Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) zhvilloi paraditen e së enjtes votimin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të televizionit publik.
Në garë morën pjesë 12 kandidatë: Elton Metaj, Engjëllush Musai, Eni Vasili, Enrik Mehmeti, Ermal Hoxha, Flamur Buçpapaj, Harrila Koçi, Kliton Rama, Laureta Roshi, Mimoza Haxhiaj dhe Zoje Jakaj-Marashi.
Kandidatët kishin paraqitur më herët platformat e tyre në një takim publik me anëtarët e Këshillit.
Votimi, i cili ndryshe nga procedura e ndjekur nga Këshilli i mëparshëm u transmetua drejtpërdrejt në RTSH, përfundoi pa asnjë kandidat që të siguronte shumicën e cilësuar të votave, siç kërkohet nga ligji.
Kryetari i Këshillit, Fatjon Hoxhalli, bëri të ditur se kandidatet më të votuar ishin Eni Vasili, Zoje Jakaj dhe Engjëllush Musai. Megjithatë asnjëri prej tyre nuk arritën kuorumin prej 3/5-at ose thënë ndryshe 7 vota.
“Duke qenë se në këtë votim nuk arrihet rezultati […] procesi rezulton i pasuksesshëm. Kështu, do të kalojmë në një raund të dytë,” deklaroi Hoxhalli teksa njoftoi se votimi i dytë do të zhvillohet të premten.
Prej gati një viti, RTSH ka qenë në qendër të debatit publik, që nga koha kur në krye të institucionit ishte Alfred Peza. Ai dha dorëheqjen një vit pas marrjes së detyrës në shtator 2024, pas një periudhe të tensionuar gjatë së cilës u kritikua për shkarkime të shumta të gazetarëve dhe punonjësve të RTSH-së.
Emërimi i Pezës në krye të RTSH-së u kontestua që në fillim, për shkak të së kaluarës së tij politike si ish-deputet dhe ish-sekretar për marrëdhëniet me median në Partinë Socialiste.
Në mars 2025, Kuvendi votoi për shkarkimin e Këshillit të mëparshëm Drejtues të RTSH-së, pas gjetjeve për shkelje ligjore dhe parregullsi në procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri nga Komisioni Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.
Megjithatë, përbërja e re e Këshillit me 11 anëtarë u prit me shqetësim nga organizatat e medias, të cilat ngritën dyshime për pavarësinë e tyre, duke theksuar se disa prej tyre kishin një të kaluar me angazhim të drejtpërdrejtë politik, si ish-deputetë, zëvendësministra apo këshilltarë qeveritarë.
Lexoni gjithashtu:
- Kuvendi voton Këshillin e ri Drejtues të RTSH-së
- Këshilli i ri Drejtues, organizatat e medias: RTSH rrezikon të kapet politikisht
- Kuvendi shkarkon Këshillin Drejtues të RTSH-së

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).