Saimir Bego, 57 vjeç, minator në minierën e Katjelit në Përrenjas, humbi jetën të hënën si pasojë e shembjes së një masivi minerali brenda galerisë ku punonte. Vdekja e tij në sektorin minerar ngre sërish alarmin mbi mungesën e sigurisë në vendin e punës – prej vitesh problem kronik dhe i paadresuar si duhet në Shqipëri.
Policia e Librazhdit tha se ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 dhe se për këtë kishte nisur procedim penal për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” ndaj përgjegjësit të turnit, Gëzim Kllogjrit, Hysni Kllogjrit dhe Gëzim Balla – dy të fundit pronarë ortakë në kompanisë “Miniera e Kromit Katjel” ku ndodhi ngjarja.
Për shkak të vështirësive për t’iu qasur galerisë, strukturat e shpëtimit nuk arritën të ndërhyjnë në kohë.
Kompania e Ballës dhe Kllogjirit është aktive prej vitit 2006. Miniera e kromit në Katjel, e vendosur rreth 5 kilometra larg qytetit të Përrenjasit. Ajo ka qenë aktive që nga periudha e komunizmit dhe ka shërbyer si burim jetese për qindra familje, kryesisht nga fshati Katjel dhe qyteti i Përrenjasit.
Kjo nuk është hera e parë që një punonjës i sektorit minerar humb jetën në rrethana të ngjashme.
Më herët këtë muaj, Ardit Beshiri, 29 vjeç, punëtor pranë fabrikës së pasurimit të kromit në zonën e Bulqizës u shpall i humbur për rreth një javë.
Trupi i tij u gjet vetëm pas disa ditësh kërkimi, ndërkohë që familjarët ngritën akuza ndaj autoriteteve për neglizhencë dhe mungesë logjistike.
Të dhënat e përpunuara nga organizatat e të drejtave të punëtorëve dhe monitorimet e medias, tregojnë për më shumë se 65 punëtorë që kanë humbur jetën dy vitet e fundit – shumica në sektorin minerar dhe atë të ndërtimit – dy nga sektorët më të ekspozuar ndaj shkeljeve të rënda të standardeve të sigurisë në punë.
Vetëm disa ditë para vdekjes së Begos, Abaz Basha, 22 vjeç, dhe Egzon Lleshi, 32 vjeç, humbën jetën në kantierin e ndërtimit të një hidrocentrali në fshatin Holtë në Gramsh.
Shumica e aksidenteve lidhen me mungesën e kontrolleve nga institucionet, mbikëqyrjes teknike, kushtet e amortizuara të galerive, logjistikës, apo mungesës së pajimeve dhe trajnimeve për sigurinë.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).