Autor: Isa Myzyraj
Pak metra larg “Bulevardit të Ri” të Tiranës ndodhet lagjja “Bregu i Lumit”, një zonë që strehon qindra familje nga komunitetet rom dhe egjiptian. Mes rrugicave të ngushta pa emër, ku ndriçimi mungon dhe pluhuri është pjesë e përditshmërisë, jeta është e pasigurt dhe mbijetesa varet nga mbledhja e shisheve plastike dhe kanoçeve.
Në një pasdite të prillit, dy javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Tani*, 21 vjeç, Mario* 28, dhe Beni*, 63, ndanë shqetësimet e tyre për një realitet të papërmirësuar prej dekadash: premtime politike pa zbatim dhe diskriminim të përditshëm.
“Kam qenë me PD-në, tani jam me atë që më thotë s’do t’u prishim shtëpitë dhe do t’ju japim banesa të reja,” thotë Tani, i paarsimuar, por që megjithatë flet qartë për problemet dhe mungesën e zgjidhjeve që ka përjetuar komuniteti i tij ndër vite.
Ai thekson se paragjykimi dhe racizmi tashmë është zhvendosur edhe në hapësirën online për një gjendje që duket e padurueshme. “Jemi përjashtuar edhe nga fjalori publik, jo vetëm nga vendimmarrja,” thekson Tani.
Beni, shprehet më i prerë përballë pyetjeve rreth zgjedhjeve. “Kushdo të fitojë, unë jetoj me kanoçe,” thotë ai teksa drejton gishtin nga thasët e mëdhenj me mbetjet e mbledhura për t’u ricikluar.

“Varfëri e instrumentalizuar”
Komuniteti rom dhe egjiptian përbën një nga grupet më të margjinalizuara në Shqipëri, por edhe më të nënpërfaqësuar.
Sipas të dhënave të INSTAT, ata përbëjnë përkatësisht 12.4% dhe 9.8% të minoriteteve në vend. Megjithatë, në tri dekada pluralizëm, përfaqësimi politik i tyre ka qenë minimal.
Gjatë gjithë kësaj kohe ata kanë qenë thuajse të padukshëm në politikën kombëtare. Vetëm në vitin 2019, Ervis Meçe arriti të hynte në parlament në një mandat zëvendësues.
Brejdon Xhavara nga Community Reporters Albania – organizatë që advokon të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian – shprehet se problemi nuk qëndron vetëm tek përfaqësimi, por tek mungesa e vullnetit politik.
“Ka ende shkolla ku ndodh segregim, ka ende diskriminim në punësim, në rrugë dhe në çdo aspekt të jetës. Nuk është vetëm mungesë përfaqësimi, është mungesë e vullnetit politik për t’i trajtuar këto çështje seriozisht”, shprehet Xhavara.

Sipas Xhavarës përpjekjet e deritanishme të politikës kanë qenë më shumë fasadë se sa zgjidhje reale.
“Që nga viti 2013, e këtej, janë hartuar plane kombëtare dhe shtatë bashki kanë miratuar plane lokale për romët dhe egjiptianët. Por këto plane nuk janë zbatuar në mënyrë efektive”, thotë ai.
Ai shton se investimet për këtë komunitet aktivizohen zakonisht gjatë fushatave elektorale, por nuk kanë pasur ndikim real dhe të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme.
Gentian Sejrani, avokat dhe përfaqësues i organizatës “Drejtësi Sociale”, thotë se mungesa e përfaqësimit është simptomë e një problemi të thellë strukturor.
“Asnjë nga partitë politike nuk ka program konkret për minoritetet rome dhe egjiptiane”, shprehet Sejrani, duke shtuar se qasja është ose përmes individëve që përdoren si makineri votash, ose përmes blerjes së votës.
“Kjo nuk është përfaqësim, është instrumentalizim i varfërisë”, thotë ai.

“Premtime që nuk e gjejnë rrugën në lagje”
“Na kanë dhënë makarona, miell, edhe para për votë. Por ne duam siguri dhe një jetë të denjë,” thotë Mario, i shqetësuar për shembjen e mundshme të shtëpisë së tij nga zgjerimi i bulevardit.
“Nuk na duhen më 10 mijë lekë, duam të na dëgjojnë!”, thekson Mario.
Problemet e komunitetit janë anashkaluar nga partitë politike ndër vite. Brejdon Xhavara analizon se si qeveri të ndryshme kanë injoruar në vazhdimësi këto komunitete, duke bërë që situata të mos ndryshojë.
“Një rast emblemë është ai i shembjeve të banesave në Bregun e Lumit. Asnjë parti politike nuk mori përsipër të mbronte këta njerëz”, kujton Xhavara.
Po ashtu ai përmend vitin 2013, kur në krye të bashkisë asokohe ishte Lulzim Basha me Partinë Demokratike.
“Banorët protestonin përballë bashkisë, por nuk u mor asnjë përgjigje. Më vonë, me ardhjen e Erion Veliajt, sërish nuk pati zgjidhje sistemike, vetëm një vendim i vonuar nga ministria e Financave, jashtë një politike të mirëfilltë gjithëpërfshirëse”, u shpreh Xhavarra.
Çfarë thonë partitë në programet e tyre?
Një analizë e programeve të partive në zgjedhjet e 2025 tregon për mungesën e theksuar të politikave specifike për komunitetet rome dhe egjiptiane. Përjashtim bën vetëm “Lëvizja Bashkë”, që ofron një program të strukturuar me fokus në legalizimin e pronës, strehimin, arsimin dhe punësimin.
Edhe Xhavara pohon se nga të gjitha partitë që ka ndjekur në rrjetet sociale dhe në mediat kryesore, “e vetmja që ka paraqitur një program relativisht të strukturuar për komunitetet rome dhe egjiptiane është Lëvizja Bashkë. Por edhe në këtë rast nuk flasim për një program të plotë.”
Ndërkohë, Partia Socialiste ka përmendur në fjalime ndihma si bursa dhe kandidaturën e Ina Majkos – aktiviste e të drejtave të këtij komuniteti – por dokumenti zyrtar nuk përmban kapitull të dedikuar. Partia Demokratike dhe forcat e reja politike nuk kanë asnjë referencë për këto komunitete në programet e tyre.
Në fushatë Rama ka përmendur ofrimin e 3,500 bursave për nxënësit nga këto komunitete, si dhe kandidatura e Majkos si vajza e parë rome në listë për deputete. Por programi në faqen zyrtare të partisë 2024–2030 nuk ka kapitull specifik për komunitetet.
PD nuk ka bërë publik ndonjë program për këtë çështje ndërsa “Mundësia” e Agron Shehajt apo “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, nuk përmbajnë asnjë referencë për këto komunitete në programet e tyre që janë të publikuara në faqet zyrtare.
Xhavarra pajtohet me Sejrani në mendimin se asnjë prej partive nuk e ka marrë seriozisht ndihmën për komunitetet.
“Qasja e partive politike ndaj këtyre minoriteteve në fushatë elektorale është ose nëpërmjet personave (makineri votash) që më së shumti janë individe që shohin interesin e tyre personal ose nëpërmjet marrjes së votes nëpermjet parave ose presionit”, thotë Serjani.
*Tani, Mario dhe Beni janë emra fiktiv që janë përdorur për të mos zbuluar identitetin e personave, pasi nuk pranuan të identifikoheshin me emra realë.
Lexoni gjithashtu: