Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch (HRW) ka kritikuar planet e Mbretërisë së Bashkuar (MB) dhe Bashkimit Evropian (BE) për të përdorur vendet e Ballkanit si pika tranziti për kthimin e emigrantëve.
Sipas HRW, qeveria britanike ka marrë në konsideratë shtete si Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Shqipëria për ngritjen e qendrave të kthimit, ku do të dërgohen para riatdhesimit azilkërkues nga vende të treta kërkesat e të cilëve janë refuzuar.
Ky plan, sipas organizatës, sjell në mendje rastin e kampit të Gjadrit në Shqipëri, që fillimisht ishte menduar si strehë për emigrantët e paligjshëm të ndalur në Mesdhe, por më pas u shndërrua në qendër për riatdhesimin e të dëbuarve pa dokumente.
“Në vend që Ballkani të trajtohet si magazinë për emigrantët, BE dhe MB mund të luajnë rol të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit të sistemeve funksionale të azilit dhe kornizave më të mira për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve,” tha HRW në një deklaratë të hënën.
Megjithëse Shqipëria është përmendur si “kandidate e mundshme për ofertën britanike”, më 15 maj, në një konferencë me homologun britanik Keir Starmer në Tiranë, kryeministri Edi Rama, e përjashtoi këtë mundësi duke theksuar:
“Marrëveshja me Italinë është e vetme, e ndërtuar mbi një raport të veçantë realiteti gjeografik dhe nuk mund të shërbejë si model për të tjerët.”
Ndërkohë, është raportuar se Kosova mund të jetë një opsion që po shqyrtohet nga MB. Presidentja, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për bisedime. Kujtojmë se në vitin 2021, Kosova nënshkroi një marrëveshje me Danimarkën për të pranuar 300 të burgosur të huaj, por ajo ende nuk është vënë në zbatim.
HRW paralajmëron se ndalimi i zgjatur i emigrantëve pa mbrojtje të përshtatshme i ekspozon ata ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.
“Ky është një rrezik i madh për të drejtat e emigrantëve,” tha Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në HRW.
Komisioni Evropian gjithashtu ka propozuar ngritjen e qendrave të kthimit në vende jashtë BE-së, të cilat do të pranonin emigrantët të cilëve u është refuzuar qëndrimi, duke i dërguar në vende “të sigurta” për shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil.
Në prill 2025, përfaqësues të HRW kaluan dy javë në Bosnje duke shqyrtuar kushtet në qendrat e pritjes. Ndërsa autoritetet lokale deklaruan se kushtet ishin të mira, organizata e ndihmës juridike “Vaša Prava” raportoi ankesa për kufizime të rënda mbi aktivitetet dhe kohën jashtë.
Shkeljet e të drejtave të njeriut në kampet e Ballkanit janë një problem i përsëritur. Amnesty International ka reaguar shpesh kundër shkeljeve në kampin e Gjadrit në Shqipëri, duke e quajtur atë një “eksperiment mizor” dhe “një njollë për qeverinë italiane”.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.