“Vetëm kur institucionet janë demokratike dhe përfaqësojnë të gjitha grupet në shoqëri, gratë po aq sa burrat, pakicat po aq sa shumicat, të privuarit nga të drejtat po aq sa të pasurit, atëherë është e mundur të arrihet paqe e qëndrueshme dhe begati kombëtare,” citon Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në parlamentin aktual të Shqipërisë, 50 nga 140 deputetë janë gra. Vetëm tetë nga 61 bashki drejtohen nga një grua, ndërsa 42.2% e këshilltarëve bashkiakë janë gra.
Në fushatën elektorale që tashmë ka nisur, figura e gruas përdoret shpesh si element retorik për të tërhequr vota. “Unë pa gruan time jam ndërtim pa leje,” deklaroi kryeministri Edi Rama në një takim në Lezhë. Ndërsa Dashamir Shehi nga koalicioni Djathtas për Zhvillim premtoi për gratë dhe vajzat një orar pune prej vetëm gjashtë orësh me pagesë të plotë, në rast fitoreje.
Por sa zgjidhje reale ofrojnë programet politike për barazinë dhe dhunën me bazë gjinore?
Citizens.al ka monitoruar nëse partitë e reja (Lëvizja Bashkë, Mundësia, Nisma Shqipëria Bëhet) dhe disa nga partitë e tjera kryesore (Partia Socialiste, Partia Demokratike, Koalicioni EuroAtlantik, Djathtas për Zhvillim, Aleanca Kombëtare Shqiptare) kanë kapituj të dedikuar për këto çështje.
Nga monitorimi rezulton se vetëm dy parti — Lëvizja Bashkë dhe Partia Socialiste — kanë një ndarje të qartë në programin politik për barazinë gjinore. EuroAtlantikët e përfshijnë çështjen gjinore në një kategori më të gjerë: “Familja, Gruaja, Pensionet dhe Ndihma Sociale”, me sloganin “Gruaja meriton më shumë”.
Nga ana tjetër, Mundësia dhe Nisma Shqipëria Bëhet nuk kanë kapituj të dedikuar, por përfaqësuesit e tyre theksuan përkatësisht se gratë nuk duhet të viktimizohen dhe se shoqërisë i duhen të drejta të barabarta pa i trajtuar gratë si kategori e veçantë.
Partia Demokratike shpjegoi se ndonëse në versionin online të programit nuk shfaqet si kapitull më vete, programi i plotë për gratë titullohet: “Gratë – Forca e Fshehur që do ta Bëjë Shqipërinë Madhështore”, si shenjë e vullnetit politik për të trajtuar çështjet gjinore.
Ndërsa Aleanca Kombëtare Shqiptare, e vetmja parti e drejtuar nga një grua, Elena Kocaqi, nuk ka kapitull të veçantë për barazinë gjinore. Djathtas për Zhvillim ende nuk ka publikuar një program online.
Partitë e vjetra në korrigjim të së shkuarës, të rejat me synimin për gjithëpërfshirje
“Është shqetësuese që pak parti e kanë në program barazinë gjinore. Kjo tregon prapambetjen në shoqëri. Diskursi politik është aq banal saqë as për sy e faqe nuk i konsideron gratë. Nuk e shohin të rëndësishme të thonë diçka për gjendjen e gruas në Shqipëri!” — tha Bora Mema, përfaqësuese e Lëvizjes Bashkë.
Kjo parti ka trajtuar çështje si martesat e hershme, aborti selektiv, punësimi më i ulët i grave (58,9% kundrejt 71,3% për burrat) dhe pjesëmarrjen e grave pa pagesë në bizneset familjare (23,5% ndaj 13,2% për burrat). Po ashtu, ka listuar sugjerime për parandalimin e dhunës dhe programe rehabilituese.
Dorina Prethi, nënkryetare e Nisma Shqipëria Bëhet, tha se gruaja në programin e partisë është parë në kontekstin e familjes dhe synimi është mbështetja e zhvillimit të grave përmes arsimit dhe punësimit.
Nga ana tjetër, Partia Mundësia identifikon katër shtylla për barazinë gjinore: përfaqësimi në vendimmarrje, pavarësia ekonomike, adresimi i dhunës dhe ndryshimi i mentalitetit.
“Vetë përfaqësimi im si nënkryetare është dëshmi: nuk jam këtu sepse jam grua, por sepse jam e zonja në atë që bëj,” tha Barbara Doda. Ajo theksoi se 42% e listës së kandidatëve të partisë janë gra.
Floriana Garo, përfaqësuese e PD-së, tha se programi i ri është reflektim dhe korrigjim i së kaluarës dhe se barazia gjinore nuk kufizohet më në kuota, por përfshin masa konkrete sociale dhe ekonomike.
Partia Socialiste përmend zgjerimin e shërbimeve sociale, përfshirë një qendër kombëtare për viktimat e dhunës në Tiranë që strehon rreth 30 gra — një kapacitet i pamjaftueshëm që shpesh mbulohet nga strehëzat e OJQ-ve.
Ndihma sociale për këto gra është trefishuar, nga 3 mijë në 9 mijë lekë, por përsëri nuk mbulon minimumin jetik. PS nuk ka komentuar më tej mbi këto çështje.
Ekspertët: Barazia gjinore, domosdoshmëri në programet politike
Edlira Çepani, eksperte e çështjeve gjinore, theksoi se partitë duhet të kenë plane të qarta për të adresuar problematikat që përballin gratë. Ajo përmendi disa raste pozitive si bashkëkryesimi gjinor në PS, financimet për gratë në Partinë e Lirisë, dhe përfaqësimin më të madh të grave në listat e Aleancës Kombëtare Shqiptare.
“Mund të duket sikur përpjekjet për barazi gjinore, janë të tejkaluara duke qenë se jetojmë në vitin 2025, por nga realiteti edhe politik edhe shoqëror, si dhe nga eksperienca në këtë fushë, është e qartë që, kushdo që e mendon një gjë të tillë, nuk e njeh mirë as politikën, as realitetin shqiptar” – thotë Çepani.
Çepani shtoi se kuotat gjinore nuk janë përjashtim, por rregull për të dy gjinitë dhe duhen ruajtur derisa përfaqësimi natyral të arrijë balancën 50-50%.
Dea Nini, avokate dhe aktiviste e Kolektivit Feminist, paraqiti kërkesa të cilat mungojnë në programet politike: njohja ligjore e martesave të të njëjtës gjini, ndalimi i ndërhyrjeve mjekësore të panevojshme mbi fëmijët interseks, dekriminalizimi i punës së seksit dhe garantimi i të drejtave për punëtoret e seksit.
“Çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut, sidomos ato që prekin personat LGBTI+, janë thuajse të munguara në programet politike. Vetëm dy programe i përmendin pjesërisht këto çështje,” tha Nini.
Pavarësisht retorikës së fushatës, programet politike tregojnë qartë se barazia gjinore dhe çështjet e të drejtave të grave mbeten ende periferike. Përfaqësimi simbolik nuk mjafton. Politikat publike dhe angazhimet konkrete janë të vetmet që mund të prodhojnë ndryshim të qëndrueshëm.
Lexoni gjithashtu:
- Çfarë na thonë sloganet këto zgjedhje?
- Dezinformimi në fushatë zgjedhore
- Majtas apo djathtas, ku qëndrojnë partitë?

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.