Citizens.al

Zgjedhjet 2025: Proces me klimë të qetë, por me probleme dhe shkelje

Përfaqësues nga KshH, QQ, dhe ISP gjatë deklaratës paraprake për monitorimin e zgjedhjeve/Citizens.al

Një koalicion i organizatave të shoqërisë civile ka evidentuar një sërë problematikash që vënë në diskutim integritetin e procesit elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, megjithëse ato vlerësohen se u zhvilluan nën një klimë të qetë.

“Procesi shfaqi të njëjtin trend të disa zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, kryesisht një klimë e qetë dhe pjesëmarrje të pjesës aktive qytetare, mbulim të gjerë mediatik dhe prani të zgjeruar të partive politike dhe kandidatëve, mesazhe sensibilizuese për pjesëmarrje dhe administrim aktiv nga KQZ për problematikat e shfaqura,” u tha sot në një deklaratë të përbashkët nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Qëndresa Qytetare (QQ) dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP).

Megjithatë raporti paraprak i vëzhgimit të këtyre tre organizatave hedh dritë mbi parregullsitë dhe sfidat e vazhdueshme që rrezikojnë demokracinë funksionale në vend.

Me mbi 60 vëzhgues të shpërndarë në 17 bashki të vendit, raporti paraprak i bërë me dije sot zbuloi shkelje të heshtjes zgjedhore, tensione mes vëzhguesve partiakë dhe komisionerëve, si dhe prezencë të individëve të paautorizuar në qendrat e votimit.

Të dhënat përfshijnë gjithashtu shqetësime për ndërhyrje të jashtme në procesin e votimit, probleme me pajisjet e identifikimit elektronik dhe trajtimin jo të denjë të personave me aftësi të kufizuara.

Vëzhguesit vunë re postime elektorale në rrjete sociale të kandidatëve të caktuar, shpërndarje të materialeve propagantistike në hapësirën publike me afishimie të billboard-ve dhe raste kur zyra elektorale janë mbajtur hapur gjatë heshtjes zgjedhore.

Gjatë procesit pati sinjalizime nga vëzhgues partiakë, komisionerë dhe deputetë për abuzime dhe intimidim të zgjedhësve sikurse ishin rastet e shenjuara në Bashkitë Lushnje, Tiranë (afër Shkollës Petro Nini), Pogradec, Vorë, etj.

Problematika pati dhe në mungesë të energjisë elektrike , mangësi për përdorimin dhe regjistrimin me kamera të procesit, mungesa e komisionerëve , vonesat për hapjen e qendrave të votimit dhe probleme teknike në funksionimin e pajisjeve PEI .

“Në raportet tona finale do të ketë qëndrime dhe vlerësime për të gjithë elementët e monitorimit,” thuhet në deklaratën paraprake të tre organizatave, të cilat theksojnë se vëzhguesit e tyre u lanë ta kryenin monitorimin e plotë, pavarësisht disa rasteve ku u ndeshën pengesa.

“Për mua ishte një shans i humbur, që Shqipëria për 35 vite të mos krijojë standarde normale të zgjedhjeve të një vendi demokratik, që supozohej të shkoj drejt BE,” u shpreh Afrim Krasniqi, drejtues i ISP, sipas të cilit, për përvojën e kaluar Shqipëria duhej të shfaqte maturi dhe të kishte zgjedhje me tregues të tjerë.

Ndërkohë, numri i ulët i pjesëmarrjes në votime (42%) krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ngre pikëpyetje mbi besimin e qytetarëve në proceset politike.

KShH, QQ dhe ISP, argumentojnë se fushata e karakterizuar nga gjuha e urrejtjes dhe mungesa e platformave konkrete mund të ketë kontribuar në thellimin e apatisë politike dhe distancimit të votuesve.

Deklarata hedh dritë gjithashtu mbi shqetësimin për mosfunksionimin e duhur të organeve të drejtësisë dhe nxit nevojën për hetime më konkrete dhe të pavarura lidhur me krimet zgjedhore.

Me 54 kallëzime penale deri më 9 maj dhe 123 të tjera pranë SPAK, problematika si shitblerja e votës vijon të mbetet plagë e hapur e sistemit zgjedhor.

Në një atmosferë ku polarizimi politik sfidon rendin demokratik, raporti thekson domosdoshmërinë për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe forcimin e rolit të institucioneve të pavarura.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW