Kuvendi i Shqipërisë ka lëshuar platformën e re të konsultimeve publike në sitin e tij zyrtar. Përmes platformës, organizatat dhe grupet e interesit do të paraqesin mendimet dhe propozimet për amendimet e drafteve ligjore.
Platforma e quajtur “konsultimipublik.al” do të ndihmojë deputetët e Kuvendit që të njihen me propozimet përpara se amendimet të votohen. Ajo është përfundimtare dhe zëvendëson një version “ad-hoc” të mëparshëm.
Në ceremoninë e përurimit që u mbajt të premten e shkuar (4 prill 2025), Kryetari i Kuvendit znj. Elisa Spiropali, deklaroi se të gjitha projektligjet do të hidhen në platformë. Ndërkohë që më parë, mungesa e një pjese të ligjeve të rëndësishme në Platformë kishte sjellë zemërimin e aktivistëve, si dhe një numër reagimesh e komentesh nga grupet e interesit.
Nisma për ndërtimin e platformës nisi në 2020, në kuadër të zbatimit të një projekti të mbështetur nga OSBE, por ajo u ndërpre për shkak të pandemisë të Covid-19. Me kalimin e kohës Kuvendi reflektoi, duke e marrë seriozisht këtë nismë dhe ndërtoi duke mbështetur financiarisht një platformë të përhershme.
Në dy-tre vitet e fundit, Kuvendi ka shtuar përpjekjet për reformimin e shërbimeve parlamentare, në përputhje me parimet e “Kuvend i Hapur”, një nismë në kontekstin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Kemi konstatuar se është rritur përdorimi i shërbimeve të Kuvendit. Përmirësimin e platformës e shohim si mundësi përfitimi të dyfishtë: jo vetëm në shërbim të komisioneve parlamentare, por edhe si përfshirje e drejtpërdrejtë e publikut në proceset legjislative”, deklaroi Lefteri Luzi, drejtori i Komisioneve Parlamentare.
“Platforma mund të përdoret nga të gjithë qytetarët, lehtësisht, mjafton që të regjistrohesh më parë”, shpjegoi Ejona Manjani, koordinator i Shoqërisë Civile dhe për Pjesëmarrjen e Publikut.
Por ndryshimet nuk janë vetëm teknike. Ato janë edhe përmbajtësore. Luzi, shpjegoi se këtë herë konsultimet dhe komentet do të jenë të hapura për publikun, çka siguron më tepër njohje e më shumë transparencë, teksa konsultimi është duke ndodhur.
Më tej, ajo njofton se komentuesit do të njoftohen nga platforma mbi marrjen në konsideratë të komenteve të tyre, duke u siguruar për regjistrimin e tyre e në këtë mënyrë do të mund të vlerësohen nga deputetët.
Akoma më shumë, vizitorët e jashtëm do të kenë lehtësinë për të komentuar projektligjet nen për nen dhe jo “en bloc”, falë një hiperlinku që do të vendoset mbi secilin prej neneve.
Jo gjithçka u mor parasysh
Shqetësim mbetet mungesa e një rregulloreje për funksionimin e platformës, çka mund të krijojë pështjellim mes palëve dhe arbitraritet nga ana e Komisioneve.
Një shqetësim tjetër ka të bëjë me mungesën e njoftimit proaktiv për draftet e hedhura në platformë, nëpërmjet dërgimit të email-it çdo përdoruesi të regjistruar, duke marrë me mend se qytetarët mund ta aksesojnë spontanisht vetë (me iniciativë) platformën, për të verifikuar nëse janë hedhur për konsultim drafte të reja.
Por, a do ta marrin qytetarët këtë mundim? Në çfarë mënyre do të motivohen ata për të zbatuar këtë disiplinë, jo pak rigoroze?
Hulumtimi i kryer nga Citizens, vitin e kaluar, tregoi një pjesëmarrje të ulët në regjistrin elektronik të Kuvendit nga organizatat dhe nga grupet lobiste.
Sipas një burimi të afërt me Kryesinë e Kuvendit, njoftimi nëpërmjet email-it mbi draftet e reja të hedhura në platformë nuk mund të rregullohet shpejt, pasi një kërkesë e tillë nuk ka qenë pjesë e kontratës me kompaninë, e cila ndërtoi platformën.
Përvoja mund të shërbejë si mësim që në të ardhmen, një pjesë e konsultimeve për përditësimin e platformës të kryhen në fazën fillestare – ende pa u nënshkruar kontrata – në mënyrë që çdo sugjerim nga publiku të bëhet pjesë e detyrimeve kontraktuale.
Kanë kaluar vetëm pak orë nga lëshimi i platformës dhe, siç mund të merret me mend, numri i të regjistruarve është i ulët. Por ajo çka mund të pritet për t’u parë me interes në ditët e ardhshme është strategjia e administratës kuvendore për të shtuar numrin e të regjistruarve në platformën e re.
Lexoni gjithashtu:
- Kuvendi, transparencë vetëm në dukje
- “Fushatë me burime publike”: Denoncim për kryetaren e Kuvendit në KQZ
- Kuvendi në një vit: Çështjet që dominuan debatin parlamentar
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.