Protesta e Partisë Demokratike, zhvilluar pasditen e së premtes për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, u shoqërua me një klimë të tensionuar dhe sulme verbale ndaj gazetarëve që raportonin nga terreni.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka dhe anëtari i Kryesisë Aldo Bumçi, së bashku me disa simpatizantë të pranishëm, refuzuan të komunikonin me televizionin Euronews Albania dhe gazetaren Sara Demushi. Ata e përballën atë me fjalë përçmuese si: “Largohu! Të thashë, largohu!” apo “Nuk dua të jap intervistë apo deklaratë”.
Paloka iu drejtua Demushit me akuza politike: “Është ylli që mbajti Edi Rama dhe që mbajti televizioni juaj gjithë kohën, se keni marrë paratë e Ramës”, duke iu referuar bexhës së akreditimit të gazetares, e pajisur nga Këshilli i Evropës për raportimin nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian mbajtur gjatë ditës së sotme në Tiranë.
Situatë e ngjashme u përsërit edhe me ish-deputetin Bumçi dhe më pas ndaj gazetarëve të tjerë si Anesti Bajramemaj dhe Arestina Skëndëri nga A2 CNN, si dhe Daniela Maloku, Esido Brakaj dhe Besar Bajraktaraj.
Gazetarja Sara Demushi u shpreh në një reagim se vuajti “stërkalat e inatit” të përfaqësuesve të PD-së ndërsa ushtronte detyrën vetëm prej bexhës identifikuese si media. Ajo theksoi se retorika agresive ndaj saj, e nxitur veçanërisht nga Paloka, rrezikoi të nxiste edhe një përplasje fizike me protestuesit e pranishëm.
“Fillimisht ishte Z. Paloka, i cili mu hakërrye vetëm se e pyeta përse je në protestë, më pas Z. Bumçi,” tha Demushi, e cila theksoi se ish-ministri i PD-së shpërdoroi kohën televizive duke theksuar disa herë se përse gazetarja nuk e pyeti paraprakisht nëse ishte i disponueshëm për intervistë.
Reagimet nga organizatat mediatike
Ngjarja e ndodhur sot me gazetarët në protestë u dënua gjerësisht nga organizatat e mediave. Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt e konsideroi incidentin si sulm fizik dhe verbal ndaj përfaqësuesve të medias.
Rrjeti përmendi edhe një episod ku Klevis Balliu – i cili pritet të marrë mandatin e deputetit në legjislaturën e ardhshme – iu drejtua me ton përçmues një gazetareje, duke e penguar të ndërvepronte me protestuesit, pavarësisht se ishin këta të fundit që i afroheshin medias dhe ushtronin presion.
Sipas Rrjetit, këto incidente pasqyrojnë një qëndrim shqetësues dhe të paprecedentë ndaj punës së gazetarëve dhe medias gjatë një proteste.
Sulmin ndaj gazetarëve e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili e konsideroi shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë dhe kujtoi se gazetarët nuk janë palë në konfliktet politike dhe për këtë ata “nuk mund të trajtohen si kundërshtarë për shkak të pyetjeve apo raportimeve që japin”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias i kërkoi PD-së të distancohet publikisht nga çdo akt dhune, duke theksuar se “sulme të tilla përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës për informim të paanshëm”.
“Gazetarët, në ushtrimin e misionit të tyre informues, përfaqësojnë një funksion publik në shërbim të qytetarëve”, u shpreh sindikata teksa shtoi se çdo akt që synon të intimidojë apo dhunojë gazetarët, është një shkelje e rëndë ndaj demokracisë dhe duhet të dënohet pa keqkuptime.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).