Për të dytën herë radhazi, Rama po bën të njëjtin premtim që bëri në fushatën e shkuar – “Shqipëria do të shndërrohet në eksportuese neto të energjisë elektrike në rajon”. Edhe ministri i tij i infrastrukturës, Balluku, përcolli një objektiv të ngjashëm, kur deklaroi pak ditë më parë nga Fieri, se vendi do të shndërrohet në hub të transmetimit të energjisë. Por përtej euforisë elektorale, çështja e të qenit lidership rajonal do të marrë kohë. Arritja e objektivit mbetet një barrë e madhe, shpesh edhe me ndihmën e mitit për burimet e bollshme që i mbivendoset së vërtetës se Shqipëria është një vend i vogël dhe me burime modeste.
Në kontrast me vendet e rajonit, në Shqipëri, tranzicioni i gjelbër vijon të ndjekë të njëjtin itinerar, si më parë. Po tani ka ndërruar korsi: nga hidro në panele diellore dhe në turbina ere. Diga e Skavicës është lënë mënjanë, ndonëse për ndërtimin e saj ishte arritur edhe një marrëveshje me qeverinë amerikane. Ndërkaq, lejet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja janë në rënie.
Trendi i shtimit të kapaciteteve nga dielli dhe era është i ri, por intensiv. Fuqia e paneleve fotovoltaike në 2024, arriti në 10%, krahasuar me fuqinë totale që sigurohet nga burimet e rinovueshme. Pra, për çdo 10MW të instaluar, 1 prej tyre i përket paneleve fotovoltaike. Parku i Karavastasë (140MW) ka filluar prodhimin, ndërkohë që pritet edhe Spitalla (100MW). 700MW prej turbinave të erës janë në proces miratimi.
Investimi po shtrihet në linjat e transmetimit dhe në modernizimin e rrjetit. Lidhja me Italinë, përmes një linje të dedikuar, me financim të mundshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, vlerësohet e rëndësishme për dërgimin e energjisë drejt tregut europian. Nisma ka zgjuar Statkraft, gjigandin e energjive të rinovueshme në Europë, që operon kaskadën e Devollit! Shoqëria po sheh mundësinë për të investuar rreth 1.7 miliard euro në ndërtimin e një rezervuari që do të gjenerojë kapacitete shtesë, përmes një sistemi modern pompimi. Sidoqoftë, priten për t’u parë përfitimet, pasi jo gjithmonë zhvillimi i kapaciteteve të eksportit sjell përfitime në tregun vendas. Për momentin nuk ka të dhëna të tjera dhe palët janë ende në fazën e fisibilitetit.
Por premtimet e mbushura me entuziazëm elektoral nuk ndihmojnë për të kuptuar se çfarë nuk shkon ende me “lidershipin energjitik” të Shqipërisë. Rritja e kapaciteteve instaluese nuk do të thotë rritje a priori të eksporteve energjitike. Kjo për disa arsye. Së pari, vetëm një pjesë e prodhimit kalon në treg të lirë. Pjesa tjetër “i kthehet” Operatorit të Shpërndarjes (OSHE) për konsumatorin vendas dhe siguria energjitike do të kërkojë, gjithmonë, vendosjen e kritereve që garantojnë, në radhë të parë, furnizimin e publikut. Sesi mund të arrihet ekuilibri mes interesave ekonomike dhe interesave sociale, përballë presionit për liberalizimin e tregut, do të mbetet një debat i pashtershëm.
Së dyti, eficenca e energjisë së rinovueshme varet nga vlefshmëria e burimit: nga sasia e ujit, nga orët me diell, apo nga koha e erës. Pranohet se impiantet me lëndë djegëse kanë një faktor më të lartë kapaciteti, krahasuar me impiantet nga burime të rinovueshme. Pra, mund të konkludojmë se prodhimi prej burimeve të rinovueshme nuk ka të njëjtin qëndrueshmëri me impiantet që përdorin burime të tjera, më tradicionale. Kësisoj diversifikimi drejt kategorive të tjera mund të shihet një zgjidhje më e qëndrueshme. Por jo pa rreziqe! Në Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, Shqipëria zotohet se deri në 2030 më shumë se gjysma e konsumit total të energjisë do të jetë nga burime të rinovueshme (Autoritetet kanë njoftuan se do ta ngrenë në 60%). Aktualisht jemi në 35%. A mund të dyfishohet në 5 vjet? Aritmetikisht zgjidhja duket e lehtë, por vështirësohet në praktikë.
Kështu, çdonjëri nga investitorët do të kërkojë më shumë tokë në përdorim, por prodhimin do ta shesë në bursë, sepse kërkon që ta shesë më shtrenjtë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që tokat e pakta (të vendit) do të pakësohen edhe më shumë edhe më shpejt, por ndërkohë, rritja e konsumit të energjisë nga burime të rinovueshme do të ngadalësohet, sepse një pjesë e energjisë do të eksportohet. Pra kemi të bëjmë me veprime kontradiktore: nga njëra anë, nxitje për shndërrimin e vendit në eksportues rajonal, çka do të thotë prodhimin e energjisë për një treg të huaj dhe nga ana tjetër, hartimin e një strategjie që synon rritjen e konsumit të energjisë nga burime të rinovueshme në raport me konsumin total, çka do të thotë prodhimin e energjisë për një treg të brendshëm.
Së treti, rreth 200 kontrata koncesionare që janë nënshkruar në vitet 2008-2009, pritet të dalin gradualisht nga skema e mbështetjes shtetërore drejt tregut të lirë në mandatin e ardhshëm. Kjo sepse do të përfundojë periudha pesëmbëdhjetë vjeçare, kur prodhimi blihej nga OSHE. Në këto rrethana, autoriteteve do t’u duhet të mendojnë furnizime alternative, çka mund të shtojë rritjen e importit.
Turistifikimi i së egrës
Në 8 maj, autoritetet e aeroportit të ri të Vlorës kanë njoftuar uljen e avionit të parë mbi pistën e sapo shtruar, e cila ndodhet brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Për konservuesit e natyrës, operimi i aeroportit do ta dëmtojë përgjithmonë Peizazhin, por edhe Deltën e Vjosës në tërësi, rrjedha e së cilës gëzon statusin e parkut kombëtar, të shpallur përpara dy vjetësh. Por qeveria nuk ka dilema. Jo një, por të tjera aeroporte janë planifikuar të ndërtohen. Një i ri pritet të miratohet në Gjirokastër, më i vogël.
Sipas çdo parashikimi, zhvillimi turistik rriti fluturimet, duke çelur një perspektivë të re në transportin ajror. Në më shumë se një dekadë, numri i pasagjerëve, nga 1.7 milion. (2013) u rrit në 10.7 milionë. (2024) dhe numri i fluturimeve, nga afro 20 mijë (2014), sot, në afro 70 mijë. Megjithëse vendi është angazhuar në arritjen e objektivave të neutralitetit klimatik, institucionet nuk kanë publikuar ende një inventar të shkarkimeve të gazrave serrë në atmosferë, një pjesë e mirë e të cilave janë shtuar prej fluturimeve, të cilat brenda një periudhe të shkurtër, nga disa mijëra kanë shkuar në dhjetëra mijëra.
Por për një vend, kur në 2025, numri i turistëve pritet të arrijë në rreth 15 milionë. zgjerimi infrastrukturës turistike mbetet një vendimmarrje e padiskutueshme. Dy porte të reja të mëdha, i pari në Porto Romano (Durrës) dhe i dyti në Triport (Vlorë), të shoqëruara nga 20 marina turistike, përgjatë vijës bregore, janë planifikuar për të filluar operimin brenda 2030. Një bazë ushtarake detare e NATOS, pranë Porto Romanos, është vendosur gjithashtu të ndërtohet, çka i jep investimeve dhe korridoreve ekonomike sigurinë e nevojshme.
Aeroporti brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë ka nxitur një tjetër master-plani zhvillimi. Plani u prezantua javën e shkuar, në Fier, nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, pa praninë e administratës së zonave të mbrojtura. Balluku njoftoi ndërtimin e hoteleve me pesë yje, fushave të golfit, si dhe të sallave teatrore, përgjatë një plazhi 21 kilometra të gjatë, saktësisht mes grykëderdhjeve së dy lumenjve: Semanit dhe Vjosës.
Ndërkaq, qeveria ka riaktivizuar idenë për të miratuar një tjetër park fotovoltatik (100MW) brenda të njëjtit peizazhi të mbrojtur, pranë aeroportit. Ende nuk janë njoftuar procedurat ligjore për realizimin e këtij shërbimi. Por nuk përfundon me kaq! Në shkurt të 2024, ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura sollën rënien e zonimeve për kategorinë e Peizazheve. Por ende pa u mbyllur viti hyri në fuqi një tjetër zonim, i cili nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), do të kontrollonte aktivitetet dhe shërbimet mjedisore në një rreze prej 15 km nga pista e aeroportit; paradoksalisht, jo për të mbrojtur jetën e egër, por për të siguruar hapësirën qiellore rreth aeroportit, në mënyrë që të garantohej siguria e fluturimeve të avionëve.
Ngjyrat e fushatës janë gjithmonë të ndezura. Premtimet elektorale shërbejnë për krijimin e një imazhi tërheqës dhe ndoshta jo gjithçka do të mbijetojë në 4-vjeçarin e ardhshëm të qeverisjes, por edhe sikur gjysma e këtyre premtimeve të zbatohej, natyra dhe burimet e vendit do të vuanin mjaftueshëm që çdonjëri të shqetësohej seriozisht!
Tabela e mëposhtëme tregon se çfarë premton për mjedisin, klimën dhe energjinë,
secila prej partive politike. Ndonëse modeste në kapacitete dhe pjesëmarrëse për herë të parë
në një fushatë zgjedhore kombëtare, në përpjekje për të adresuar krizën e burimeve në
qeverisjen e ardhshme, partitë e reja i kanë dedikuar çështjes mjedisore një kapitull në
programet elektorale.
Në vijim, më poshtë paraqesim një vlerësim për programet mjedisore të prezantuara nga partitë elektorale, përmes analizës së tre ekspertëve të shkencës mjedisore. Përposh një vlerësimi të përgjithshëm, ekspertëve iu kërkua të shpjegonin dallimet dhe ngjashmëritë mes programeve të gjelbra të “Zgjedhjet 2025”.

Gjergji Simaku, ekspert i pavarur për energjinë
Asnjë nga partitë nuk e kupton se mjedisi dhe energjia janë dy institucione pa lidhje organike. Programet nuk sjellin asgjë të re. Të gjitha mbështesin energjinë e rinovueshme, pra, vetëm prodhimin. Por ndërkohë, çështje si tregu dhe eficenca e energjisë mbeten të pa artikuluara. Asgjë kundër termocentraleve, apo procesit të gazifikimit, të cilat ushqehen me lëndë djegëse (fosile).
Asnjë prej partive nuk ka objektiva konkrete për reduktimin e karbonit Partitë nënvlerësojnë objektivat ligjore të Klimes (-20.9% GHG/2030) dhe të Energjisë (54.4% BRE-E/2030, ligj 24/2023).

Zamir Dedej, ekspert mjedisi
Programet janë të vakëta dhe me ide të konsumuara. Mungojnë llogaritjet për kostot shtesë për të siguruar qëndrueshmërinë e burimeve. Palët bien dakord për të investuar në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme.
Ndryshimet vihen re tek përqasja e politikave, ku partia në pushtet i sheh reformat e ndërmarra dhe vijueshmërinë e tyre një proces pozitiv, ndërsa pjesa tjetër, në sprapsjen e disa prej vendimeve të marra, kryesisht për organizimin e shërbimit pyjor, ligjin e zonave të mbrojtura etj. Neutraliteti klimatik trajtohet pak, ose aspak.

Ani Bajrami, Prof. Ani Bajrami, antropologe nё Universitetin e Tiranës
Dallimi mes (dy) partive të mëdha dhe partive të reja, është se të rejat kërkojnë të forcojnë rolin e shtetit, qëndrim që është më i theksuar te programi i “Lëvizja Bashkë”, e cila premton abrogimin e ligjit të zonave të mbrojtura dhe të ligjit për investimet strategjike. Nga ana tjetër, zhvillimi i transportit ajror në ekosisteme me vlera të jashtëzakonshme natyrore (PS), turistifikimi dhe zvogëlimi (PD), deri në heqjen e taksës së karbonit (Koalicioni Euroatlantik), bie ndesh me objektivat e neutralitetit klimatik.
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.