Organizata të shoqërisë civile që përfaqësojnë komunitetet rome dhe egjiptiane i janë drejtuar me një shkresë zyrtare ministrisë së Brendshme, duke i kërkuar zbatimin e vendimit të qeverisë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për vetëdeklarimin e përkatësisë etnike.
VKM-ja e datës 26 dhjetor 2024, e miratuar në bazë të ligjit për pakicat kombëtare, përcakton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare përmes një komisioni të posaçëm pranë ministrisë së Brendshme.
Gentian Sejrani nga Qendra “Drejtësi Sociale”, tha për Citizens.al, se mungesa e këtij komisioni po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të anëtarëve të komuniteteve.
“Në qoftë se një person [nga pakicat kombëtare] do që të marrë një vërtetim që i përket minoritetit egjiptian apo rom për arsye se do të fitojë nga bursa, përjashtimi i taksave vendore, apo nga çdo lloj programi tjetër që është pozitiv për të, nuk e përfiton dot sepse duhet të ketë këtë vërtetimin,” shpjegon Sejrani.
Sipas organizatave, mos-ngritja e këtij komisioni po pengon qasjen e komuniteteve në shërbime bazë si ulja në çerdhe, librat falas apo përfitimi nga kuotat në arsimin e lartë.
Më parë, vërtetimet jepeshin nga vetë organizatat e shoqërisë civile, por pas hyrjes në fuqi të VKM-së së vitit 2024, kjo praktikë nuk lejohet më – tashmë përkatësia etnike njihet vetëm kur vërtetimi lëshohet nga institucionet shtetërore.
Sipas relacionit që shoqëron vendimin e qeverisë, komisioni i vetëdeklarimit mblidhet të paktën dy herë në vit, ose sa herë që një e katërta e anëtarëve të tij e kërkon këtë.
Komisioni shqyrton dhe vlerëson formularët e personave që deklarojnë përkatësinë, më pas i pasqyron të dhënat në lista brenda 30 ditëve nga depozitimi i formularëve dhe në raste të veçanta, kur ka dyshime për saktësinë e vetëidentifikimit, kryhen verifikime duke kërkuar të dhëna nga regjistrat civilë.
Vendimi për konfirmimin ose jo të vetëidentifikimit duhet të jepet brenda 60 ditëve nga nisja e verifikimeve e më pas njoftohen personat përkatës. Sipas vendimit të qeverisë, për vendimet e komisionit ka dhe mundësi apelimi.
Mungesa e funksionalitetit të këtij komisioni është kthyer në pengesë serioze për qytetarët që i përkasin komuniteteve egjiptiane dhe rome për të përfituar nga të drejtat e garantuara me ligj.
Ky komunitet mbetet ndër më pak të përkrahurat dhe përfaqësuarat në sistemin politik shqiptar. Fakti se për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre vijojnë të angazhohen 13 organizata, e konfirmon një gjë të tillë.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, pesë kandidatë që përfaqësonin komunitetet rome dhe egjiptiane (Ardit Çela PSD, Ina Majko PS, Rivelino Çuno PD, Apostol Kosturi e Martin Braho Lëvizja Bashkë) u përfshinë në listat zgjedhore të partive të ndryshme politike. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend, duke e theksuar më tej nevojën për përfaqësim të strukturuar dhe përkrahje institucionale.
Lexo gjithashtu:
- Gjykata Evropiane dënon shtetin shqiptar për segregim të fëmijëve romë dhe egjiptianë
- ‘Premtime në baltë’: Jeta e komunitetit rom dhe egjiptian në skajet e politikës

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).