Në një vendim që mund të shërbejë si pikë referimi për të ardhmen e lirisë së shtypit në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimet gjyqësore që lejuan sekuestrimin nga ana e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) të telefonit si dhe mundësuan kopjimin e të dhënave kompjuterike të gazetarit të kronikës Elton Qyno.
Kushtetuesja i cilësoi këto masa si joproporcionale dhe në shkelje të lirisë së shprehjes teksa njohu të drejtën e gazetarit për të mbrojtur burimet e tij të informacionit. Paralelisht ajo kërkoi që SPAK të fshijë të gjitha të dhënat e marra nga pajisjet e Qynos.
Vendimi u shpall të martën pasdite, më 22 prill, dhe vjen pas një beteje të gjatë ligjore ku gazetari Qyno u përfaqësua nga qendra “Res Publica”.
Çështja nisi në fund të vitit 2023, kur Qyno publikoi disa artikuj rreth të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumani e Henrik Hoxhaj. Shkrimet përmbanin pjesë komunikimesh që, sipas SPAK, përputheshin me biseda të Dumanit në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC”.
Më herët, me një vendim të diskutueshëm të qershorit 2022, SPAK kishte urdhëruar mediat të ndalonin botimet e informacioneve që lidheshin me çështjen, njohur ndryshe si “Plumbi i Artë”. Urdhër që sipas SPAK-ut i qe komunikuar personalisht edhe gazetarit Qyno.
Për rrjedhojë, në dhjetor 2023, ai u thirr për orë të tëra në prokurori, nën dyshimin e “zbulimit të sekreteve hetimore”. Në përpjekje për të zbuluar se kush kishte qenë burimi i informacionit, SPAK vendosi t’i sekuestrojë Qynos dy telefona – një prej të cilëve ia ktheu më vonë – dhe kompjuterin, ndërsa i ushtroi kontrolle në banesë dhe vendin e punës.
Dhjetë muaj pas sekuestrimit të mjeteve të punës, në një hetim paralel, SPAK ngriti dyshime se gazetari Qyno mund të ketë përfituar pagesa nga një grup i strukturuar kriminal i drejtuar nga Suel Çela.
Në fillim të këtij viti Apeli e liroi Qynon nga masa e detyrimit për t’u paraqitur në SPAK, teksa kjo e fundit nuk ka ngritur akuzë formale ndaj gazetarit. Vetë Qyno ka mohuar dyshimet e ngritura. Në dalje nga Gjykata Kushtetuese, ai tha të martën se hetimi në fjalë “ishte formë diskreditimi ndaj punës së tij”.
Megjithatë, vlen të theksohet se në çështjen “Qyno-SPAK”, Gjykata Kushtetuese nuk u ndal te dyshimet apo hetimet e ndaj tij. Ajo u përqendrua te pyetjet themelore:
A mundet t’i imponohet një gazetari zbulimi i burimeve? A mundet t’i kontrollohen pajisjet, pa provuar se kjo është e vetmja rrugë dhe për më tepër, pa provuar se ka një interes të jashtëzakonshëm publik që i justifikon këto veprime? Me vendimin e së martës, Kushtetuesja tha: Jo!
Në analizën e saj, duke u mbështetur në Nenin 22 të Kushtetutës dhe Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Kushtetuese theksoi se “e drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit nuk është një privilegj, por një garanci kushtetuese”.
Kjo e drejtë, sipas gjykatës, mbrohet jo vetëm për të siguruar lirinë e medias, por edhe për të garantuar të drejtën e publikut për t’u informuar.
“Gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit,” thuhet në vendim.
Vendimi i Kushtetueses përfshin edhe urdhrin për asgjësimin e të gjitha kopjeve nga të dhënat e pajisjeve që ishin sekuestruar, duke i dhënë kështu fund çdo pretendimi për ruajtjen apo përdorimin e tyre në hetime të mëtejshme.
Ky është rasti i parë në Shqipëri kur Gjykata Kushtetuese shprehet në mënyrë kaq të qartë për rolin e gazetarëve si mbrojtës të interesit publik dhe për kufijtë që pushteti duhet të ketë në respekt të punës së medias.
Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në standardet që prokuroria dhe gjykatat duhet të kenë parasysh kur kërkojnë akses në burimet dhe të dhënat e gazetarëve.
Jashtë gjykatës, Qyno u shfaq i emocionuar dhe këmbënguli se çështja nuk ishte personale, por një betejë që rasti i tij të mos përsëritej në të ardhmen me gazetarë të tjerë.
“Është një vendim që sjell optimizëm për median,” tha ai teksa theksoi se faktin se gjykatësit u shprehën në unanimitet.
“Një vendim që na inkurajon për vendosmëri dhe guxim të përhershëm në raportim të thelluar,” e cilësoi Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Organizata të tjera si Safe Journalists apo Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) përshëndetën gjithashtu vendimin.
“Ky vendim historik forcon parimin e rëndësishëm se mbrojtja e burimeve gazetareske është thelbësore për lirinë e medias,” tha Safe Journalists.
“Gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga ndërhyrjet shtetërore apo presioni për të zbuluar burimet,” theksoi AGSH.
Në një kohë ku gazetaria në Shqipëri përballet me presione të shpeshta, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do t’i detyrojë institucionet të jenë më të kujdesshme në mënyrën se si ndërhyjnë në punën e gazetarëve dhe me gjasë SPAK-u të mos urdhërojë më mediat për të ndaluar botimin e informacioneve të caktuara.

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.