Citizens.al

Kur natyra përballet me betonin: Çmimi i lartë i Aeroportit të Vlorës

Ilustrim grafik i pritjes së Behgjet Pacollit nga Edi Rama në Aeroportin e Vlorës.

Në Akërni të Vlorës, mes grykëderdhjes së Vjosës dhe lagunës së Nartës, aty ku tingujt e natyrës kryqëzohen me rrugët migratore të shpendëve, sot u ulën dy avionë.

Prej më shumë se dy vitesh, përballjet mbi shkeljet në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës janë zhvilluar jo vetëm në sallat e gjyqit, por edhe në hapësirat publike dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Që nga padia e parë në vitin 2022 nga qendra “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri” (PPNEA) dhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), mbështetur nga EuroNatur, kundër koncesionit të qeverisë, e deri te ndërhyrja e Gjykatës së Lartë që ende nuk ka zbardhur vendimin e saj më shumë se një vit pas dhënies, saga e këtij projekti është kthyer në kauzë kryesore të mbrojtjes së trashëgimisë natyrore në Shqipëri.

Ndërtimi i nisur pa leje të plotë, procedurat e paqarta të tenderimit, dhe lidhjet me projekte për resorte të mëdha rreth zonës kanë ngjallur shqetësime serioze për të ardhmen.

Mjedisorët paralajmërojnë pasoja të rënda në biodiversitet me dëme direkte për shpendët migratorë dhe në ekosistemin e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare.

Bashkia e Mynihut nuk e rinovoi bashkëpunimin me aeroportin e Vlorës, ndërsa përplasja e mëhershme për tjetërsimin e zonës së Divjakë-Karavastasë tregon se kjo histori nuk është vetëm për aeroportin, por për vizionin urban të tërë zonës së bregdetit.

Në horizont ndërhyrje të tjera parashikohen në Sazan, Zvërnec, Darëzezë dhe sërish në Divjakë-Karavasta, pjesët kryesore të të cilave janë zona të mbrojtura.

Dy avionët që u ulën sot në Aeroportin e Vlorës, me një prej të cilit udhëtoi Pacolli.

Kalvari i çështjeve gjyqësore

Nëntor 2022 – Me mbështetje të organizatës ndërkombëtare EuroNatur, PPNEA dhe AOS paditën qeverinë në Gjykatën Administrative. Përmes studios ligjore “Meçi” dhe qendrës “Res Publica” ata kërkuan pezullimin e punimeve, anulimin e koncesionit, shfuqizimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit lëshuar nga KKT-ja dhe ministria e Infrastrukturës si dhe shfuqizimin e vendimeve të ministrisë së Mjedisit dhe AKBN-së dhënë në favor të projektit.

Dhjetor 2022 – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë nuk i legjitimoi organizatat mjedisore si palë për të nisur procesin gjyqësor. Ajo arsyetoi se organizatat nuk mund t’i ngrenë padi akteve administrative dhe për rrjedhojë vendosi të mos e vijojë shqyrtimin e çështjes. Vendimi u apelua.

Qershor 2023 – Gjykata e Apelit i konsideroi palë legjitime organizatat mjedisore, por gjykoi se nuk ka kompetencë për të shqyrtuar ajo çështjen dhe vendosi kthimin e çështjes për gjykim në Shkallën e Parë me trup tjetër gjykues. Organizatat bënë rekurs në Gjykatë të Lartë.

Mars 2024 – Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me trupë gjykuese Enkelejda Metaliaj-Softa, Asim Vokshi dhe Arbena Ahmeti, prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit duke e dërguar çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me të njëjtën trupë gjykuese.

Në një përgjigje me shkrim, Gjykata e Lartë tha për Citizens.al se vendimi nuk është zbardhur ende pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit. 

“[Duke]… marrë në konsideratë ngarkesën e gjyqtares relatore [Arbena Ahmeti], aktualisht jemi në pritje të përfundimit të arsyetimit të tij. Sapo të përfundojë, Gjykata do ta publikojë vendimin në përputhje me procedurat e parashikuara,” tha Ida Vodica-Laska nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata e Lartë është e vetëdijshme për rëndësinë e çëshjes dhe sikundër për çdo rast tjetër, garanton trajtimin e saj në përputhje me përgjegjësinë institucionale,” theksoi Vodica-Laska.

Master-Plani i Aeroportit të Vlorës ku bie në sy zhvillimi masiv me ndërtime në zonën mes Hidrovorit dhe grykëderdhjes së Vjosës.

Turqi, Itali, Kosovë – Historia e projektit

Aeroporti i Vlorës është një ide e hershme e qeverisë Rama, e cila që në fillim u shoqërua me dritëhije ndikimesh dhe favorizimesh politike nga Turqia.

Zyrtarisht për këtë ide u mësua në tetor 2017 kur ministria e Infrastrukturës shpalli fituesin e tenderit për studimin e fizibilitetit – kompaninë Seed Consulting, asokohe në pronësi të ortakëve të Atelier 4, vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi (Eftimi) – nga një studio arkitekture e lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë.

Në janar 2018, kryeministri Rama deklaroi se kishte marrë një kërkesë zyrtare për ndërtimin e aeroportit dhe se ndërtimi do të niste brenda qershorit. Deklarata u bë ende pa u publikuar studimi i fizibilitetit dhe pa u shpallur ndonjë procedurë tenderimi. 

Kërkesa në fjalë ishte nga konsorciumi turk i tre kompanive: “Cengiz Constr.” (Mehmet Cengiz), “Kalyon Constr.” (Ömer Faruk Kalyoncu) dhe “Kolin Constr.” (Celal Koloğlu) – të njohura për lidhjet e tyre të ngushta me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

Kjo kërkesë pasoi një vizitë të Ramës në Turqi, ku ai bëri të ditur se Erdoğan kishte premtuar ndihmë për krijimin e një kompanie ajrore shqiptare – Air Albania dhe se selia e saj do të ishte pikërisht Aeroporti i Vlorës. 

Megjithatë, në prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni pa shumë shpjegime dhe ministria njoftoi hapjen e një gare tjetër. Më herët Komisioneri përgjegjës për zgjerimin në BE qe shprehur se do të shqyrtonte nëse kishte pasur shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në rastin e kësaj ujdie.

Master-Plani i Aeroportit të Vlorës ku bie në sy zhvillimi masiv me ndërtime në zonën mes Hidrovorit dhe grykëderdhjes së Vjosës.

Në shtator 2019, kryeministri njoftoi se projekti i ri ishte hartuar nga studioja Archea e arkitektit italian Marco Casamonti – edhe ky i lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë – dhe një ditë më pas, e prezantoi atë në qytetin e Vlorës.

Qeveria e dha përfundimisht me koncesion 35-vjeçar projektimin, ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës në dhjetor 2019.

Sipërmarrësit Behgjet Pacolli (Mabetex, Mabaco Constructions) dhe Valon Ademi (2A Group) u shpallën fitues me një ofertë prej rreth 104 milionë eurosh. Në garë ishte dhe kompania e Aldi Çelit (AL-DE Corporation Ltd), por ajo u skualifikua pasi “nuk paraqiti ofertë”, argumentim që u kundërshtua nga përfaqësuesit e Çelit, të cilët ngritën pretendime për favorizime.

Në ofertën fituese të sipërmarrësve Pacolli dhe Ademi ishte edhe dyshja e sipërmarrësve turq Cuneyt dhe Huseyin Arslan (YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi) – të cilët njihen gjithashtu për afërsinë me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan pasi me urdhër të tij ata ndërtuan Spitalin Rajonal Memorial të Fierit – por që në shtator 2022 ata ia shitën kuotat (40%) Pacollit për vetëm 4,450 euro.

Punimet për aeroportin nisën me një ceremoni solemne më 28 nëntor 2021, pavarësisht se projekti nuk kishte marrë ende leje mjedisi dhe ndërtimi – zyrtarisht qe miratuar vetëm “Leja e zhvillimit” dhënë nga qeveria në nëntor të atij viti, leja e mjedisit u dha një muaj më vonë dhe ajo e ndërtimit pas 15 muajsh të tjerë, më 9 nëntor 2022.

Shqetësimet për ndikimet në mjedis

Aeroporti i Vlorës nisi të ndërtohej pranë fshatit Akërni në lagunën e Nartës – një zonë e mbrojtur dhe vendbanim për më shumë se 62 lloje shpendësh të listuar në Direktivën e Shpendëve të BE-së.

Organizatat mjedisore denoncuan se si projekti shkelte ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare teksa rrezikonte dëme të rënda në ekosistemin e zonës dhe në rrugët migratore të shpendëve.

Qeveria mohoi shkeljet dhe në të gjitha rastet e mbrojti investimin duke u zotuar se ky aeroport është konform planit strategjik për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit, se ai do të jetë ndërkombëtar dhe se do të presë avionë të mëdhenj. 

Por mjedisorët druajnë se zhurmat e mëdha dhe fluturimet e avionëve të mëdhenj do të dëmtojnë shpendë të rrezikuar si pelikanët kaçurrelë. Për këtë Konventa e Bernës ka kërkuar disa herë ndalimin e punimeve dhe rishikimin e projektit.

Ndërkohë masterplani i botuar nga ministria gjatë garës zbuloi se funksioni i vërtetë i aeroportit do të jetë për të pritur flukset e turistëve që parashikohet t’i drejtohen zonës së lagunës, e cila prezantohet me ndryshime rrënjësore me ndërtime resortesh, mjedisesh sportive, agrikulture dhe një porti jahtesh.

Përmasat e mëdha të aeroportit të Vlorës marrin kuptim edhe nga projektet e tjera me zhvillime kolosale në dëm të mjedisit që parashikohen në zonat përreth si derdhja e Vjosës, Hidrovori, Zvërneci dhe Sazani, dy të fundit, të prezantuara bujshëm vitin e shkuar nga dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner. Ky fitoi statusin e investitorit strategjik në janar 2025.

Vlen të thuhet se zhvillimi për turizëm në zonën mes kripores dhe grykëderdhjes së Vjosës qe parashikuar edhe nga qeveria e Sali Berishës.

Qindra hektarë qenë caktuar për zhvillimin e turizmit bazuar në një studim urbanistik për bregun në hapësirën “Derdhja e Vjosës-Hidrovor, Novoselë-Vlorë”, i miratuar më pas me vendim të ish-Këshillit të Rregullimit të Territorit (sot Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, vendimi Nr.19 dt.14/07/2009).

Faksemile e vendimit të qeverisë Berisha, 2009.

Në prill 2025, Bashkia e Mynihut njoftoi tërheqjen nga përfshirja e saj si këshilltare në projektin e Aeroportit të Vlorës, pas presionit të vazhdueshëm nga organizatat mjedisore. Komiteti Ekonomik përgjegjës për ekonominë e qytetit gjerman u distancua kështu nga ndikimi negativ mjedisor që paraqet projekti.

Nga ana tjetër, për investitorin kryesor të aeroportit, Behgjet Pacollin, ky nuk është rasti i parë i një projekti të diskutueshëm në raport të keq me mjedisin në Shqipëri.

Më herët, ai pati shfaqur interes për zhvillimin e një kompleksi pallatesh, hotelesh dhe 370 vilash turistike në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Propozimi, i quajtur “Divjaka Resort”, premtonte investim prej 1 miliard eurosh, por gjithashtu tjetërsim rrënjësor të zonës së mbrojtur. Për këtë u kundërshtua ashpër nga organizatat mjedisore dhe më vonë, në nëntor 2019, u refuzua nga qeveria Rama.

Megjithatë Divjaka nuk mbetet paqtë, pasi sikurse Citizens ka raportuar më parë, një projekt tjetër – sikurse “Kingscoast Divjaka” nga sipërmarrësi turkoaustriak Cevdet Caner – e rrezikon atë.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW