Citizens.al

Ekspertet e teknologjisë në Shqipëri dhe Itali: Midis meritokracisë dhe stereotipeve gjinore

Brenda dhe jashtë kufirit, gratë që zgjedhin të studiojnë në shkenë janë të pakta, por të vendosura. 

Shembuj të grave shqiptare dhe italine, tregojnë se pavarësisht stigmatizimeve të thella, ekziston një brez i ri vajzash të guximshme të cilat e ndjekin këtë rrugë pavarësisht pengesave.

Marta Abbà, Itali; Arbjona Çibuku, Shqipëri.

Po çfarë i shtyn këto grua të bëhen inxhiniere në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit?

E thënë me zë të lartë ose e menduar në heshtje, kjo pyetje përsëritet si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. 

Edhe pse të dyja vendet renditen përkatësisht në vendin e katërt dhe të nëntë në Europë për përqindjen më të lartë të studenteve në fushat STEM, ato mbeten të lidhura nga stigmat e forta kulturore që e shndërrojnë këtë rrugë të premtuar në rrugë pa krye, ose, në rastin më të mirë, në një rrugëtim të vështirë, të lodhshëm dhe ndonjëhërë pa të pashpërblyer, sidomos në aspektin ekonomik.

Kjo është veçanërisht e dukshme në sektorin e inxhinierisë së telekomunikacionit.

Pak gra studiojnë TIK, një fat i keq dhe i keqpaguar

Në Itali, vetëm 22.9% e të regjistruarve në këtë program inxhinierik janë gra, dhe në nivel master kjo përqindje bie në 13.7%. Të dhënat nga Fondacioni Kombëtar i Inxhinierëve tregojnë se kjo është një nga fushat më pak të përzgjedhura, sidomos krahasuar me inxhinierinë civile dhe atë biomjekësore. Gratë e pakta që diplomohen më pas “dënohen” me rrugë karriere më të ndërlikuara sesa kolegët e tyre meshkuj dhe me paga sistematikisht më të ulëta. 

Sipas të dhënave më të fundit të “Inarcassa”, të ardhurat mesatare bien nga 44,459 euro në 26,083 euro në varësi të gjinisë, me një hendek gjinor page prej pothuajse 48% në disfavor të grave. Nëse jetojnë në Italinë e Jugut, rreziku i papunësisë rritet me 15 pikë përqindje krahasuar me veriut (burimi: Qendra Kombëtare e Inxhinierëve).

Në Shqipëri, me më pak dallime gjeografike, panorama është e ngjashme: sektori i TIK dominohet nga meshkujt (58.5%), ashtu si edhe shërbimet (68.8%) dhe fushat e inxhinierisë së lidhur me prodhimin dhe ndërtimin (62.5%).
Nga këndvështrimi i pagave, sektori TIK në Shqipëri pasqyron, në një shkallë më të vogël, dinamikat e një tregu pune kombëtar ku hendeku gjinor në pagesë për profesionistë me arsim të lartë është 17.7%. Ky është një tregues i përgjithshëm, por të dhënat e INSTAT tregojnë se TIK është ndër fushat ku kjo pabarazi është e dukshme.

Stereotipe të ngjashme, të mbartura por ende aktuale

Në të dy vendet, Shqipëri dhe Itali, ka nisma dhe thirrje, disa të zjarrta dhe të sinqerta, por deri më tani pa rezultate të dukshme.


“Sfidat më të mëdha vijnë nga stereotipe dhe paragjykime të thella gjinore, si të brendshme ashtu edhe të jashtme,” thotë Orkidea Xhaferraj, eksperte pranë SciDev. Në Shqipëri, shprehje si “Shkencat e forta nuk janë për gratë” dhe “Burrat janë më të mirë në shkencë” janë, sipas saj, “perceptime me origjinë të lashtë që vazhdojnë të ndikojnë të tashmen, duke penguar aksesin dhe përparimin e grave në STEM dhe duke ngadalësuar karrierat e tyre.” Ndërsa “gratë përgjithësisht kanë më pak vetëbesim se burrat,” Xhaferraj thekson se në inxhinieri kjo tendencë rrezikon të përkeqësohet për shkak të mungesës së modeleve femërore në rolet e shkencëtareve, shpikëseve dhe novatoreve.

Duke analizuar arsyet e pabarazive gjinore, Barbara De Micheli, eksperte për barazi gjinore në Fondacionin G. Brodolini, vëren të njëjtin problem: “Stereotipet për fushat ‘femërore’ dhe ‘mashkullore’ janë ende shumë të forta, dhe karrierat në startup-e dhe teknologjitë e reja përshkruhen ende si botë ekskluzivisht mashkullore,” shpjegon ajo. Edhe në Itali, “matematika nuk është për vajzat,” dhe gratë që diplomohen në fushat si inxhinieria kompjuterike dhe telekomunikacioni—të konsideruara “ekstremisht mashkullore”—nuk e kanë të vështirë të diplomohen, por hasin vështirësi për të gjetur punë. Dhe kur e gjejnë, thotë De Micheli, “duhet të mësojnë të lundrojnë në struktura organizative që janë ende larg barazisë gjinore. Bordet drejtuese janë ende të mbushura me burra.”

Në Itali, “Gjinia është pushtet,” sipas një raporti të fundit nga Info.Nodes dhe onData. Megjithëse ekziston një certifikatë gjinore, De Micheli e quan atë “një masë hibride.” Kjo certifikatë cilësore, me fokus te proceset, ka merita në ndërgjegjësim, por mund të ishte më efektive nëse kriteret e barazisë gjinore përfshiheshin në thirrjet për financime, duke përdorur stimuj ekonomikë. Megjithatë, sipas saj, mungon një planifikim strategjik i qartë dhe i thellë për të mbështetur startup-et dhe sipërmarrjen femërore në përgjithësi.

Në Shqipëri, përpjekjet zyrtare për të rritur përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në STEM ekzistojnë. Gjurmë të tyre gjenden në Strategjinë e Arsimit 2021-2026 dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore 2021-2030. Por, Xhaferraj thekson se “të gjitha këto kuadro strategjike duhet të përkthehen në masa praktike dhe të zbatohen në mënyrë efektive: kjo mbetet një sfidë në një shoqëri ende e ndikuar nga normat dhe perceptimet kulturore që i disfavorizojnë gratë dhe paraqesin pengesa të mëtejshme për karrierat e tyre shkencore. Këto sfida nuk i shoh të izoluara,” përfundon ajo. “Janë sistemike, të ndërlidhura dhe e forcojnë njëra-tjetrën.”

Arti i mësimdhënies së STEM-it për të gjithë

Për të kuptuar detajet duhet të dëgjojmë ata që i përjetojnë sfidat çdo ditë. Salvina Pëllumbi e bën këtë duke dhënë mësim matematikë në një shkollë në Elbasan, rreth 50 km nga Tirana. Ajo e zgjodhi këtë lëndë sepse pati “mësuese gra shumë të forta që ia dilnin gjithkund—me familje dhe karrierë”—duke i treguar se nuk kishte pse të zgjidhte mes të dyjave. Ajo e di që ka qenë me fat, pasi “në përgjithësi, nënat shqiptare paraqesin figurën e gruas që i përkushtohet vetëm familjes.”

Në punën e saj, ajo takon “vajza shumë të zgjuara dhe punëtore shqiptare që kanë nevojë për motivim, për t’u treguar tregun e punës, mundësitë e punësimit dhe perspektivat e pagave në fushat STEM.” Këtë e bën si mentore në projektin “Albanian Girls in ICT Academy” dhe përmes iniciativave të saj, ku përfshin laboratorë virtualë tërheqës që nxisin të menduarit kritik për botën. Ajo thekson se duhen ndërhyrje sistemike—si seanca të këshillimit të karrierës, më shumë modele femërore dhe fushata ndërgjegjësimi në rrjete sociale. Por problemet më të mëdha, thotë ajo, lindin pas universitetit, “kur rruga e karrierës bëhet më e vështirë, sepse në kulturën shqiptare pritet që nënat të kujdesen për gjithë shtëpinë dhe vetëm nëse kanë kohë, të ndjekin studimet apo kërkimin shkencor.”

Rrjete inkurajimi: Nuk jemi pak

Në këtë fazë, vajzat shqiptare që hyjnë në tregun e punës STEM mund të mbështeten te Rrjeti i Grave Shqiptare në STEM (NAW-STEM). Xhaferraj e themeloi atë “për të kontribuar në emancipimin ekonomik dhe shoqëror të grave, duke rritur përfaqësimin e tyre në sektorin STEM, si në industri ashtu edhe në akademi.” Ky rrjet përballet drejtpërdrejt me stereotipet dhe paragjykimet përmes serisë së podkasteve STEMspresso, duke përfshirë edhe gra shqiptare nga diaspora, sepse një rrjet i vërtetë nuk njeh kufij.

Në Itali, një tjetër rrjet ekskluziv për inxhiniere dhe arkitekte është AIDIA. Themeluar në vitin 1957, aktualisht ka mbi 450 profesioniste të regjistruara. Tre prej tyre ndanë përvojat e tyre, të cilat, megjithëse të ndryshme, japin një panoramë të plotë të situatës në Itali.

Giovanna Iannuzzi është një sipërmarrëse e konsoliduar në sektorin kimik-farmaceutik të teknologjisë së informacionit, por ka arritur aty ku është falë mbështetjes së familjes, që e ndihmoi të përballonte lindjen e binjakëve. Ajo vijoi punën e saj dhe nuk u ndal edhe pse shpesh kolegët meshkuj ia marrin promovimet thjesht sepse janë burra. 

“Ende është e vështirë të sigurosh pozicione menaxhimi projektesh apo kontrata të mëdha; si gra, ne perceptohemi si një rrezik,” thotë ajo. “Vazhdohet të jetë e vështirë të arrish pozicione të shpërblyera me perspektivë rritjeje: gjithmonë duhet të luftosh me dhëmbë e thonj, dhe nuk i merr gjithmonë ato që meriton.” Ndonëse shpesh ftohet të flasë në evente, ndodh shpesh të jetë e vetmja grua.  

“Shpeshherë jam gruaja e vetme në takimet ku jam ftuar, por e di që nuk jam gruaja e vetme në këtë fushë,” kujton ajo.

Nga bota akademike ku ajo u rrit, Antonia Russo vëren “një turp që i ngërthen vajzat; ato hezitojnë të dalin në pah.” Ajo thotë se duhet ta tejkalojmë këtë prirje, të ndajmë historitë tona dhe të bashkohemi. Rrjetet janë thelbësore për të fuqizuar këto zëra dhe për të ndarë përvojat e grave të tjera. “Ne nuk jemi të pakta në STEM, por shpesh heshtim,” thotë ajo. 

Në përfundim, Russo pohon: “Jam e bindur që aftësitë nuk kanë gjini.” E njëjta frazë u shpreh edhe nga studenta e re nga Shqipëria, Hygerta T. 

Ajo tregon se është “krejtësisht e vetëdijshme për ekzistencën e pabarazive gjinore në fushën që ka zgjedhur, ashtu si edhe në shumë të tjera, por nuk dua që ky realitet të më pengojë apo të më kufizojë.” Pas universitetit, Hygerta T. dëshiron të krijojë zgjidhje të dobishme, veçanërisht në epokën ku teknologjia po përparon me ritme të shpejta, por fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) e zgjodhi sepse “është një nga fushat më të kërkuara për programuesit dhe ofron paga konkuruese,” shpjegon ajo. Për të siguruar që paga e saj të përshtatet me atë të kolegëve meshkuj, ajo tashmë e di se do t’i duhet “të punoj edhe më shumë për të zhvilluar aftësitë e mia dhe për të gjetur vendin tim në tregun e punës, pavarësisht që jam grua.”

Ky “pavarësisht që jam grua” e shoqëroi edhe Gaiën Bertolinon gjatë studimeve të saj pothuajse të përfunduara në inxhinieri kompjuterike. Ajo guxoi të ndiqte këtë rrugë ndërsa banonte në jug të Italisë, një rajon me hendekun gjinor dhe hendekun më të madh të pagave.

Ambienti shoqëror dhe akademik nuk e ndanë të njëjtën pikëpamje, por Bertolino gjeti vetë rrugën dhe hartoi një strategji: “Për të kompensuar supozimin e mungesës së aftësive teknologjike që na atribuohet neve si gra, duhet të përqendrohemi edhe në aftësitë e buta dhe në komunikim,” shpjegon ajo. 

Ajo dhe koleget e saj femra në universitet po përgatiten t’i futen tregut të punës me këtë mentalitet: “Ne jemi të pakta, por shumë të motivuara, ambicioze dhe të vendosura — ndryshe nga shumë prej kolegëve tanë meshkuj, të cilët shpeshherë janë më pak të motivuar, pasi janë regjistruar në TIK pas valës së lulëzimit të sektorit ose nën ndikimin e stereotipeve.” Ndonjëherë, stereotipat bien edhe mbi to.

Ky artikull është prodhuar brenda Iniciativës për Gazetari Kollaborative dhe Hulumtuese (CIJI), një projekt i financuar pjesërisht nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e vetëm e Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW