Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u organizuan mirë, por u zhvilluan në një mjedis të polarizuar, me Partinë Socialiste që keqpërdori asetet publike ndërsa pati raportime për trysni ndaj administratës dhe votuesve në qendrat e votimit.
Kështu deklaroi të hënën misioni ndërkombëtar i vëzhguesve të zgjedhjeve, OSBE/ODIHR, teksa bëri me dije vlerësimin paraprak për zgjedhjet.
Në raportin e publikuar pasditen e 12 majit, OSBE/ODIHR i vlerësoi zgjedhjet të mirë-organizuara nga ana teknike, por u theksua se vendi ka nevojë për media të pavarur dhe një reformë të mëtejshme zgjedhore.
Teksa paraqiti raportin krah përfaqësuesve të tjerë, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Michael Gahler, tha se në gjendjen aktuale, vendi ynë nuk mund të hyjë në BE.
Gahler shtoi se zgjedhjet janë një mjet thelbësor i demokracisë dhe se të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë për një konsensus mbi kuadrin zgjedhor dhe të forcojnë besimin në integritetin e procesit.
“Për më tepër, i bëj thirrje qeverisë së re të [vijojë] sukseset e arritura [tashmë], si në fushën e drejtësisë,” përfundoi Gahler.
Por kush ishin pikat kryesore të raportit parakrak, Citizens.al sjell të përmbledhura të gjitha pikat si më poshtë:
1- Kuadri ligjor dhe sistemi zgjedhor
Zgjedhjet parlamentare mbështeten në Kushtetutën e vitit 1998 dhe Kodin Zgjedhor të vitit 2008, i cili është plotësuar me ndryshime të kryera në vitin 2021, 2024 dhe 2025, përfshirë këtu dhe votimin e diasporës nga jashtë vendit.
OSBE/ODIHR vëren se, megjithëse kuadri ligjor është “i mjaftueshëm për të zhvilluar zgjedhje demokratike”, ai mbetet i paqartë dhe i pambështetur nga një reformë gjithëpërfshirëse.
Në raport sistemi elektoral proporcional me lista të mbyllura dhe preferenciale në 12 qarqe përshkruhet si favorizues për dy partitë e mëdha dhe se shumica e mandateve ndahen përmes listave të mbyllura, pavarësisht votave preferenciale ndaj kandidatëve duke reflektuar ndikimin e madh që kanë liderët e partive në përfaqësimin parlamentar.

2- Administrimi i zgjedhjeve
Administrimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri u drejtua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 93 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe mbi 5,000 Komisione të Qendrave të Votimit.
OSBE/ODIHR vlerëson se procesi u zhvillua në mënyrë transparente, me mbledhje të hapura dhe pjesëmarrje të rregullt të aktorëve politikë. Megjithatë citohen pretendime të ngritura për politizim të anëtarëve të KQZ-së, dhe afate të ngushta kohore dhe logjistike për të realizuar votën e diasporës.
Komunitetet e margjinalizuara mbetën jashtë fushatës së KQZ-së për edukimin e qytetarëve për mënyrën e votimit, ndërsa u vunë re ndryshime të shpeshta të anëtarëve të KZAZ-ve nga partitë, veçanërisht në ditët e fundit para votimit. Kuota gjinore u respektua në mënyrë minimale, me 31% gra në KZAZ, por me përfaqësim të ulët në pozita drejtuese.
3- Përdorimi i teknologjisë
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, identifikimi biometrik i votuesve u përdor në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik vijoi në vetëm dy qarqe.
Kjo përfaqësonte vetëm 1.4% të zgjedhësve të regjistruar, në kundërshtim me kërkesën ligjore për mbulim minimal prej 10%, për shkak të një ngërçi politik.
Votimi elektronik përdori pajisje me ekran prekje që prodhonin fatura të printuara të votës, ndërsa rezultatet transmetoheshin elektronikisht pas përfundimit të votimit. Megjithëse u organizuan demonstrime publike për rritjen e ndërgjegjësimit, OSBE/ODIHR vlerësoi se këto nuk ishin mjaft proaktive.

4- Regjistrimi i votuesve
Regjistrimi i votuesve brenda vendit u realizua në mënyrë pasive përmes regjistrit civil dhe u vlerësua si proces transparent dhe gjithëpërfshirës nga aktorët zgjedhorë, megjithatë, aplikimi i masës së heqjes automatike të personave mbi 100 vjeç nga listat për të shmangur emrat e të ndjerëve, u konsiderua si një barrë e padrejtë për këtë kategori.
Subjektet zgjedhore kishin të drejtë të merrnin një kopje të plotë të listës së votuesve, çka rriti transparencën e procesit, edhe pse pati shqetësime për mbrojtjen e të dhënave personale.
Lista përfundimtare u publikua më 2 prill me 3,713,761 votues të regjistruar, përfshirë edhe ata jashtë vendit (11 janar-4 mars) me 245,935 votues nga 85 vende, ndërsa rreth 41,000 aplikime u refuzuan për mungesë dokumentacioni të përshtatshëm.
5- Regjistrimi i kandidateve
KQZ regjistroi të 8 partitë politike dhe 3 koalicionet që aplikuan deri më 12 mars ku vetëm një prej tyre, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare, drejtohej nga një grua – Elena Kocaqi.
Në total për 140 vende në parlament garuan 2,046 kandidatë ku 787 (38.47%) ishin gra ishin gra – pak mbi minimumin ligjor, por të gjitha listat respektuan kuotën.
Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, u hoq mundësia që drejtuesit e partive të kandidonin në disa qarqe zgjedhore njëkohësisht.
Nuk pati kandidatë të pavarur të regjistruar në këto zgjedhje. Gjatë verifikimit të kandidatëve, KQZ hoqi 16 prej tyre nga lista e partive përkatëse, bazuar në vetëdeklarimet mbi dënimet penale, të konfirmuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Asnjë subjekt nuk kundërshtoi këtë vendim dhe paraqiti kandidatë zëvendësues në kohë.

6- Klima e fushatës
Sipas OSBE/ODIHR socialistët përfituan gjatë fushatës nga burimet shtetërore dhe aktivitetet institucionale, të cilat ligjërisht lejohen nëse ato kryhen si pjesë e detyrës zyrtare.
Përfaqësues të qeverisë morën pjesë në promovime investimesh dhe inspektime që, në disa raste, kaluan në fushatë të drejtpërdrejtë. Ndërkohë, qeveria miratoi politika për falje gjobash dhe lehtësira për grupe të caktuara votuesish para periudhës katërmujore të ndaluar, por që u zbatuan gjatë fushatës, duke ngritur dyshime për synime elektorale.
KQZ kishte përgjegjësinë të shqyrtonte rastet e abuzimit me burimet publike. Nga 4,522 aktivitete publike të raportuara, vetëm 18 u ndaluan si abuzive.
Nga 166 ankesat e marra, shumica lidheshin me përdorimin e burimeve shtetërore, tenderët dhe ndihmën sociale. Deri më 9 maj, KQZ kishte marrë vendim vetëm për 118 raste, duke ngritur shqetësime për efikasitetin e këtij mekanizmi.
Në raport thuhet se gjatë fushatës pati akuza të shumta për presion ndaj administratës dhe komuniteteve të margjinalizuara për të mbështetur PS-në, blerje votash dhe ndikim të krimit të organizuar në disa zona.
7- Financimi i fushatës
OSBE/ODIHR thotë se kuadri zgjedhor lë boshllëqe që cenojnë transparencën dhe barazinë mes partive në zgjedhje.
Partitë mund të financojnë fushatat me fonde publike, private, donacione apo kredi. Edhe pse ligji kërkon publikimin e burimeve të financimit, OSBE/ODIHR vëren se asnjë parti nuk ka publikuar të dhëna për donacionet apo kreditë, dhe KQZ nuk ka mjetet ligjore për t’i detyruar në zbatimin e kësaj dispozite.
Kufiri i përgjithshëm për shpenzimet e një partie është rreth 3.3 milionë euro, ndërsa ndryshimet ligjore të vitit 2025 përjashtuan shpenzimet e kandidatëve nga ky kufi, pa vendosur një tavan të veçantë për ta. Mungesa e rregullimit për reklamat online dhe shpenzimet nga palë të treta krijon hapësira për përdorimin e fondeve të padeklaruara dhe për anashkalimin e kufizimeve ligjore.
Një rast tipik i këtij anashkalimi citohet rast i përmendur në media për një kontratë lobimi prej 6 milionë dollarësh që synonte krijimin e aksesit për PD-në në nivelet e larta të administratës amerikane.

8- Media
Sipas monitorimeve të ODIHR, dy partitë kryesore, PS dhe PD, dominuan mbulimin mediatik, ndërsa partitë e tjera morën më pak se 5% të hapësirës në TV. Shumica e mbulimit përfshinte materiale të prodhuara nga vetë partitë, pa u shënuar si reklama politike, në kundërshtim me ligjin.
Emisionet politike nuk sollën përballje reale mes liderëve, ndërsa reklamat televizive u përdorën vetëm nga partitë e mëdha.
OSBE/ODHIR vëren se pavarësia, pluralizmi dhe integriteti i medias në Shqipëri janë të komprometuara nga financimet jo-transparente dhe lidhjet e ngushta mes pronarëve të mediave, interesave politike dhe ekonomike, shpesh të varura nga kontratat publike.
RTSH kritikohet për mungesë audience të gjerë ndërsa Autoriteti i Medias Audiovizive që nuk garanton pavarësi reale institucionale.
Edhe pse Kushtetuta mbron lirinë e shprehjes, shpifja mbetet vepër penale dhe rastet e padive SLAPP kundër gazetarëve janë në rritje. Ndalimi i përkohshëm i aksesit në TikTok dëmtoi mundësinë për një fushatë të barabartë, veçanërisht për partitë jo-parlamentare.
9-Minoritetet
Pjesëmarrja e pakicave në zgjedhje si votues dhe kandidatë ishte e lirë, si brenda partive kryesore kombëtare, ashtu edhe përmes dy partive të pakicave kombëtare që ishin pjesë e koalicionit të drejtuar nga PD.
Megjithatë, OSBE/ODIHR vëren se kërkesa për të kandiduar në të gjitha qarqet elektorale përbën një pengesë për partitë e pakicave për të fituar vende në parlament.
U raportuan gjithashtu raste presioni mbi komunitetet rom dhe egjiptian për të shitur votën, ndërsa në disa zona, votuesit romë nuk ishin të qartë për vendndodhjen e qendrave të tyre të votimit.

10-Dita e zgjedhjeve
OSBE/ODHIR vlerëson se dita e zgjedhjeve u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe transparente, por u vunë re mospërputhje të shpeshta me procedurat gjatë hapjes dhe votimit, përfshirë vonesa, probleme me pajisjet biometrike dhe praninë e personave të paautorizuar.
Vëzhguesit raportuan se në shumë qendra votimi nuk u respektua fshehtësia e votës, pati raste të votimit në grup, si dhe mungesë edukimi të votuesve për procedurat e reja të votimit me lista preferenciale.
Pati edhe raste presioni, intimidimi, dhe blerje të mundshme votash, ndërsa në disa qendra u shfaqën persona që mbanin shënime për votuesit.
Mungesa e aksesit për personat me aftësi të kufizuara ishte shqetësuese: 50% e qendrave nuk ishin të përshtatshme për ta dhe nuk kishte metoda alternative për ata që janë të palëvizshëm apo të shtruar në spitale.
Në disa qendra, numërimi u bë në atmosferë të tensionuar, dhe pati raste ku fletët e votimit nuk u shfaqën në kamera sipas rregullit apo rezultatet nuk iu dhanë vëzhguesve të partive.
Vonesa në transmetimin e votave elektronike dhe ankesat për verifikimin e votave nga jashtë vendit treguan mungesë të plotë besimi në sistemin elektoral, sidomos nga PD.
Lexoni gjithashtu:
- Zgjedhjet 2025: Proces me klimë të qetë, por me probleme dhe shkelje
- Gazetarët nën trysni ditën e zgjedhjeve, SafeJournalists dënon incidentet

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.