Citizens.al

“Hotolishti gati të përgjigjet, ose ne ose ju”, banorët për të tretën herë në protestë

Ilustrim nga protesta e Hotolishtit/Citizens.al

Banorët e fshatit Hotolisht në Librazhd përshkallëzuan sot protestat kundër projektit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, që parashikohet të kalojë përmes fshatit duke ndarë komunitetin dhe duke shkatërruar shtëpi e toka bujqësore.

Në protestën e tretë radhazi, ata bllokuan rrugën “Librazhd-Prrenjas” me një arkivol bosh, duke shprehur simbolikisht shqetësimin e tyre për “vdekjen e fshatit” nëse projekti vazhdon siç është planifikuar.

“Hotolishti është gati të përgjigjet, ose ne ose ju,” ishte mesazhi i qartë që shoqëronte protestën, duke reflektuar vendosmërinë e banorëve për të mbrojtur komunitetin e tyre.

“Nuk kundërshtojmë rrugën, por kërkojmë që të mos kalojë mbi jetën tonë, të parët tanë. Përse shteti nuk ka lekë për një tunel 30 metra të gjatë të shpëtonte fshatin?”, u shpreh një nga protestuesit.

Banorët kanë dorëzuar një peticion me 511 firma, duke kërkuar që rruga të devijohet përmes një tuneli ose të kalojë përgjatë lumit Shkumbin, në mënyrë që të shmanget ndarja e fshatit dhe shkatërrimi i banesave. Por deri më sot nuk kanë pasur përgjigje.

Një takim i thirrur më 17 mars me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku ku pritej të shqyrtoheshin pretendimet e banorëve nuk u realizua pasi zyrtarja e lartë nuk u paraqit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka deklaruar se projekti po rishqyrtohet për të minimizuar ndikimin në komunitet, por nga ana tjetër ka theksuar se devijimi i rrugës është teknikisht i vështirë për shkak të terrenit dhe afërsisë me lumin Shkumbin.

Megjithatë, banorët shprehen të pakënaqur nga mungesa e informacionit dhe transparencës deri tani dhe kërkojnë një përgjigje të qartë dhe një zgjidhje që nuk e prek fshatin dhe jetesën e tyre.

Protestat kanë vazhduar prej vitit 2024, kur punimet për rrugën iu afruan fshatit Hotolisht. Banorët janë shprehur kundër që në fillim duke theksuar se nuk janë konsultuar. Për këtë kanë kërkuar zgjidhje alternative duke iu drejtuar institucioneve, nga të cilat deri më sot kanë gjetur shpërfillje.

Segmenti që prek fshatin Hotolisht është faza e tetë e projektit “Elbasan-Qafë Thanë” dhe fillon rreth 140 metra nga kthesa për në vendin e quajtur “Rrethi i Bardhë” dhe përfundon rreth 300 metra nga kthesa për në fshatin Xhyrë. Kompania fituese për këtë segment është “Fusha” shpk, e cila ka lidhur kontratën në korrik të vitit 2024.

Banorët e Hotolishtit vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje që respekton të drejtat e tyre dhe ruan integritetin e komunitetit, duke theksuar se nuk janë kundër zhvillimit, por kërkojnë që ai të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW