Citizens.al

“Zëra”, Episodi 1: Ervin Goci analizon komunikimin politik të Veliajt pas arrestimit

Në serinë e parë të sezonit të katërt të podcastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu shqyrton mënyrën se si pushteti komunikon me qytetarët në kohë krizash.

I ftuar është pedagogu i komunikimit Ervin Goci, i cili ndalet në një nga rastet më të forta të komunikimit të centralizuar dhe të personalizuar në politikën shqiptare, atë të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, përpara dhe pas arrestimit të tij.

Podcasti nis me një kronikë të shkurtër që sjell në vëmendje paradoksin e datës 10 shkurt, ku Veliaj shfaqej në mediat sociale “Live!” në një aktivitet në Yzberisht, por që realisht ndodhej në zyrë dhe ndërkohë arrestohej nga Byroja Kombëtare e Hetimit.

Kjo sekuencë shërben si pikënisje për një diskutim më të thellë mbi mënyrën se si komunikimi politik në Shqipëri është zhvendosur nga institucionet publike drejt një spektakolarizimi me vëmendje te titullari si individ politik.

Në analizën e tij Goci e përshkruan realitetin politik shqiptar si një “Squid Game”, ku çdo ditë eliminohet një figurë, ndërsa “loja në dëm të së mirës publike vazhdon”.

“Jemi tërë kohës në një përdhunë ku na duhet të sillemi si normal në një sistem që ka futur 40 vetë në burg,” theksoi ndër të tjera Goci.

Podcastin mund ta ndiqni dhe në Spotify:

Pedagogu i komunikimit flet për mënyrën se si Veliaj ka ndërtuar një komunikim totalisht të personalizuar, ku “puna e bashkisë lidhet tërësisht me ritmin e postimeve të tij në rrjetet sociale”. Ai e përshkruan këtë si një çarje të thellë mes personit fizik, institucionit dhe imazhit të krijuar në rrjet.

Një nga aspektet më të debatueshme që sjell ky episod është përdorimi i rrjeteve sociale si platformë për sulme të drejtpërdrejta ndaj drejtësisë. Mes 10 shkurtit dhe 13 marsit, profili i Veliajt publikoi mbi 30 postime të fokusuara në denigrimin e prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes.

Pasi Apeli la në fuqi masën e arrestit, gjithçka heshti – një zhvendosje që sipas Gocit tregon qartë marrëdhënien strategjike me vëmendjen publike.

Pedagogu i komunikimit përfundon me një reflektim të fortë mbi mungesën e përgjegjësisë institucionale: “Kur është fjala për vëmendje, postime, sukses dhe pushtet, gjithçka i përvetësohet individit. Por kur duhet mbajtur përgjegjësi, këta e mohojnë veten”.

Podcasti “Zëra” sjell në çdo episod zëra kritikë dhe reflektime për shoqërinë shqiptare, me qëllim të nxisë mendim të pavarur dhe dialog publik. Hapësira e këtij podcasti i dedikohet gjithashtu qytetarëve që angazhohen në kauza publike, zëri i të cilëve mbytet ose mpaket nga ngjarjet e shumta politike e sociale, që shpesh nuk e kalojnë kryeqytetin.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW