Indeksi Vjetor i Lirisë së Shtypit për vitin 2025, i publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), e rendit Shqipërinë në vendin e 80-të, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar kur ndodhej në vendin e 99-të.
Megjithatë, raporti shënon një sërë problematikash që vazhdojnë të rrezikojnë mjedisin mediatik në vend. RSF thekson se pavarësia e medias në Shqipëri ndikohet negativisht nga konfliktet e interesit midis biznesit dhe politikës, kuadri ligjor i dobët dhe organet rregullatore të politizuar.
Raporti nënvizon se shumica e mediave private janë të përqendruara në pak duar me lidhje politike, sidomos në sektorë si ndërtimi.
Ndërkohë, pavarësisht ekzistencës së qindra mediave online, vetëm një pjesë e vogël gëzojnë modele të qëndrueshme financimi dhe transparencë.
“Gazetarët përballen me presion politik, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore”, nënvizon raporti.
Paralelisht kufizimi në aksesin në informacionin shtetëror konsiderohet si një aspekt shqetësues për lirinë e medias.
Sipas raportit vjetor të RSF-së, politikanët shqiptarë shpesh ndikojnë në përmbajtjen editoriale përmes politizimit të institucioneve rregullatore dhe emërimeve në media publike.
Ndërkohë, sulmet ndaj gazetarëve kritikë, nga të dyja palët politike, janë të shpeshta dhe kanë për qëllim diskreditimin e tyre.
“[Gazetarët]… hasin vështirësi në sigurimin e informacionit shtetëror, qasja në të cilin mund të kufizohet edhe më shumë nga një centralizim i fundit i komunikimeve qeveritare”, thuhet më tej në raport.
Raporti gjithashtu pasqyron kritikat e organizatave lokale në Shqipëri, si Safe Journalist Albania dhe Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), të cilët e komentuan ngjitjen në renditje si një aspekt që nuk duhet të përdoret për propagandë, por si një alarm për nevojën e reformave strukturore.
Ndërsa përmirësime janë shënuar në disa fusha si siguria dhe kuadri ligjor – nga vendi 112 (2024) në 70 (2025), apo nga vendi 69 (2024) në vendin 53 (2025) – treguesit politikë dhe ekonomikë vazhdojnë të jenë shqetësues – nga vendi i 110 (2024, pikëzimi 42.27), në vendin e 119 (2025, pikëzimi 38.62).
“Kjo tregon se vendi nuk ka shënuar përmirësime të qenësishme në aspektet strukturore që ndikojnë në një mjedis të favorshëm për gazetari të pavarur dhe të orientuar nga interesi publik”, thuhet në reagimin e Safe Journalist.
Shqipëria ka rënë në renditjen politike dhe ekonomike në nivele që tregojnë një klimë të pasigurt për gazetarinë e lirë. Përmirësimi në kuadrin ligjor është arritur pjesërisht prej “masave për rritjen e sigurisë së gazetarëve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese që mbështeti mbrojtjen e burimeve gazetareske dhe lirinë e shprehjes” në rastin ndaj gazetarit Elton Qyno.
Në një koment për raportin, AGSH ka nënvizuar se “një vështrim i kujdesshëm mbi treguesit tematikë tregon një realitet të turbullt dhe larg përmirësimeve të qëndrueshme”.
Lexoni gjithashtu:
- Çështja Qyno, Kushtetuesja çmon të drejtën e gazetarit për të mbrojtur burimin
- Këshilli i ri Drejtues, organizatat e medias: RTSH rrezikon të kapet politikisht
- Eni Vasili zgjidhet drejtuese e RTSH-së

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.