese. Që aty, përfaqësuesi i firmës, Kujtim Hysa, tha se këto nuk janë punë të kompanisë, por të bashkisë.
Policia, prezente në zonë, përsëriste që protesta ishte e paligjshme. Punonjës pa uniformë u kujdesën të dokumentonin me video secilin protestues. Në kthim, në afërsi të qytetit të Gramshit, ata ndaluan për të identifikuar pjesëmarrësit dhe shoqëruan disa prej tyre nën akuzën e bllokimit të rrugës.
Në protestën që banorët zhvilluan një javë më parë për të njëjtin shqetësim, policia shoqëroi 12 qytetarë, ndërsa procedoi penalisht katër prej tyre. Bashkë me ta bllokuan në polici edhe makinat e tyre.
Fshatrat e Lenies sikurse Lenie, Grabovë e Poshtme, Grabovë e Sipërme, Bicaj, Kurate, Valth ofrojnë një peizazh të pasur natyror dhe kulturor. Mirëpo, mungesa e investimeve ka sjellë largim masiv të banorëve dhe varfëri të atyre që kanë vendosur të jetojnë ende në tokat e tyre.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).