Në korrik të 2024, Kuvendi miratoi amendamentin që parashikon që gratë deputete të kenë një vend të sigurt jo vetëm në listën e mbyllur që harton kryetari i partisë, por edhe në listat e hapura.
Për këtë do të ndiqet parimi “Një në tre emra i përket gjinisë më pak të përfaqësuar”. Pra në rastin konkret një në tre emra duhet të jetë grua.
Duke parë listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit 2025, vemë re se ky standard është respektuar, ndërsa “lufta” e kuotave gjinore po bëhet në listat e hapura.
Për shkak të rezultatit pozitiv që ka marrë Partia Socialiste në këto zgjedhje, duke siguruar deri më tani 83 mandate, ky zbatim i kuotave gjinore është më i pranishëm në këtë forcë politike.
Deri më tani, katër kandidatë të PS-së nuk do të kenë mundësinë të futen në Kuvendin e ri në shtator, për shkak të respektimit të kësaj praktike për kuotat gjinore.
Në Durrës, PS, e cila ka fituar 8 mandate, në listën e mbyllur ka 3 kandidate gra dhe 2 kandidatë burra, ndërsa në listën e hapur fitues janë 3 kandidatë burra.
I fundit në listën e hapur fituese është kandidati Ilir Ndraxhi, i cili për shkak të kuotës gjinore do të zëvendësohet nga kandidatja Etleva Budini.
Në Berat, PS ka fituar 5 mandate, dy prej të cilëve vijnë nga lista e mbyllur dhe 3 nga lista e hapur. Mirëpo, për shkak se në listën e hapur 3 më të votuarit janë burra, kandidati i fundit, që është Julian Zyla, zëvendësohet me kandidaten më të votuar grua që është Hatixhe Konomi.
Situata është e njëjtë edhe në Korçë, ku PS ka fituar gjashtë mandate, tre në listën e mbyllur dhe tre në listën e hapur. Njëjtë edhe këtu, në listën e hapur tre më të votuarit janë burra, ndaj Arian Jaupllari, më pak i votuari ndër kandidatët burra do të zëvendësohet nga kandidatja Besa Spaho.
Edhe pse ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit për kandidatët në listën e hapur, edhe në Tiranë rezultati është i ngushtë mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës.
Në Tiranë, PS ka fituar deri më tani (duke qenë se ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave të Diasporës) 19 mandate.
Në 12 kandidatët në listën e mbyllur janë fitues tetë kandidate gra dhe katër burra. Ndërsa në listën e hapur kemi 7 fitues deri më tani të radhitur sipas votave: Blendi Gonxhja, Erion Braçe, Ervin Hoxha, Fatmir Xhafaj, Ornaldo Rakipi, Xhemal Qefalia dhe Anila Denaj.
Për shkak të kuotave gjinore, Xhemal Qefalia mund të humbasë pozicionin e deputetit, ndërsa futet në listë Blerina Gjylameti.
Sipas amendamentit dhe Kodit Zgjedhor, edhe në rast se kandidatet gra dorëhiqen ato zëvendësohen me gra, duke u ruajtur kështu përfaqësimi gjinor.
Në podkastin “Zëra” në Citizens.al, Ines Leskaj, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) u shpreh se kuotat gjinore janë të rëndësishme dhe fakti që partitë i kanë në vëmendje është për t’u vlerësuar. Mirëpo, nuk duhet të mbetemi vetëm ay, pasi nevojitet më tepër angazhim dhe përfaqësim.
“Në këto zgjedhje dhe jo vetëm në këto zgjedhje, ne jemi të kënaqur që kuotat gjinore ekzistojnë. Pavarësisht se e kemi thënë shpesh si një diskriminim pozitiv. E kemi provuar edhe në situata ku nuk ka pasur kuota dhe ka pasur një panoramë krejt ndryshe sa i takon përfaqësimit të grave në politikë”, u shpreh Leskaj.
Sipas saj kuota është e domosdoshme mirëpo duhet pasur kujdes me përdorimin në fushatë të grave në këndvështrimin sidomos nga liderët politikë që kryesisht janë burra.
“Përdorimin për hir të faktit që ne jemi duke zbatuar kuota dhe ne jemi parti e hapur dhe po përfshijmë sa më shumë gra të jetë e mundur”, deklaroi Leskaj.
Ndërsa theksoi se duhen ndryshime të vërteta strukturore dhe sistemike brenda partive që të tregojnë haptazi që partitë e kanë seriozisht me përfshirjen e grave dhe jo vetëm për ti përdorur për figurën e tyre apo për shkak të kuotave.
Shqyrtoni podcastin:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).