Eni Vasili u zgjodh të premten drejtuese e Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) duke marrë shtatë nga 11 vota që ishin në total nga Këshilli Drejtues.
Programi i saj ka hasur në kritika nga një prej drejtuesve të shkuar, sipas së cilit televizioni publik rrezikohet të bjerë nën varësinë politike të qeverisë.
Në raundin e dytë të garës ishin edhe Zoje Jakaj-Marashi e cila mori 3 vota dhe Engjëllush Musai që mori 1 votë.
Vasili ka një karrierë të gjatë në fushën e medias, e cila ka nisur prej vitit 1997 si gazetare në departamentin e lajmeve në RTSH, ish-reportere e lajmeve dhe drejtuese e emisionit televiziv “Open” në televizione të ndryshme.
Në prezantimin e platformës së saj para Këshillit Drejtues, Vasili u shpreh se do ta transformojë RTSH-në nga një person juridik publik në shoqëri aksionare me 100% kapital shtetëror.
Mes pikave të tjera të platformës së saj ajo ka renditur:
- Ndryshimin e mënyrës së financimit nga varësia te taksa e pajisjeve të buxhetit të shtetit.
- Shfrytëzimin e frekuencave të RTSH-së për të nxjerrë të ardhura përmes dhënies së tyre privatëve.
- Reduktimin apo mbylljen e disa kanaleve të RTSH-së si RTSH Agro, RTSH 3, RTSH Shkollë dhe studiot lokale (RTSH Kukës, Korçë, Shkodër, Gjirokastër).
- Ndarjen e kanaleve përkatëse politike (një për opozitën dhe një për pozitën).
- Hapjen e një aplikacioni mobil për RTSH.
Ish-drejtori i RTSH-së: Bëhu drejtoreshë, por mos e zbato platformën tëndë
Ish-drejtuesi i RTSH-së Thoma Gëllçi ishte kritik ndaj platformës së Vasilit. Sipas tij, platforma që ajo premton fillon me përplasje që në fillim kur ajo propozon të kthejë institucionin në shoqëri aksionare me 100% kapital shtetëror.
“Kthimi i RTSH-së në shoqëri aksionare nuk i jep asaj asnjë avantazh në lidhje me veprimtarinë tregtare, blerjet dhe shitjet, tenderat dhe marrëveshjet me ndërmarrje të tjera, por përkundrazi, e ngushton veprimtarinë e saj dhe e vë nën kontrollin e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave apo Ekonomisë”, argumentoi Gëllçi përmes një kritike të botuar në Facebook.
Gëllçi theksoi se me propozimin e Vasilit për t’u kthyer në shoqëri aksionere “RTSH do të duhej të drejtohej nga Bordi i Aksionarëve, që në këtë rast do të ishte qeveria e Shqipërisë”.
Sipas ish-drejtorit të RTSH-së financimi nga buxheti i shtetit rrezikon pavarësinë. Ai solli shembujt e modeleve evropiane, të cilat funksionojnë me taksë të dedikuar për qytetarët dhe jo nga buxheti i shtetit si BBC, ZDF, RAI etj.
Sa i takon frekuencave, Gëllçi u shpreh se ka një keqkuptim teknik dhe ligjor. Sipas tij RTSH ka vetëm 2 frekuenca dhe nuk ka kapacitete për të nxjerrë të ardhura përmes tyre. Frekuencat janë të limituara dhe të rregulluara nga ligji, ndaj kjo ide e Vasilit, sipas tij, është jorealiste.
Ndërsa shprehu qendrimin kundër për mbylljen e kanaleve ekzistuese Gëllçi theksoi se kanalet mund të përmirësohen në përmbajtje. Ish-drejtuesi i RTSH-së kritikoi gjithashtu ndarjen sipas spektrit politik të dy kanaleve publike (një për pozitën, një për opozitën).
Sipas Gëllçit kjo është një logjikë e rrezikshme që sjell ndasi, jo pluralizëm, pasi përjashton dialogun dhe promovon përmbajtje me “shije politike”, në vend të gazetarisë së balancuar.
“Asnjë fjalë për drejtimet se nga duhet të ecë teknologjia e radios dhe televizionit, asnjë fjalë për arkivin. Asnjë fjalë për zhvillimet në radio, mediat sociale”, deklaroi Gëllçi, i cili këshilloi publikisht Vasilin që të mos e zbatojë këtë program.
RTSH ka qenë në qendër të debatit publik, që nga koha kur në krye të institucionit ishte Alfred Peza. Ai dha dorëheqjen një vit pas marrjes së detyrës në shtator 2024, pas një periudhe të tensionuar gjatë së cilës u kritikua për shkarkime të shumta të gazetarëve dhe punonjësve të RTSH-së.
Emërimi i Pezës në krye të RTSH-së u kontestua që në fillim, për shkak të së kaluarës së tij politike si ish-deputet dhe ish-sekretar për marrëdhëniet me median në Partinë Socialiste.
Zëvendësimi i tij nxori në pah problemet dhe konfliktin e interesit në Këshillin e mëparshëm Drejtues të RTSH-së, i cili u shkarkua në dakordësi mes palëve politike.
Megjithatë, përbërja e re e Këshillit është shoqëruar me shqetësim nga organizatat e medias për pavarësinë e tyre për shkak të së kaluarës me angazhim të drejtpërdrejtë politik, si ish-deputetë, zëvendësministra apo këshilltarë qeveritarë.
Lexoni gjithashtu:
- Gara për drejtorin e ri të RTSH-së kërkon raund të dytë zgjedhjesh
- Kuvendi voton Këshillin e ri Drejtues të RTSH-së
- Këshilli i ri Drejtues, organizatat e medias: RTSH rrezikon të kapet politikisht

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).