Citizens.al

“S’jemi rrugë tranzit, por komunitet”, banorët e Hotolishtit sërish në protestë për rrugën 

Banorët e Hotolishtit në protestë për projektin e rrugës/Citizens.al

Për të dytën herë, banorët e Hotolishtit në Librazhd bllokuan për disa minuta segmentin Librazhd-Përrenjas në shenjë proteste ndaj projektit të zgjerimit te rrugës “Elbasan-Qafë Thanë”. 

“Pas protestës së parë paqësore nuk kemi marrë asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse. Heshtja është kthyer në qendrim dhe kjo tregon një mospërfillje të plotë ndaj qytetarëve të një komuniteti”, lexoi në deklaratën e saj një prej banoreve të Hotolishtit. 

Ata përsëritën të njëjtat kërkesa sikurse ndryshimin e projektit aktual që e ndan fshatin në mes duke gjetur zgjidhje alternative përmes një tuneli apo kalimin anës lumit Shkumbin. 

Banorët kërkuan rivlerësimin e cmimit të pronës. 

“Nga 370 lekë metri katror në vitin 2001 në 170 lekë metri katror në vitin 2025”, u shpreh një nga banorët, duke theksuar që cmimi për rindërtimin është i papranueshëm pasi “25 mijë lek metri katror nuk mjafton për të rindërtuar një shtëpi të re”.

Ata kërkuan vlerësim të drejtë dhe realist, ndërsa i bënë thirrje ARRSH-së dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku të reflektojnë për këtë projekt duke mos dëmtuar një komunitet të tërë.

Në vendngjarje ishin të pranishme forca të shumta të policisë ndërsa ka pasur edhe tensione mes tyre dhe banorëve.

Kjo është protesta e dytë e banorëve në rrugë, ndërsa revolta e tyre ka filluar prej vitit 2024, kur kanë nisur punimet pranë fshatit.

Prej muajsh në protestë 

Prej vitit 2024, kur punimet për zgjerimin e rrugës “Elbasan-Qafë Thanë” i janë afruar fshatit Hotolishtit, banorët kanë shprehur kundërshtitë e tyre, për një projekt me të cilin nuk janë konsultuar. 

Sipas banorëve, nuk ka pasur asnjë dëgjesë publike të zhvilluar me ta, ndërsa informacionin se rruga do të kalojë në lagjen e tyre të banimit e kanë kuptuar nga punonjësit që kanë zbritur në terren për të bërë matjet.

Ata i dërguan institucioneve qendrore një peticion prej 511 firmash ku kërkuan zgjidhje alternative, përmes një tuneli apo duke kaluar në luginë të Shkumbinit. 

Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore, ndërsa edhe në takimin që ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku premtoi se do të zhvillonte më 17 mars nuk u paraqit që të dëgjonte banorët. 

Ky segment që prek fshatin Hotolisht është faza e tetë e projektit dhe fillon rreth 140 metra nga kthesa për në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë dhe përfundon rreth 300 metra nga kthesa për në fshatin Xhyrë. Kompania fituese për këtë segment është “Fusha”shpk , e cila ka lidhur kontratën më korrik të vitit 2024.

Punimet për rrugën “Elbasan-Qafë Thanë” kanë nisur në janar të vitit 2023 si pjesë e Korridorit të VIII që lidh portin e Durrësit me portin e Varna në Bullgari, lidhje e konsideruar strategjike për transportin e mallrave dhe qytetarëve.

Sipas Autoritetit Rrugor në total, të teta lotet e tenderuara deri më tani llogariten të shkojnë mbi 183 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2026.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW