Citizens.al

Rastet e përsëritura shtojnë alarmin për pasigurinë ushqimore

Ilustrim, nga protesta e fermerëve pas rasteve me luleshtrydhe të kontaminuara.

Më 12 mars 2025, Kroacia ndaloi në kufi një sasi speci të importuar nga Shqipëria, për shkak të pranisë së lartë të pesticidit flonicamid – një substancë e klasifikuar me rrezik të lartë për shëndetin e konsumatorëve.

Rasti u regjistrua në Sistemin e Alarmit të Shpejtë për Ushqimin të Bashkimit Evropian, por deri më sot ai nuk është shoqëruar me asnjë reagim zyrtar nga Ministria e Bujqësisë apo Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Por ky nuk është një rast i izoluar. Pak javë më parë, u konfirmua prania e salmonelës në mishin e pulës të importuar nga Brazili dhe pesticidet e ndaluara u gjetën në luleshtrydhe të ardhura nga Greqia. Për këtë qeveria shkarkoi drejtuesin e AKU-së në Tiranë, Fatjon Pasholli.

Sipas Ervin Resulit, ekspert i sigurisë ushqimore, rastet janë tregues të dështimit sistematik të institucioneve për të mbrojtur shëndetin publik.

“Ministria e Bujqësisë ka kapitulluar në përmbushjen e misionit që i ngarkon ligji,” u shpreh Resuli për Citizens.al.

Ai shtoi se për produktet me pesticide nuk është bërë e ditur nëse janë kthyer, asgjësuar apo – më keq – hedhur sërish në treg, për të shmangur humbjet ekonomike.

“Kjo heshtje ngre dyshime të forta mbi mundësinë, që për interesa të caktuara të bizneseve, që mos të marrin kosto ekonomike, produktet e kontaminuara të hidhen sërish në treg,” theksoi Resuli duke shtuar se kështu përfitimi financiar prevalon mbi shëndetin e qytetarëve.

Në rastin e luleshtrydheve, sipas AKU-së, 52 kg produkt i importuar nga Greqia rezultoi me mbetje pesticidi mbi normat e lejuara. Ndërhyrja erdhi vonë: produkti ishte tashmë i shpërndarë dhe konsumuar.

Situata është më alarmante me mishin e pulës. Kompania “AMG Food” importoi 18 tonë fileto të ngrira nga Brazili. Pas analizave më 21 mars, u konstatua prania e salmonelës. Resuli thotë se rreth 3 tonë nga kjo ngarkesë ishin konsumuar tashmë nga qytetarët kur rasti u bë me dije.

Pjesë e sasisë dyshohet se u përdor për prodhimin e sallameve në fabrikën “DiMal” ose u hodh fshehurazi në treg.

AKU pretendon se produkti u zhdoganua në Tiranë dhe se një pjesë u zhduk nga magazinat përpara daljes së analizave. Prokuroria ka nisur hetimet për mashtrim dhe manipulim dokumentesh, duke përfshirë administratorët edhe tre inspektorë të AKU-së.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaroi se “AKU-ja ka kryer detyrën” dhe se rasti është referuar në prokurori. Por sipas ekspertëve, kjo nuk mjafton.

Rigles Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” e konsideron të papranueshme mënyrën si reagojnë institucionet. Sipas tij ato kanë dështuar të monitorojnë zinxhirin e produkteve nga fermat në tavolinë.

“Fëmijët e shqiptarëve nuk mund të hanë më salmonelën në pulë dhe vajin e palmës në qumësht, pa asnjë garanci për sigurinë e tyre ushqimore,” theksoi Xhemollari.

Sipas tij, ajo çfarë mungon është një dritare komunikimi dhe denoncimi mes qytetarëve dhe rojtarëve të sigurisë ushqimore.

Në shkurt 2025, një tjetër rast alarmoi opinionin publik: mbi 21 tonë mandarina me pesticide të ndaluara u kthyen nga Kroacia, por nuk u asgjësuan.

Dyshohet se sasia u shpërnda sërish në treg nga fermerë në Berat e Sarandë. Sipas Prokurorisë së Beratit, mandarinat përmbanin mbetje të pesticidit “Fosmet”, i ndaluar që prej vitit 2022.

Për Resulin, dorëheqjet sporadike në AKU nuk e zgjidhin krizën e besimit dhe sigurisë.

“E qenësishme do të ishte dorëheqja e ministres në këtë rast, për ti hapur rrugë një personi tjetër të përgjegjshëm,” tha Resuli duke argumentuar se rastet janë dështime të thella institucionale që kërkojnë përgjegjësi reale.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW