Vetëm dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria e Partisë Socialiste ka vendosur të falë gjobat e dhjetë viteve të fundit. Vendimi u bë me dije sot teksa socialistët kishin njoftuar mbylljen e fushatës elektorale me një event në fushat e Parkut Olimpik në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Vendimi parashikon anulimin e sanksioneve administrative të paekzekutuara nga institucionet deri më 15 janar 2025. Ai është ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga “Qëndresa Qytetare” (QQ) si shkelje e garës zgjedhore.
Sipas vendimit, sanksionet e dhëna nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga një sërë institucione përfshirë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, autoritetet vendore të mbrojtjes së territorit, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor.
Sipas dokumentit zyrtar, institucionet përkatëse do të mbulojnë vetë shpenzimet administrative që lidhen me fshirjen dhe heqjen e këtyre masave.
Kjo lëvizje ka ngjallur reagime të forta nga organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë interpretuar si një përpjekje të qeverisë për të ndikuar votuesit në një moment kritik elektoral.
Në një kallëzim zyrtar pranë KQZ-së, QQ, e cilësoi këtë veprim si shkelje flagrante të garës së barabartë dhe një devijim të qartë nga standardet demokratike të pranuara në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo organizatë, e cila është angazhuar për të denoncuar shkeljet gjatë fushatës e konsideroi amnistinë një drejtim të kundërt me atë çka premtohet nga partia në pushtet: integrimi.
Drejtuesi i QQ-së, Rigels Xhemollari, e konsideroi si ngjarjen më të shëmtuar në tre zgjedhjet e fundit sa i përket keqpërdorimit të burimeve shtetërore.
“Dekurajuese për çdo qytetar që kërkon të zbatojë ligjin dhe inkurajuese për shkelësit përsëritës, të cilët do të presin amnistinë e radhës për shkeljet që do të kryejnë në të ardhmen,” tha Xhemollari për Citizens.al.
QQ pret tashmë nga KQZ të vihet në lëvizje për të bllokuar aktin, organet e hetimit dhe task forca zgjedhore të hetojë procedurën, përfshirë inspektoratet dhe hartuesit e miratuesit e këtij akti.
Në një retrospektivë politike, ky vendim vjen në kontrast të fortë me retorikën e hershme të Kryeministrit aktual, Edi Rama, i cili në vitin 2014, gjatë nisjes së fushatës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, deklaronte se “boll e ka pësuar kush paguan.”
Faljet e përsëritura të gjobave para zgjedhjeve minojnë ndjeshëm besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe nxisin kulturën e informalitetit dhe të pandëshkueshmërisë.
Sipas nenit 91 të Kodit Zgjedhor, katër muaj para zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re ndalohet propozimi, miratimi dhe nxjerrja e akteve ligjore apo nënligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë.
“…të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive, të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.
Lexoni gjithashtu:
- Çfarë na thonë sloganet këto zgjedhje?
- Dezinformimi në fushatë zgjedhore
- Majtas apo djathtas, ku qëndrojnë partitë?

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).