Citizens.al

Banorët e Kaçinarit përpara ministrisë së Infrastrukturës, kundër HEC-eve

Banorët e Kaçinarit në protestë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë/Citizens.al

Pas vite të tëra protestash në zonën e tyre, banorët e Kaçinarit zgjodhën sot të zhvendosen drejt Tiranës, me shpresën se zëri i tyre do të dëgjohet më shumë pranë institucioneve qendrore.

Ata kundërshtojnë ndërtimin e katër hidrocentraleve në lumin Shpërdhazë, projekt që sipas tyre prek jetën në pesë fshatra kreysore: Arrëz, Kaçinar, Simon dhe Shpërdhazë.

“Uji është jetë, mos na thani shpirtin” me këtë thirrje ata u mblodhën sot përpara ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i kërkuar qeverisë pezullimin e menjëhershëm të punimeve.

Gjokë Beqiri, një prej banorëve pjesëmarrës, tha se nëse zonës i hiqet uji banorëve “do t’u merret fryma”.

“Prandaj ju lutem, i bëj thirrje dhe popullit të Kaçinarit, të mos e lëmë këtë punë” tha më tej ai.

Inxhinieri dhe përfaqësuesi i komunitetit, Gjon Pjetri, bëri thirrje për ndërhyrjen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për ndalimin e projektit dhe lexoi një peticion që më pas u dorëzua në ministri.

Banorët përmendin disa arsye kryesore për kundërshtimin e projektit, përfshirë: mungesën e një procesi transparent vendimmarrjeje, mungesën e lejes mjedisore për kompaninë ndërtuese “Shpërdhaza Energji SHPK”, ndikimin negativ në jetesën e përditshme dhe faktin që kanioni i lumit është një monument natyror i mbrojtur me ligj.

“Nuk kemi gjetur zgjidhje, e nuk jemi dëgjuar! Prandaj sot kemi ardhur këtu, para qeverisë, të ngremë zërin për pasuritë tona, siç janë uji, tokat, trojet, mullinjtë, stanet e bjeshkët tona” u shpreh Kolë Ndoji një tjetër banor pjesëmarrës në protestë.

Ndër vite, banorët kanë arritur ta pengojnë vazhdimin e projektit. Në 2018 punimet u pezulluan pas protestave, ndërsa në 2019, mjetet e kompanisë u dogjën në një akt që çoi në ndërprerjen e punës.

Banorët akuzojnë firmën për falsifikim dokumentesh për marrjen e lejeve – një çështje që aktualisht ndodhet në gjykatë, pa një vendim përfundimtar.

Në fund të protestës një përfaqësi e banorëve u prit në zyrat e ministrisë nga ministrja Belinda Balluku.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW