Citizens.al

“Hotolishti kërkon përgjigje”, banorët në protestë për të katërtën herë

Ilustrim nga protesta e banorëve të Hotolishtit/Citizens.al

Mesditën e së hënës, banorët e Hotolishtit në Librazhd bllokuan sërish rrugën kombëtare Librazhd-Përrenjas në shenjë proteste ndaj projektit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, e cila kalon përmes fshatit të tyre. Kjo është protesta e katërt e organizuar nga komuniteti që prej muajsh kundërshton projektin përmes peticioneve dhe kërkesave për takime me qeverinë.

Përmes disa deklaratave të lexuara për median, banorët ju bënë thirrje institucioneve si: Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatit të Popullit, IKMT-së, Agjencisë së Kadastrës dhe Entit Kombëtar të Banesave të mos heshtin, por të mbajnë përgjegjësi dhe të kthejnë përgjigje.

“Kauza jonë nuk është politike, është ekzistenciale. Bëhet fjalë për shtëpitë, pronat, fëmijët dhe të ardhmen tonë”, u shprehën banorët përmes deklaratës së përbashkët.

Ndërsa ndodhemi në fushatë elektorale, banorët bënë thirrje të mos përdoret shqetësimi I tyre, por bënë apel për zgjidhje.

Pavarësisht përpjekjeve, asnjë institucion shtetëror nuk ka dhënë përgjigje zyrtare lidhur me kërkesat e Hotolishtit. Banorët propozojnë që rruga të vijjë përmes një tuneli ose përgjatë lumit Shkumbin, për të shmangur ndarjen e fshatit dhe shkatërrimin e banesave.

Kësaj here, të pranishëm në terren ishin edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Ata kanë dorëzuar një peticion me 511 firma, përmes së cilit kanë kërkuar gjithashtu që në rast prekjeje të pronave të tyre, të kryhet kompensim me vlerën e tregut. Por deri më sot ata nuk kanë pasur asnjë përgjigje nga autoritetet.

Një takimi i parashikuar për më 17 mars me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ku pritej të diskutoheshin shqetësimet e komunitetit, dështoi pasi ministrja nuk u paraqit. Kjo ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë e banorëve ndaj mungesës së transparencës institucionale.

Protestat e fundit, më 20 dhe 27 prill, u zhvilluan me pankarta dhe thirrje simbolike si “S’jemi rrugë tranzit, por komunitet”. Më 2 maj, banorët vendosën një arkivol në mes të rrugës, si mënyrë simbolike të vdekjes së mundshme të fshatit nëse rruga kombëtare vendoset të kalojë në mes të tij.

Punimet për rrugën “Elbasan-Qafë Thanë” nisën në janar 2023 dhe janë pjesë e Korridorit të VIII, që lidh Durrësin me Varnën në Bullgari. Segmenti që prek Hotolishtin është pjesë e fazës së tetë dhe fillon rreth 140 metra nga kthesa për në vendin e quajtur “Rrethi i Bardhë” dhe përfundon rreth 300 metra nga kthesa për në fshatin Xhyrë.

Kompania fituese për këtë segment është “Fusha” shpk, e cila ka lidhur kontratën në korrik të vitit 2024.

Banorët Hotolishtit këmbëngulin se nuk janë kundër zhvillimit, por kërkojnë që ai të bëhet me respekt për jetesën e tyre dhe integritetin e komunitetit.

Çfarë dimë për rastin e Hotolishtit:

  • Projekti i rrugës Elbasan-Qafë Thanë (50.12 km), parashikohet të kalojë mes fshatit Hotolisht, duke rrezikuar disa banesa dhe parcela bujqësore.
  • Banorët u vunë në dijeni për projektin vetëm kur punimet filluan të afroheshin pranë fshatit.
  • Ata nuk janë informuar se cilat banesa preken konkretisht nga projekti.
  • Ata nuk pajtohen me kompensimin prej 270 euro/m² për shtëpitë, duke e cilësuar të papranueshëm.
  • ARRSH i tha Citizens.al se 25 shtëpi preken nga projekti, por pas presionit të komunitetit, u tha se projekti do të rishikohej.
  • Projekti është pjesë e Korridorit të VIII-të, që lidh Durrësin me Varnën (Bullgari), me punime të nisura që në janar 2023.
  • Segmenti që prek Hotolishtin i përket fazës së tetë.
  • Në total, të teta lotet e projektit kanë një kosto mbi 180 milionë euro, me 11 kompani të angazhuara në ndërtim. Përfundimi pritet brenda vitit 2026.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW