Citizens.al

Humbi jetën në fabrikën e pasurimit të kromit, familja prej 4 ditësh në kërkim të trupit

Ilustrim/Familjarët duke kërkuar për trupin e të afërmit të tyre në Qafë Burrel.

Prej katër ditësh familja Beshiri kërkon në Qafën e Burrelit për trupin e djalit të tyre Ardit Beshiri, i cili mbeti i bllokuar mes dherave teksa po punonte me ekskavator për gërryerjen e një rezervuari. Ata apelojnë për ndihmë nga institucionet.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së shtunë, datë 3 maj, kur Arditi, 29 vjeç, qe paraqitur si zakonisht në fabrikën e Pasurimit të Kromit ku punonte prej pesë vitesh. Por gjërat nuk shkuan mirë për të kur një masiv dherash dhe mbetjesh kromi rrëshqiti duke e marrë për poshtë bashkë me ekskavatorin.

Prej së shtunës familja dhe banorë të zonës kërkojnë për të. Punonjës të bashkisë dhe ushtrisë janë bashkuar për të ndihmuar, por pa sukses.

Babai, Nerim Beshiri, kritikoi mungesën e logjistikës teksa i bëri thirrje qeverisë të ndërhyjë me pajisje të specializuara për kërkim-shpëtimin pasi aktualisht ata po përpiqen ta gjejnë trupin me mjete rrethanore si kazma e lopata.

“Kanë ardhur 6-7 ushtarë vetëm me çizme dhe lopata. Kjo punë nuk bëhet kështu! Na duhen mjete të specializuara apo edhe qenë të trajnuar për kërkime,” tha ai për mediat.

Apeli i babait ka ngjallur reagime në rrjet, ndërsa Qëndresa Qytetare (QQ), një organizatë e shoqërisë civile, e konsideroi të papranueshme reagimin institucional.

Familjarët duke kërkuar për trupin e të afërmit të tyre/Top Channel.

“Apeli i familjes ka rënë në vesh të shurdhër. Grupet e kërkim-shpëtimit pranë Emergjencave Civile duket se janë të angazhuara në fushatë, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës është në drejtim të paditur“, tha Qëndresa në një deklaratë.

QQ i bëri thirrje qeverisë t’i përgjigjet kërkesës së familjes Beshiri, e cila “kërkon vetëm trupin e të birit”. Ajo apeloi gjithashtu Prokurorinë e Dibrës që të hetojë dhe zbardhë rrethanat e plota të aksidentit.

Ky është aksidenti i tretë në sektorin minerar brenda pak muajsh, duke e konfirmuar sërish këtë sektor si një nga më të rrezikshmit në vend. Vetëm në dy vitet e fundit, 64 punëtorë kanë humbur jetën në aksidente pune, kryesisht në këtë sektor apo në kantieret e ndërtimit.

Ndërkohë, policia tha se fabrika e përpunimit të kromit në zonën e Qafës së Burrelit administrohej me qira nga një kompani kineze, e cila sipas Nerim Beshirit është tërhequr nga vendngjarja pas dorëzimit të disa dokumenteve, pa ofruar ndihmë në kërkime.

Për ngjarjen policia ka shoqëruar drejtuesin teknik të kompanisë për shkelje të mundshme të rregullave të sigurisë teknike në punë. Një masë e zakonshme kjo për ngjarje të tilla, ndërkohë që penalitetet mbeten minimale dhe mungesa e reformave e bëjnë sigurinë në punë një çështje ende të pazgjidhur në Shqipëri.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW