Dy aksidente në minierat e kromit në Bulqizë dhe Martanesh rikthejnë në vëmendje mungesën e sigurisë në sektorin minerar. Ngjarjet ndodhën më 29 dhe 27 maj, por u raportuan më vonë nga policia.
I.D, 40 vjeç, u plagos në Martanesh të enjten, më 29 maj, teksa policia e raportoi ngjarjen sot. Ajo tha për mediat se “40-vjeçari u lëndua në këmbë gjatë punës” dhe “ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”.
Njësoj, me 24 orë vonesë, policia raportoi dhe aksidentin e së martës, ndodhur në galeritë e Bulqizës, ku mbeti i lënduar A.N, 40 vjeç. Policia tha se ai u godit nga një masiv gurësh teksa ndodhej nëntokë, por që aktualisht gjendet në spital pa rrezik për jetën.
Aksidentet në sektorin minerar kanë qenë të shpeshta ditët e fundit. Po të martën, më 27 maj, në minierën e Katjelit në Përrenjas humbi jetën Saimir Bego, 57 vjeç, me profesion minator.
Ai u zu nga një masiv minerar që u shkëput në galerinë ku po punonte.
Në fillim të muajit maj, për një javë rresht, 29 vjeçari Ardit Beshiri, punëtor pranë fabrikës së pasurimit të kromit në zonën e Bulqizës u shpall i humbur.
Trupi i tij u gjet pas disa ditësh kërkimi, ndërkohë që familjarët ngritën akuza ndaj autoriteteve për neglizhencë dhe mungesë logjistike.
Më shumë se 65 punëtorë kanë humbur jetën në dy vitet e fundit, shumica në sektorin minerar dhe atë të ndërtimit. Sektorët me shkeljet më të rënda të standardeve të sigurisë në punë.
Po gjatë muajit maj, Abaz Basha, 22 vjeç, dhe Egzon Lleshi, 32 vjeç, humbën jetën në kantierin e ndërtimit të një hidrocentrali në fshatin Holtë në Gramsh.
Shumica e aksidenteve lidhen me mungesën e kontrolleve nga institucionet, mbikëqyrjes teknike, kushtet e amortizuara të galerive, logjistikës, apo mungesës së pajimeve dhe trajnimeve për sigurinë.
Lexo gjithashtu:
- Katjel, Përrenjas: Minatori humb jetën në galeri
- Humbi jetën në fabrikën e pasurimit të kromit, familja prej 4 ditësh në kërkim të trupit
- Minatorët e Bulqizës në protestë: S’punojmë pa u plotësuar kërkesat

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).