Gazetarët u përballën me sulme verbale dhe konfrontim fizik gjatë ditës së zgjedhjeve, më 11 maj 2025. Rrjeti SafeJournalists dënoi ashpër këto incidente të hënën, duke i cilësuar si shkelje serioze të lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për informim.
“Këto raste tregojnë një model shqetësues të pengesave dhe intimidimit ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën publike në një moment kyç për demokracinë, siç janë zgjedhjet” u shpreh kjo organizatë në një deklaratë të hënën.
Rrjeti i drejtoi thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me transparencë dhe pa vonesë këto raste dhe të sigurohet ndëshkimi ligjor për të gjithë përgjegjësit.
Ndër rastet më flagrante gjatë zgjedhjeve, ishte ai i gazetares së Syri TV, Ambrozia Meta, e cila u përball me sulme verbale dhe konfrontim fizik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Ngjarja ndodhi teksa gazetarja raportonte nga një zyrë e paidentifikuar, e cila dyshohet se u përdor nga militantë të Partisë Socialiste të cilët ishin angazhuar për të ashtuquajturën “patronazhim të votës”, një proces i denoncuar nga opozita për shkelje të Kodit Zgjedhor.
“Politikanët, zyrtarët publikë dhe qytetarët duhet të respektojnë rolin themelor të medias në ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe llogaridhënies publike,” theksohet në deklaratë.
Rast tjetër ishte ai i korrespondentes së MCN-Televizion, Elsa Xhindole, e cila u përball me dhunë fizike në qendrën e votimit nr. 39/01, në Pogradec.
Një person i paidentifikuar i mori me forcë telefonin celular dhe fshiu materialet dhe videot që lidheshin me zgjedhjet. Ky rast i kaloi për verifikim institucioneve.
Ndërkohë, Rrjeti vëren se kufizime arbitrare u vendosën ndaj gazetarëve, përmendim këtu rastin e gazetarin e EuroNews Albania, Enriko Gaba, i cili iu kërkua nga zyrtarët zgjedhorë në qendrën e votimit “Adem Sheme” që të mos filmonte më shumë se 15 minuta.
Një situatë e ngjashme u shënua në Durrës, në Qendrën e Votimit 1486, ku anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk lejuan vëzhguesit e akredituar të medias të kryenin raportime mediatike mbi procesin e votimit.
Por, nuk munguan as presionet. Gazetari i Apollon TV, Armando Rabi, u kërcënua nga një 26 -vjeçar në Gjirokastër, me pretendimin nga ky i fundit se ai po filmonte pa lejen e tij. Policia e Gjirokastrës ka nisur procedim penal, duke ia referuar çështjen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Rrjeti përmbylli se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Lexoni gjithashtu:
- Zgjedhjet 2025: Proces me klimë të qetë, por me probleme dhe shkelje
- Indeksi i Safe Journalists: Gazetarët shqiptarë punojnë në mjedis armiqësor
- Gazetari van Gerven Oei u kërcënua pas shkrimeve kritike ndaj “Harabel”

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.