Citizens.al

Zgjedhjet 2025: Kush do t’i marrë mandatet e partive të vogla?

Ilustrim grafik i përfaqësuesve të partive të vogla/Citizens.al

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po shtyn për përmbylljen e numërimit brenda afatit zyrtar – mesnata e 15 majit – rezultati i partive të reja tashmë është qartësuar për mandatet që do të mbajnë në katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

Deri tani, në shkallë kombëtare, “Lëvizja Bashkë” ka siguruar një mandat me rreth 20 mijë vota (1.44%); Partia “Mundësia” ka fituar dy mandate me rreth 43 mijë vota (3%); ndërsa Koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” (3.9%) po lufton për një mandat të dytë në Fier me rreth 50 mijë vota të grumbulluara.

Partitë e tjera si “Koalicioni Euroatlantik” (1.33%), “Koalicioni Djathtas për Zhvillim” (0.39%), Aleanca Kombëtare Shqiptare (0.22%), Lëvizja Atdheu (0.15%) dhe Aleanca Demokracia e Re (0.07%) nuk kanë fituar asnjë mandat.

Partia Socialiste fitoi thellë me 83 mandate (52.33%) duke lënë prapa koalicionin e Partisë Demokratike “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me 50 mandate (33.74%).

Pas tyre, me numrin më të lartë të mandateve vjen Partia Socialdemokrate (3.19%), e cila konfirmoi tre mandate – dy në Shkodër dhe një në Tiranë – ngjashëm si në zgjedhjet e shkuara.

Lista e mbyllur, vetëm në letër

Risia e këtyre zgjedhjeve është zhvlerësimi i listave të mbyllura dhe kalimi i mandateve kandidatëve më të votuar, një praktikë e vendosur si parim mes koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, “Koalicionit Euroatlantik” (edhe pse nuk siguruan mandate), por deri diku dhe PSD-së.

Sipas rezultateve dhe renditjes në listat e mbyllura, Ana Dajko (Tiranë, Nisma-Shqipëria Bëhet), Sabina Jorgo (Shkodër, PSD) dhe Albana Pëllumbi (Tiranë, PSD) kanë fituar mandatin e deputetit – këta të fundit krah Tom Doshit, i listuar i pari në Shkodër.

Mirëpo Dajko, Jorgo dhe Pëllumbi – dhe pjesa vijuese në listën e mbyllur të partive përkatëse – duket se do t’ia lënë mandatet më të votuarve në listat e hapura.

Drejtuesi i “Nismës Thurje”, Endri Shabani, konfirmoi për Citizens se përmes një marrëveshjeje të brendshme, kandidati me më shumë vota në koalicionin me “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, do të marrë mandatin, pavarësisht renditjes në listë.

Aktualisht më i votuari në listën e parapëlqyer është Lapaj (mbi 3,400 vota). Pas tij vjen Shabani (mbi 1,900 vota). Mirëpo nëse “Shqipëria Bëhet” do ta mbyllë procesin me vetëm një mandat të siguruar, deputet do të bëhet Shabani.

“Adriatiku, si angazhim personal, ka thënë publikisht dhe privatisht, në çdo takim me ne, si aleatë, që nëse [koalicioni] do të ketë vetëm një mandat, do të tërhiqet. Nëse ruhet ky trend, unë do të jem përfaqësuesi për Tiranën në Kuvend,” tha Shabani.

Citizens.al iu drejtua Lapajt për një koment lidhur me mandatin e Tiranës, por ai tha se nuk mund të komentonte pa u mbyllur procesi.

Me këtë parim, në Fier, nëse “Nisma-Shqipëria Bëhet” siguron mandatin e dytë, ai do t’i kalojë Azmer Duleviçit, i cili ka marrë mbi 1050 vota dhe jo Lefter Thomës, i pari në listë.

Edhe PSD duket se ka vendosur të ndjekë këtë logjikë. Burime të Citizens.al thanë se nga kjo parti në Tiranë, deputet do të bëhet më i votuari në listën e hapur dhe jo Albana Pëllumbi – e listuara në krye të listës së mbyllur. Aktualisht më i votuari nga PSD në Tiranë është Tedi Mula, i cili ka marrë mbi 2,100 vota.

Nëse ky parim ndiqet edhe në Shkodër – duke marrë të mirëqenë se nuk do të aplikohet për kryetarin Tom Doshi – ai që mund ta marrë mandatin pritet të jetë Besnik Brahimi, i cili ka marrë mbi 3,400 vota.

Ky parim, edhe pse duket se vlerëson demokracinë, shkel kuotën gjinore, pasi u heq të drejtën për t’u përfaqësuar në parlament tre grave.

Presioni ndaj partive të reja

Sipas Redi Muçit, i cili pritet të marrë mandatin e vetëm parlamentar nga Lëvizja Bashkë, zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga “influenca masive” dhe presioni i të ashtuquajturve “patronazhistë të votës” – një strukturë brenda PS-së e denoncuar që gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

Ai pohon se kandidatë të Lëvizjes Bashkë janë përballur me presion për t’u tërhequr nga listat zgjedhore.

“Por sidoqoftë […] jemi të kënaqur që kemi hyrë në parlament dhe nga ky moment, nga ky hap i parë, thjesht do ndërtojmë mbi këtë,” theksoi Muçi.

Për kandidaten e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Mirela Karabina, gara ishte e pabarabartë. Ajo tha se votuesit ishin frikësuar, ndërsa maxhoranca përdori administratën dhe mësuesit për qëllime elektorale.

“[Qytetarët] janë të frikësuar, përderisa nuk dilnin dot një foto [me mua], edhe pse u thosha që nuk është e thënë se do të votonin për ne,” shpjegon Karabina.

“Elbasani po vdes ngadalë, ndotja kancerogjene dhe sëmundjet janë në rritje. Nuk e di kur do të zgjohet vota popullore,” tha Karabina sipas së cilës partia në pushtet, PS-ja, kishte prapa edhe sipërmarrës të fuqishëm me fonde për fushatën.

Sfida e opozitës në parlamentin e ri

Erald Kapri, i cili pritet të marrë mandatin e deputetit për partinë “Mundësia” shprehet i kënaqur me rezultatin, ndonëse priste më shumë.

Partia e themeluar nga Agron Shehaj, ish-deputet i PD-së njëherësh edhe ish-kandidat për kreun e saj, grumbulloi mbi 20 mijë vota në Tiranë, duke marrë mundësinë e dy mandateve në parlament, një numër i kënaqshëm në raport me rezultatin që morën dhe partitë e tjera të reja, por që sidoqoftë është i pamjaftueshëm për të krijuar një grup parlamentar.

Përballë një “supermaxhorance” me 83 mandate, opozita duket e brishtë për të gjetur instrumentat që do të mund ta pengonin PS-në për të ndërhyrë në ligjet apo reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Nisur nga kjo, Kapri theksoi se sfida e parë për opozitën e re do të jetë “mbrojtja e institucioneve të drejtësisë”.

“Ne dyshojmë që një nga shtysat e Ramës në legjislaturën e ardhshme do të jetë kufizimi i rolit të SPAK. Kjo do jetë një sfidë e madhe për opozitën, që të ruaj pavarësinë e institucioneve të drejtësisë” citoi ai.

“Mesazhi me mbi 200 mijë vota për partitë e reja është i qartë: qytetarët kërkojnë ndryshim,” përfundoi Kapri.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW