Më 24 maj në Tiranë do të zhvillohet “Parada e Krenarisë LGBT”. Si çdo vit në këtë kohë nuk mungon gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, që shpesh bazohet tek mite të pavërteta.
Le të shohim disa prej tyre dhe t’i japim përgjigje të vërteta!
(Komentet e mëposhtme janë marrë nga komente të njerëzve në rrjetet sociale, gjatë “Marshimit të Krenarisë”, ndër vite).
- “Do të hysh në BE?! Nuk të pranon BE ndryshe!”
Të drejtat e LGBTQ+ janë të drejta themelore, jo një kusht politik. Nëse një shtet synon të jetë pjesë e BE-së, nuk mund të përjashtojë qytetarët për shkak të identitetit apo orientimit të tyre.
Ajo që kërkohet qëndron në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, që mund të përmblidhen shkurt në: Mos diskrimino. Lejo të gjithë të jetojnë të lirë dhe të barabartë.
Respektimi i këtyre të drejtave është njësoj i rëndësishëm sa liria e medias apo drejtësia e pavarur.
- “Po krenar për cfarë?”
Fjala “Pride” (Krenari) nuk ka të bëjë me mendjemadhësi apo ndjesi superioriteti.
Parada e Krenarisë lindi më 28 qershor 1970 në SHBA, si përkujtim i Revoltës së Stonewall-it, ndërsa në Shqipëri u zhvillua për herë të parë në maj të vitit
Është kundërpërgjigje ndaj turpit, dhunës dhe përjashtimit që komuniteti LGBTQ+ ka përjetuar për dekada.
Të jesh krenar për identitetin tënd kur je rritur me mesazhe që të thonë se je “gabim”, “i sëmurë” ose “i papranueshëm”, është një akt i guximshëm dhe emancipues.
- “Ju doni të shkatërroni bërthamën e shoqërisë që është familja!”
Kërkesa për të drejta nuk do të thotë t’i marrësh të drejtën dikujt tjetër.
Kur komuniteti LGBTQ+ kërkon të drejtën për të pasur familje, nuk po cënon familjen tradicionale, por po kërkon hapësirë për të jetuar me dinjitet. Liria për një grup nuk është kërcënim për një tjetër.
Familja ka shumë forma: me një prind, me gjyshër, me kujdes të ndarë. Ajo që e bën një familje është dashuria, respekti dhe mbështetja.
- “Çfarë hallesh ka Ballkani dhe ne festojmë Gay dhe Lezbike!”
Po, Ballkani ka shumë “halle” – por të drejtat e njeriut nuk janë luks. Parada nuk është festë, është një thirrje për dinjitet në një shoqëri ku shumë ende përballen me urrejtje dhe përjashtim.
Dhe ky është një “hall”, a nuk është drejtësia “hall i gjithë shoqërisë”?

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.