KAS (Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve) pranoi ankesën e Partisë Socialiste (PS) për shpalljen e pavlefshme të vendimit të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që diferencoi votat e Greqisë, gjatë numërimit të votës së diasporës.
Fillimisht KAS e shtyu vendimin në një moment të dytë për shkak të “kompleksitetit të çështjes” për të dolë më pas me këtë njoftim zyrtar.
Ky vendim pritet të sjellë zhbllokim të procesit të numërimit në Parkun Olimpik, nëse numëruesit e Partisë Demokrtike e zbatojnë.
I gjithë ky ngërç u shkaktua se demokratët akuzojnë socialistët se kanë manipuluar votat e emigrantëve në Greqi dhe zarfet e ardhura nuk janë plotësuar realisht prej tyre, por nga militantë të Partisë Socialiste.
Për këtë arsye rreth 52 mijë vota të Greqisë ishin lënë mënjanë dhe nuk po numëroheshin.
Ky konflikt nisi fillimisht nga urdhri i deputetit Flamur Noka, që nuk lejonte numëruesit e Partisë Demokratike të hapnin zarfet e Greqisë. Më pas KQZ me një njoftim sqaroi se nuk ka vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi votat e votuesve nga Greqia.
“Vendimi i marrë një ditë më parë ka për qëllim vetëm mirë administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë” – thekson KQZ.
Përfaqësuesja e socialistëve, Elena Xhixha, në reagimin e saj shpjegoi se sipas dispozitave ligjore, kreu tre, pika dy, KQZ administron dhe numëron çdo fletë votimi që ka hyrë në Shqipëri.
“Komisionerët në momentin që kanë marrë zarfin B, vetëm pse kanë parë se ky zarf vjen nga greqia, kanë thënë se e kontestojmë pa asnjë provë”- citoi Xhixha.
Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu tha se “nuk do të lejohen që të numërohen thasë të mbushur nga patronazhistët e PS”.
“Në Greqi ka ndodhur një shkelje flagrante e kontratës nga operatori i shërbimit postar. Pa marrë autorizim, ndonëse në kontratë ishte ndaluar kryerja e nen kontraktimeve, ka nënkontraktuar operatorë për të bërë shpërndarjen dhe marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore”- u shpreh Logu.
Sipas tij, persona të caktuar janë paraqitur dhe kanë tërhequr në mënyrë të paautorizuar me dhjetëra dhe qindra materiale zgjedhore dhe kanë bërë dorëzimin e tyre.
Citizens ka kontaktuar KQZ për një reagim se pse në Greqi është ndjekur një procedurë nen kontraktimi shërbimi postar ndryshe nga vendet e tjera, por deri në publikimin e shkrimit, nuk është dhënë një koment.
Greqia është shteti i dytë që kryeson me numrin më të lartë të zgjedhësve që votuar, me 53,209 zarfe të kthyera. Deri më tani janë numëruar 56.824 zarfe nga 194.889 në total që kanë mbërritur nga diaspora. 53.73% të votave të diasporës kanë shkuar për Partinë Socialiste, 29.04% për Partinë Demokratike dhe aleatët, 8.36% për Nisma Shqipëria Bëhet, 3.40 % për Partinë Mundësia, ndërsa për Lëvizjen Bashkë 2.62%.
Në këtë video shpjeguese, Citizens.al tregon peshën e mundshme të votës së diasporës në zgjedhjet 2025.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.