Banorët e Hotolishtit në Librazhd bllokuan sot për disa minuta rrugën kombëtare Librazhd-Përrenjas, në shenjë proteste ndaj projektit të rrugës “Elbasan-Qafë Thanë”, e cila parashikohet të kalojë në mes të fshatit duke prekur të paktën 25 banesa.
“Duam rrugë, por jo përçarje të komunitetit” ishte mesazhi kryesor që përcollën sot banorët, të cilët me fëmijët dhe të moshuarit u vendosën për rreth 15 minuta në shenjë simbolike në mes të rrugës.
Prej muajsh, ky komunitet është organizuar në mënyrë paqësore, duke kundërshtuar projektin përmes peticioneve, shkresave zyrtare dhe takimeve me autoritetet.
“Ne nuk jemi kundër rrugës, ne jemi kundër shkatërrimit të zonës sonë, teksa ka alternativa që mund të kalojë rruga e mos të shkatërrohet Hotolishti”, u shpreh një nga banorët protestues.
Ata theksuan gjithashtu se prej tetë muajsh nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare nga qeveria për identifikimin e shtëpive që preken nga projekti. Ndërkohë, ministria ka deklaruar se projekti është në rishqyrtim.
Tjetër shqetësim i ngritur nga komuniteti është vlera e kompensimit të propozuar për shtëpitë e prekura – 270 euro/m² – të cilën ata e cilësojnë si të papranueshme.
“Hajdeni e provojeni t’i ndërtoni shtëpitë tuaja me kaq para. A mundeni?” tha një tjetër banor duke theksuar se për ta shtëpitë janë investimi më i mundshëm i jetës.
Si zgjidhje, banorët kërkojnë që rruga të kalojë përmes një tuneli ose të devijohet drejt luginës së Shkumbinit, duke shmangur dëmet mbi zonën e banuar.
Gjatë protestës, në vendngjarje ishin të pranishme forca të shumta të policisë. Tubimi u zhvillua paqësisht, ndërsa banorët paralajmëruan se do të protestojnë sërish të dielën e ardhshme, nëse nuk do të ketë një reagim institucional.
Prej muajsh në protestë
Prej vitit 2024, kur punimet për zgjerimin e rrugës “Elbasan-Qafë Thanë” i janë afruar fshatit Hotolishtit, banorët kanë shprehur kundërshtitë e tyre, për një projekt me të cilin nuk janë konsultuar.
Sipas banorëve, nuk ka pasur asnjë dëgjesë publike të zhvilluar me ta, ndërsa informacionin se rruga do të kalojë në lagjen e tyre të banimit e kanë kuptuar nga punonjësit që kanë zbritur në terren për të bërë matjet.
Ata i dërguan institucioneve qendrore një peticion prej 511 firmash ku këkruan zgjidhje alternative, përmes një tuneli apo duke kaluar në luginë të Shkumbinit.
Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore, ndërsa edhe në takimin që ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku premtoi se do të zhvillonte javën e shkuar, nuk u paraqit që të dëgjonte banorët.
Ky segment që prek fshatin Hotolisht është faza e tetë e projektit dhe fillon rreth 140 metra nga kthesa për në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë dhe përfundon rreth 300 metra nga kthesa për në fshatin Xhyrë. Kompania fituese për këtë segment është “Fusha”shpk , e cila ka lidhur kontratën më korrik të vitit 2024.
Punimet për rrugën “Elbasan-Qafë Thanë” kanë nisur në janar të vitit 2023 si pjesë e Korridorit të VIII që lidh portin e Durrësit me portin e Varna në Bullgari, lidhje e konsideruar strategjike për transportin e mallrave dhe qytetarëve.
Sipas Autoritetit Rrugor në total, të teta lotet e tenderuara deri më tani llogariten të shkojnë mbi 183 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2026.
Lexoni gjithashtu:
- Rruga “Elbasan-Qafë Thanë” ndan në mes fshatin Hotolisht të Librazhdit
- Mbi 500 banorë të Hotolishtit peticion kundër rrugës që ndan fshatin
- S’ka informacion për projektin e rrugës, Hotolishti paralajmëron protestë

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).