Citizens.al

Partitë mbajnë fshehur shpenzimet për mitingjet në diasporë

Ilustrim i votës së diasporës/Citizens.al

Autore: Esiona Konomi

Në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e emigrantëve për zgjedhjet parlamentare, partitë politike kryesore kanë zhvilluar dhjetëra takime me diasporën, nga Europa në Amerikë, por asnjë prej tyre nuk ofron transparencë për shpenzimet.

Diaspora e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e rëndësishme për zgjedhjet për një arsye të thjeshtë: madhësinë e saj. Rreth 1.6 milionë shqiptarë kanë të drejtën e votës jashtë kufijve të vendit dhe 245 mijë prej tyre u regjistruan për të votuar më 11 maj.

Nisur nga kjo poartitë kryesore rendën të organizojnë takime të shumta jashtë. Ndër më të kushtueshmet duken të jenë ato të organizuara nga kryeministri Edi Rama, nga Nju-Jorku në Selanik,  por kostoja e tyre mbetet ende pa përgjigje nga qeveria dhe Partia Socialiste.

Më 12 maj 2024, një avion i “Air Albania” i përdorur nga kryeministri Rama u ul në Athinë. Përveç tij, zbarkuan rreth 50 persona – mes tyre punonjës të administratës dhe gazetarë.

Ata u drejtuan në sallën “Christmas Theatre” në stadiumin Galatsi, ku qindra emigrantë ndoqën performancën e artistëve të njohur si Noizy dhe Era Rusi. Në evente të ngjashme në Selanik, Milano, Londër e Nju Jork, morën pjesë edhe artistë të tjerë si Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj.

Këto takime përfshinin shpenzime të mëdha për avionë, akomodim, salla të mëdha pritjeje, skena dhe teknologji audiovizive. Por mbetet e paqartë kush i pagoi këto shpenzime, PS apo buxheti i shtetit, sidomos në një vit që nuk ishte zyrtarisht elektoral.

“Citizens” iu drejtua qeverisë dhe PS-së duke kërkuar të dijë kush ishte organizatori dhe financuesi i këtyre aktiviteteve, por nuk mori përgjigje.

Opozita denoncoi në SPAK pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimet e kryeministrit, duke akuzuar diplomatët se me angazhimin në takime elektorale kishin shkelur ligjin.

Gjatë hetimit, qeveria, përmes ministrisë së Jashtme, “justifikoi” praninë e tyre duke i konsideruar takimet e Ramës gjatë vitit 2024 në diasporë, si “qeveritare”. 

Në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Irena Gjoka citohet shkresa e ministrisë:          

“Në kuadër të zbatimit të Programit të Qeverisë 2021-2025 dhe Strategjisë Kombëtare për Diasporën Shqiptare 2021-2025, gjatë vitit 2024 janë realizuar dy takime […] të cilat nuk kanë qenë as elektorale, as partiake dhe as nuk janë përdorur simbole apo logo të ndonjë partie”, thuhet në vendimin të cilin Citizens e disponon. 

Për organizimet në Nju Jork dhe Selanik të fundvitit 2024, ministria pranon se ato kanë qenë partiake, por thotë se ambasadorët kanë marrë pjesë në takime pas orarit të punës. 

“[…] edhe pse as në këto takime nuk janë përdorur simbole apo logo të ndonjë partie. Trupi Diplomatik […] është angazhuar funksionalisht në aktivitetet me praninë e Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë”, u shpreh ministria.

Përzierja e rolit të kryeministrit me atë të kryetarit të partisë shihet me kritika nga gazetarët. Esmeralda Topi, gazetare e “Faktoje” e quan këtë qasje si një fushatë të maskuar elektorale.

“Kjo përforcohet edhe nga përqendrimi i veçantë që PS i ka kushtuar diasporës, në një kohë kur brenda vendit perceptimi i pakënaqësisë publike është i lartë”, tha Topi

Gazetarët e politikës Klesiana Omeri dhe Isa Myzyraj pohojnë gjithashtu se takimet e qeverisë ishin politike dhe u përdorën për qëllime elektorale.

“Pavarësisht se këto takime, fillimisht u prezantuan si përpjekje për të forcuar lidhjet me diasporën dhe për të diskutuar për çështje që prekin emigrantët, fjalimet e kryeministrit ishin pjesë e një strategjie elektorale të PS”, tha Omeri për “Citizens”.

“Në disa raste bëri thirrje edhe për të votuar partinë e tij. Për të përforcuar idenë se këto takime kanë qenë partiake më shumë sesa shtetërore, është edhe mungesa e një ftese për opozitën në këto takime”, nënvizon Myzyraj.

Gazetarët e shohin me shqetësim mungesën e transparencës mbi fiancnimin e këtyre takimeve. Topi shprehet se ka kërkuar informacion dhe nuk ka marrë përgjigje. 

Mungesa e transparencës hedh dyshime të forta se si janë paguar këto udhëtime, kush i ka paguar dhe me çfarë qëllimi”, tha Myzyraj.

Kostot e artistëve dhe mungesa e transparencës

Këngëtarët që u përfshinë në takimet e emigrantëve të organizuara nga Edi Rama – herë si kryeministër, herë si lider i PS-së – janë ndër më të paguarit në tregun muzikor.

Emra si Era Rusi, Noizy, Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj, sipas njohësve të tregut të showbiz-it, kanë pagesa që fillojnë nga 10 mijë euro deri në 20 mijë euro.

Tarifat varen nga vendi ku mbahet eventi, madhësia e sallës dhe konteksti në të cilin zhvillohet koncerti. Noizy dhe Elvana janë ndër më të shtrenjtët në treg. Së fundmi, nuk janë parë të performojnë pa pagesë përveç rasteve të rralla bamirësie,” thotë gazetari Andi Vrapi.

Artistët nuk ishin të arritshëm për koment, por gazetarët e politikës ngrenë pikëpyetje mbi marrëdhënien e tyre me qeverinë. Kjo për shkak se disa prej tyre, më herët, janë mbështetur nga institucionet publike për koncerte përmes projekteve të financuara nga qeveria apo bashkia e Tiranë.

“Ka një lidhje që nuk mund të injorohet mes artistëve dhe pushtetit,” thotë gazetarja Omeri. Sipas saj, edhe nëse nuk ka pagesa direkte, mbështetja institucionale mund të përkthehet në favore si hapësira publike për evente apo kontrata të ardhshme.

Nga ana tjetër, gazetari Myzyraj e sheh këtë raport si fenomen më të thellë.

Artistët janë përfshirë aktivisht në propagandën politike dhe në protesta kundër drejtësisë. Ne nuk kemi asnjë transparencë mbi mënyrën se si ata paguhen dhe për çfarë shërbimesh konkrete”, thotë ai teksa kujton faktin se disa prej artistëve u pozicionuan publikisht kundër SPAK-ut në çështjen Veliaj.

Opozita dhe partitë e reja: Heshtje dhe mungesë transparence

Pas fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, edhe Partia Demokratike ka organizuar takime me diasporën, kryesisht në Greqi dhe Itali. Megjithëse më modeste në organizim se aktivitetet e socialistëve, edhe PD nuk ka ofruar informacion mbi koston apo burimet e financimit për këto takime, pavarësisht kërkesave nga “Citizens”.

E njëjta panoramë mungese transparence vlen edhe për partitë e reja. “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj ka organizuar një tur të gjerë takimesh, përfshirë udhëtime deri në SHBA, por pa bërë publike asnjë të dhënë mbi financimet.

Edhe partitë e Lulzim Bashës dhe Agron Shehajt, që kanë organizuar disa evente me diasporën në Itali dhe Greqi, nuk kanë dhënë informacion mbi shpenzimet.

KQZ tha për Citizens se nuk i ka ende raportet vjetore të partive, dhe nuk mund të ofronte informacion nëse PS ka deklaruar pagesa për takimet në diasporë gjatë vitit jo-elektoral, 2024. 

Sa u takon shpenzimeve zyrtare për fushatën, raportet do të dorëzohen dy muaj pas datës së zgjedhjeve. 

Lidhur me këtë çështje, Instituti i Studimeve Politike (ISP) nënvizon se qeveria nuk ka një mekanizëm brenda saj që monitoron dhe parandalon rastet e abuzimit me burimet shtetërore.

“Përgjegjësia në këtë aspekt e KQZ-së e mbingarkon këtë të fundit, ndërkohë që institucioni nuk ka të gjitha burimet njerëzore dhe administrative në dispozicion për të kontrolluar një pushtet shumë më të madh”, tha Krasniqi.

Rekomandimi i ISP-së është që SPAK dhe strukturat e saj të përfshira në procesin zgjedhor të jenë proaktivë “për të hetuar rastet më flagrante të raportimeve nga shoqëria civile, institucionet, partitë apo media, për të ndihmuar në jetësimin e parimeve ligjore dhe një klimë më të barabartë zgjedhore”.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW