Citizens.al

Italia ndryshon strategji, Gjadri kthehet qendër deportimesh

Foto - Ilustrim

Kampi i Gjadrit do të kthehet në një qendër riatdhesimi emigrantësh. Qeveria italiane ka vendosur ta zgjerojë funksionin e tij.

Pasi rezultoi një investim fiasko në planin parësor për të pritur dhe trajtuar me procedura të shpejtuara kërkesat për azil të emigrantëve që kapeshin në ujërat e Mesdheut, tashmë kampi do të përdoret me qëllim riatdhesimin në vendet e tyre të origjinës të atyre që janë pa dokumente apo në proces dëbimi.

Këto struktura, të njohura si CPR (Centro di Permanenza per il Rimpatrio/Qendra të Përhershme për Riatdhesimin), mbajnë të huajt pa dokumente në pritje të identifikimit dhe dëbimit, me një periudhë që, sipas legjislacionit italian, mund të shkojë deri në 18 muaj.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka theksuar angazhimin e saj për ta bërë funksionale marrëveshjen me Shqipërinë, pavarësisht pengesave të mëparshme ligjore. Ajo ka deklaruar se nuk do të ndalet përballë sfidave dhe synon të zbatojë këtë plan në mënyrë efektive. ​

Sipas raportimeve, Komisioni Evropian e ka vlerësuar “në përputhje me legjislacionin e BE-së” dekretin e miratuar nga qeveria italiane.

Ky vendim përfaqëson përpjekjen e qeverisë italiane për të rinisur një operacion strategjik që muajt e fundit kishte ngecur për shkak të ndërhyrjeve të përsëritura të gjyqësorit, i cili kishte bllokuar transferimet e emigrantëve në qendrën e Shëngjinit dhe Gjadrit duke i konsideruar të paligjshme mbajtjet dhe duke urdhëruar kthimin e tyre në Itali.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka deklaruar se “nuk do të nevojiten burime shtesë” për të zbatuar këtë plan të ri, duke e paraqitur atë si një ristrukturim brenda fondeve ekzistuese.

Ndryshimi i destinacionit të kampit ka shkaktuar debat të gjerë në Itali. Opozita ka shprehur skepticizëm mbi efikasitetin dhe ligjshmërinë e kësaj lëvizjeje. Deputeti Alfonso Colucci nga “Movimento Cinque Stelle” ka theksuar se çdo ndryshim duhet të rishikohet në kuadër të Protokollit me Shqipërinë dhe të miratohet nga parlamentet e të dyja vendeve.

“Është një projekt tashmë i dështuar, që ka shpërdoruar një miliard euro nga taksapaguesit italianë dhe që, nëse rikonvertohet, do të çojë në shpenzime të tjera,” ka deklaruar Colucci.

Në anën tjetër, deri më tani asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare nuk ka reaguar lidhur me këtë vendim.

Sipas qeverisë italiane, ky propozim mund të shërbejë si model për të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke mundësuar një zbatim më të unifikuar të urdhrave të dëbimit. Megjithatë, BE-ja ende nuk ka një standard të qartë për riatdhesimet në kuadër të paktit të ri për migracionin dhe azilin.

Ndërkohë, Gjykata Evropianë e Drejtësisë pritet të shprehet mbi statusin (të sigurt apo të pasigurt) e disa vendeve të origjinës së emigrantëve, çështje që ka krijuar tensione mes gjyqësorit dhe qeverisë italiane. Vendimi mund të ndikojë në përdorimin e kampit të Gjadrit si pjesë e strategjisë së Italisë për menaxhimin e migracionit duke lejuar (ose jo) që në Gjadër të mbyllen edhe azilkërkuesit që kapen në Mesdhe.

Citizens.al ka trajtuar gjerësisht çështjen e kampit të Gjadrit në artikuj të mëparshëm si dhe në një nga podkastet e saj.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW