Je i majtë apo i djathtë? Në Shqipëri, prej vitesh, termat “e majtë” dhe “e djathtë” i janë atribuuar dy partive kryesore: Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD).
Ata që votojnë PS e quajnë veten të majtë, ndërsa ata që votojnë PD e quajnë veten të djathtë. Por, çfarë do të thotë realisht të jesh i majtë apo i djathtë?
Termat “majtas” dhe “djathas” lindën pas Revolucionit Francez, kur ata që kërkonin ndryshim dhe barazi sociale u ulën në të majtë të Kuvendit, ndërsa ata që mbronin rendin ekzistues u ulën në të djathtë.
E Majta përfaqëson ide si barazi sociale, mbrojtje për më të dobëtit, dhe ndërhyrje aktive të shtetit në ekonomi. Partitë e majta mbështesin shërbimet publike si arsimi falas, kujdesi shëndetësor për të gjithë, dhe ndihma për të varfrit.
Ato favorizojnë taksimin progresiv, ku ata që kanë më shumë të ardhura paguajnë më shumë. Modele të mirëqenies sociale mund të gjenden në Suedi dhe vendet e tjera nordike.
E Djathta, nga ana tjetër, mbështet lirinë individuale, tregun e lirë dhe një rol minimal të shtetit në ekonomi. E djathta beson që individët dhe bizneset duhet të kenë më shumë liri për të krijuar të ardhura dhe promovon taksa të ulëta dhe shpenzime publike më të kontrolluara.
Shtetet e Bashkuara janë një shembull i njohur ku fokusi është te iniciativat private dhe konkurrenca e lirë.
Por si qëndrojnë partitë shqiptare?
Partia Socialiste, që ka mbajtur flamurin e së majtës për vite, në disa raste ka zbatuar politika të djathta, si partneritetet publike-private. Por në këto zgjedhje premtimet e saj si rritja e pensioneve, janë më shumë të natyrës së majtë.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka mbajtur flamurin e së djathtës, por në këtë fushatë, ka bërë premtime që janë më afër politikave të majta, si mbështetje për rritjen e pensioneve, rrogave dhe sektorin e shëndetësisë.
Partitë e reja dhe spektri ideologjik
Partitë e reja, si Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj, janë më të qarta në pozicionimin e tyre ideologjik. Ajo është një parti e djathtë dhe premton përgjysmim të taksave dhe vendosjen e taksës së sheshtë 8%.
Një tjetër premtim i djathtë është kursimi i 1 miliard eurove në vit nga shkurtime të administratës. Por, edhe Partia Mundësia ka disa premtime që janë të natyrës së majtë, si lufta kundër monopolëve, një politikë që synon rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Lëvizja Bashkë, është një parti e re e majtë socialdemokrate, ka premtime për rritjen e shpenzimeve publike për shëndetësinë, duke e çuar nivelin e shpenzimeve në 6% të PBB-së.
Ajo mbështet gjithashtu arsimin publik falas dhe ndërtimin e një sistemi shëndetësor të përballueshëm për të gjithë qytetarët. Premtimet e Lëvizjes Bashkë qëndrojnë brenda spektrit të majtë.
Nisma Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurrje janë parti të qendrës, as majatas e as djthatas që kombinojnë elemente nga të dyja anët e spektrit ideologjik.
Ata kanë propozime si miratimi i ligjit për referendumet dhe një sistem zgjedhor me lista të hapura, që kërkon më shumë pjesëmarrje qytetare. Teksa kanë dhe premtime të majta si subvencioni për shtëpi për çiftet e reja.
Analizo programet dhe bëj një zgjedhje të informuar!
Lexoni gjithashtu:

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.