Autore: Klesjana Omeri
Në një demokraci funksionale, roli i medias gjatë fushatave zgjedhore është i pazëvendësueshëm: ajo filtron premtimet elektorale, analizat dhe përplasjet politike për publikun.
Por në Shqipëri, para çdo procesi zgjedhor, shtrohen pyetje mbi mënyrën se si media ushtron këtë rol, nëse siguron transparencë, apo bëhet pjesë aktive e garës, duke ndikuar në rrjedhën e saj.
Për zgjedhjet e 11 majit, Citizens ka monitoruar për tre javë (1–20 prill) edicionet informative të tre televizioneve kombëtare: Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus.
Të dhënat janë të qarta: mbi 80% e kohës editoriale të lajmeve i është kushtuar Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, dhe figurave kryesore të politikës shqiptare: Edi Rama dhe Sali Berisha. Dominimi i ekraneve prej tyre ka qenë i theksuar, por edhe brenda këtij “dueti”, ndarja e minutazhit në televizionet kombëtare ka qenë e pabarabartë.
PS ka dominuar hapësirat në të gjitha edicionet informative duke zënë 35-42% të kohës, ndërsa PD ka pasur një mbulim më të ulët 26-31%.
Ngjashëm, sa i përket figurave të partive, Rama ka dominuar në të treja televizionet duke qenë më i pranishëm në Top Channel (23.08%) ndërsa Berisha në Vizion Plus (12.6%).
Ky përqendrim bie ndesh me Nenin 84 të Kodit Zgjedhor, që kërkon shpërndarje të balancuar të kohës televizive për partitë me mbi 20% të mandateve.
Pyetur për këtë çështje, gazetari dhe pedagogu Lutfi Dervishi vë në dukje se fushata është transformuar në një garë personalitetesh, të cilat synojnë të riformësojnë opinionin publik.
“Në këtë mënyrë, zgjedhjet nuk janë më një proces reflektimi mbi programet, por një ‘reality-show’ me protagonistë të përhershëm,” thotë Dervishi.

Partitë dhe kandidatët e rinj “strehohen” në rrjetet sociale
Partitë e reja dhe kandidatët e rinj rezultojnë “të padukshëm” në edicionet informative të tre televizioneve më të mëdha në vend. Nga analizimi i të dhënave, këto subjekte kanë marrë 1% të minutazhit në edicionet informative.
Në këto kushte, shumica prej tyre kanë riformatuar fushatën në platformat sociale.
Gerti Metani, kandidat për deputet i Partisë Socialdemokrate, dhe Edona Haklaj kandidate e koalicionit “Nisma, Shqipëria Bëhet”, janë mjaft aktivë në rrjetet sociale, e sidomos në Instagram, duke e konsideruar si aplikacionin kryesor për të komunikuar me zgjedhësit.
Për Citizens, tregojnë se si po ndikon kjo metodologji në fushatën e tyre, shumë larg tradicionales.
“E vërteta është që kjo ndikon në perceptimin publik, duke e vështirësuar për kandidatët alternativë të shfaqin programin apo të arrijnë audienca të gjera në të njëjtën mënyrë,” thotë Metani.
“Televizionet shpesh shërbejnë si burimi kryesor i informacionit për një pjesë të mirë të popullsisë dhe, kur hapësira shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, krijohet një perceptim sikur vetëm partitë e mëdha kanë zgjidhje për vendin,” thotë Haklaj.
Sipas saj qytetarëve i mohohet mundësia të dëgjojnë zëra të rinj, ide të reja dhe alternativa jashtë sistemit të vjetër.
Drejtori i “Qëndresës Qytetare”, Rigels Xhemollari thotë se aktiviteti në rrjetet sociale mund të jetë edhe në favor të këtyre kandidatëve. Sipas tij këto zgjedhje mund të jenë të fundit që televizioni të ketë peshë në garat elektroale.
“Partitë e reja kanë shansin të përdorin në masë rrjetet sociale, formë që mund të jetë efikase, për ta përdorur si balancues të faktit që s’kanë hapësirë në ekranet kombëtare. Gjithsesi, ka më shumë lodhje dhe sakrificë,” thotë Xhemollari për Citizens.
Media si “treg”
Media është kthyer dhe në hapësirë tregu. Disa redaksi lajmesh kanë ofruar çmime për hapësirë televizive gjatë fushatës, një praktikë që rrezikon të zhbëjë parimin bazë të informimit të paanshëm.
Çdo minutë në ekran ka çmimin e vetë, dhe shifrat qe televizionet u ofrojnë partive për promovim nuk janë më një sekret, por një praktikë e pranuar dhe e normalizuar.
Syri TV, për shembull, ka publikuar tarifa të qarta për secilin kandidat, duke e shndërruar fushatën në një garë jo vetëm për vota, por edhe për pagesa.
Çmimet variojnë nga 4 mijë euro për 10-15 minuta në emision mëngjesi, deri në 8 mijë euro në emision “prime time”. Sipas Lutfi Dervishit ky fenomen dobëson rolin e votuesit.
“Media që nuk hulumton, nuk i sfidon kandidatët, por i amplifikon,” thekson Dervishi, sipas së cilit vakumi i informimit i dobëson qytetarët si votues duke i ekspozuar ndaj manipulimeve.
“Procesi zgjedhor, në këto kushte, rrezikon të jetë një ritual i zbrazët, ku zgjedhja nuk bazohet në njohuri, por në perceptime të manipuluara”, thotë ai.
Në kushtet kur çdo fjalë kushton dhe barazia në garën elektorale nuk është më një realitet.
Ku qëndrojnë gazetarët?
Në një fushatë zgjedhore ku partitë çojnë materiale të gatshme dhe linjat editoriale janë të përcaktuara, gazetarët që mbulojnë çështjet politike shpesh gjenden përballë një sfide të heshtur: të informosh drejt një realitet të shtrembëruar.
Pa kohë për të verifikuar premtimet elektorale apo për të bërë analiza të thelluara, gazetarët shndërrohen në një “postier” të mesazheve politike.
Këtë e tregon dhe rezultati i monitorimit të edicioneve informative, që nuk nxjerr asnjë analizë të thelluar, investigim apo verifikim të premtimeve që partitë politike bëjnë pa kursim.
Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha tregon se në shumë pak raste i ka ndjekur në terren aktivitetet elektorale të partive.
“Ka qenë një dakordësi mes të dyja palëve, si nga ana e drejtuesve të televizionit, por edhe meje si gazetar që kryesisht mbuloj zhvillimet e kampit opozitar,” thotë Hoxha për Citizens.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku thotë se ngarkesa e madhe e materialeve që duhet të përgatisin për transmetim lë pak kohë për të bërë thellim të çështjeve që diskutohen.
“Janë me dhjetëra kronika televizive që duhet të përgatiten gjatë ditës. Jemi të kufizuar për të bërë thellime të ngjarjeve,” thotë ndër të tjera.
Problemet me të cilat përballen gazetarët në fushatën zgjedhore, për të disatën herë janë evidentuar dhe nga OSBE/ODHIR. Në raportin paraprak nënvizohen ndërhyrjet në pavarësinë editoriale dhe vetëcensura.
“Mungesa e qëndrueshmërisë financiare për shumë media, e shkaktuar nga rënia e të ardhurave nga reklamat dhe modelet alternative të biznesit të pazhvilluara, ndikon në pavarësinë dhe diversitetin e medias dhe raportimit,” thuhet në raport.
Kur mediat kryesore zgjedhin të amplifikojnë vetëm të njëjtët zëra, ato jo vetëm deformojnë garën politike, por edhe besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Nëse votuesit informohen vetëm për një pjesë të garës, atëherë vetë zgjedhjet rrezikojnë të mos jenë më një akt i lirë, por një formalitet me rezultate të parashikueshme.
Lexoni gjithashtu: