Citizens.al

“Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës

Protesta përpara Gjykatës së Lartë, kundër aeroportit të Vlorës

Aktivistë mjedisorë dhe qytetarë protestuan sot para Gjykatës së Lartë për zvarritjen e procesit gjyqësor në lidhje me Aeroportin e Vlorës. Prej më shumë se një viti kjo gjykatë nuk ka zbardhur vendimin për rikthimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Apelit, zvarritje që sipas aktivistëve ka favorizuar vijimin e punimeve në zonën e mbrojtur.

Protesta, e thirrur nga qendra “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri” (PPNEA), vjen një ditë para se në Aeroportin e Vlorës të zhvillohet një fluturim testues për pistën.

“Nesër do të zhvillohet një farsë ku do të ulet një avion për ‘show’, si ato ‘show’-të që jemi mësuar tashmë prej disa vitesh. Nesër do zhvillohet një farsë e mosdëgjimit,” tha Aleksandër Trajce, Drejtori ekzekutiv i PPNEA-së.

Aktivistët pretendojnë se Gjykata e Lartë e ka vonuar qëllimisht procesin për të lehtësuar përfundimin e punimeve të aeroportit, që përkon edhe me periudhë zgjedhore. Vetë ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku, është shprehur se me datë 8 maj do të realizohet ulja e parë provë në pistën e aeroportit.

Në një përgjigje me shkrim, Gjykata e Lartë tha për Citizens.al se vendimi nuk është zbardhur për shkak të ngarkesës.

“[Duke]… marrë në konsideratë ngarkesën e gjyqtares relatore [Arbena Ahmeti], aktualisht jemi në pritje të përfundimit të arsyetimit të tij. Sapo të përfundojë, Gjykata do ta publikojë vendimin në përputhje me procedurat e parashikuara,” tha Ida Vodica-Laska nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata e Lartë është e vetëdijshme për rëndësinë e çështjes dhe sikundër për çdo rast tjetër, garanton trajtimin e saj në përputhje me përgjegjësinë institucionale,” theksoi Vodica-Laska.

Trajçe tha se protesta po zhvillohet në dyert e gjykatës dhe jo në aeroport sepse reagimi për zhbllokimin e çështjes në terma gjyqësor pritet nga ky institucion.

“Ne kemi të gjithë të drejtën, të besojmë që njësoj si autoritetet, gjykatat po zgjedhin vetë si të sillen me këtë çështje,” tha Zydjon Vorpsi, menaxher projekti pranë PPNEA.

Projekti është kundërshtuar nga organizata dhe konventa ndërkombëtare si ajo e Bernës, e cila është shprehur tre herë kundër ndërtimit të aeroportit në zonë të mbrojtur.

“Ne po flasim këtu edhe për kafshët, për ato që nuk kanë zë të flasin. Ato nuk kanë zë të protestojnë, që po i merret toka, po i merret shtëpia e tyre, ushqimi i tyre etj-etj. Mos duhet të presim sa të zhduken këto kafshë dhe pastaj të jepet vendimi!” u shpreh Xhemal Xherri.

Aeroporti i Vlorës prek zonën Vjosë-Nartë që sipas ligjit 81/2017 ka statusin “Peizazh i Mbrojtur”, kategoria e pestë.

Më 26 nëntor të vitit 2022 u mor vendimi i ndryshimit të sipërfaqes së kësaj zone dhe krijimi i një zonë të re, të quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”, një territor i krijuar nga bashkimi i dy njësive të mëparshme: Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror Pishë Poro. Një territor prej 310 ha u hoq nga zona e mbrojtur.

Laguna e Nartës dhe zonat rreth saj, përbëjnë një sipërfaqe prej 19 mijë hektarësh, çka e bën zonën më të madhe dhe të rëndësishme për ekosistemit e ligatinave jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë zonën e Mesdheut, e njohur si një zonë kyçe e biodiversitetit ku janë vënë re mbi 200 lloje shpendësh, si pelikani e flamengo.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW