Media, si një pasqyrë e problemeve të shoqërisë, shpesh përballet me dhunë dhe agresivitet – sidomos ndaj gazetarëve të kronikës. Ata shpesh punojnë në kushte të rrezikshme, mes protestash të dhunshme, operacionesh policore, apo vendngjarjesh kriminale.
Gazetari Sokol Dema, i cili prej afro një dekade mbulon ngjarjet e kronikës, tregon për Citizens.al se puna në terren është një nga më të vështirat. Ai kujton një protestë ku gazi lotsjellës ia bëri të vështirë edhe frymëmarrjen.
“Nuk ndaloja së foluri, edhe pse mezi merrja frymë,” thotë ai.
Sipas tij, edhe kur redaksitë i pajisin gazetarët me mjete mbrojtëse, rreziku është gjithmonë prezent dhe shpesh nuk ka kohë për reagim.
“Protestat e dhunshme të opozitës kanë qenë në mesin e situatave më të rrezikshme,” shton Dema.
Ai kujton gjithashtu një rast në Lezhë, kur gjatë mbulimit të vrasjes së një efektivi policie, ishte pranë operacionit për kapjen e autorit që ende ishte i armatosur.
“Rreziku ishte real,” thekson Dema.
Gazetari Besar Bajraktari, gjithashtu me rreth 10 vite përvojë, tregon se sfidat në terren nuk janë gjithmonë të dukshme në transmetim.
“Janë momente tensioni dhe pasigurie që nuk duken në ekran,” shpjegon ai.
Një nga episodet më të vështira për të ka qenë vrasja e policit Saimir Hoxha, në shtator 2021.
“Na u desh të largohemi, sepse ishim afër vendit ku fshihej autori,” tregon Bajraktari duke nënvizuar se i largoi policia.
Ai kujton gjithashtu episodin me Lefter Zhidrun në Elbasan, protestat me gaz lotsjellës dhe ujë, si edhe një zjarr të madh që zgjati tre ditë në një qendër tregtare në Tiranë.
Të dy gazetarët e kronikës nënvizojnë nevojën për trajnime specifike për të përballuar situatat të rrezikshme në terren.
“Përballja me autorë dhe viktima të veprave penale kërkon përgatitje të veçantë,” thotë Bajraktari.
Sipas Demës, situata në tërmetin e vitit 2019 tregoi se shumë gazetarë të rinj nuk ishin të përgatitur. Ai shton se ndonëse Shqipëria nuk është vend lufte, zhvillimet globale tregojnë se gjithçka mund të ndryshojë shpejt, ndaj gazetaria e kronikës duhet të trajtohet me seriozitetin që meriton.
Në këtë pikë Bajraktari apelon që edhe policia të organizojë trajnime për gazetarët dhe të ofrojë mbështetje në terren.
Përballja me rreziqet dhe mungesën e mbrojtjes ligjore
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa thekson se puna e gazetarëve është thelbësore për lirinë e informacionit. Ai bën thirrje për trajnime të specializuara nga redaksitë dhe organizatat e mediave, për pajisje mbrojtëse dhe mbështetje psikologjike për gazetarët që mbulojnë ngjarje tronditëse.
“Duhen protokolle sigurie për të mbuluar ngjarjet e rrezikshme, si caktimi i një punonjësi sigurie dhe krijimi i një plani emergjence për veprim,” thotë Softa teksa këmbëngul se gazetarëve u nevojitet dhe ndihmë psikologjike.
“Mendoj se duhet të ofrojnë mbështetje psikologjike për gazetarët që kanë mbuluar ngjarje tronditëse të një kategorie të caktuar,” vijon ai teksa i bën thirrje shtetit të hartojë ligje specifike për mbrojtjen e gazetarëve.
Sipas Softës shteti duhet t’u japë mbështetje financiare organizatave mediatike dhe të krijojë njësi të posaçme mbrojtëse për të mbuluar pasojat nga rrethanat e vështira të raportimeve.
Isa Myzyraj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), e përshkruan situatën si të vështirë dhe shqetësuese. Ai thekson se gazetarët përballen me presione politike, censurë, mungesë transparence dhe sigurie në punë.
Referuar edhe raportimeve nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, Myzyraj shprehet se Shqipëria renditet në një pozicion problematik sa i përket lirisë së shprehjes.
“Këto kushte janë pasojë edhe e mungesës së mbështetjes ligjore dhe ekonomike për profesionistët e medias, si dhe e një kulture të brishtë demokratike që nuk e respekton misionin kritik të gazetarisë” thotë ai.
Sipas Myzyrajt nevojitet reformë ligjore dhe investim në trajnim e teknologji, për të rritur cilësinë dhe sigurinë në gazetari.
Raporti SCiDEV dhe klima e pasigurt
Në 10 mars 2025, Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) publikoi raportin mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri për vitin 2024 ku u evidentuan 45 incidente ndaj gazetarëve, krahasuar me 24 raste në vitin paraardhës.
Sipas SCiDEV rritja e sulmeve ka krijuar një klimë pasigurie dhe vetë-censure në redaksi. Raporti kritikon edhe reagimin e ngadaltë të drejtësisë, që shpesh nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme për gazetarët e kërcënuar duke dekurajuar kështu denoncimin dhe duke u dhënë terren abuzuesve.
Në raport theksohet si dështim përpjekja për të dekriminalizuar shpifjen.
Blerjana Bino, drejtore e SCiDEV, e cilëson mjedisin e medias në Shqipëri si “shumë sfidues”. Sipas saj, gazetarët janë të ekspozuar ndaj presioneve politike, sulmeve verbale dhe fizike, padi gjyqësore apo presioneve ekonomike.
“Problemet thellohen nga mungesa e transparencës në financimin dhe pronësinë e mediave, që shpesh është e përqendruar në pak duar, duke u dhënë përparësi interesave private në kurriz të interesit publik,” thotë Bino.
Ajo shton se për katër muajt e parë të vitit 2025 janë evidentuar 10 raste shkeljesh të Kodit të Punës ndaj gazetarëve, që lidhen me mungesë kontratash, paga të ulëta dhe pagesa informale.
Ajo vlerëson miratimin e protokolleve nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nismat e Policisë së Shtetit, si hapa pozitivë. Ndërkohë, organizatat që mbështesin gazetarët inkurajohen të ofrojnë ndihmë ligjore, psikologjike dhe të vazhdojnë monitorimin e pavarur të rasteve të dhunës.
Indeksi Vjetor i Lirisë së Shtypit për vitin 2025, i publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), e renditi Shqipërinë në vendin e 80-të, me një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar ku ndodhej në vendin e 99-të.
Megjithatë raporti nënvizoi sërish të njëjtat problematika që rrezikojnë mjedisin mediatik në vend.
Lexoni gjithashtu: