Citizens.al

Gjadër, aktivistët përkujtojnë emigrantin Hamid Badoui

Pamje gjatë aksionit në Gjadër nga Tobias Sitko.

Hamid Badoui, një maroken 42-vjeçar, i dha fund jetës në burgun Lorusso e Cutugno të Torinos në Itali. Ngjarja ndodhi në sektorin e “të sapoardhurve” vetëm pak orë përpara se ai të dilte para gjykatës.

“Më mirë burgu sesa CPR-ja (Qendra të Përhershme e Riatdhesimit) në Shqipëri, nuk kthehem”, thuhet se i kishte thënë ai avokatit.

Historia e Badouit shpalos një kalvar përpjekjesh të pasuksesshme të një emigranti, të cilit nuk iu dha mundësia për t’u integruar në Itali si një qytetar me të drejta për punë dhe jetë të denjë.

Fillimisht 42-vjeçari qe ndaluar në CPR-në e Barit. Më pas u transferua në kampin e Gjadrit në Shqipëri ku qëndroi rreth pesë javë.

Nuk është e qartë se me çfarë procedure u bë kthimi i tij sërish në Itali, por Badoui qe përballur me akuza për rezistencë ndaj autoriteteve pas një përplasjeje me bashkatdhetarë në një dyqan duhani. Ai u vetëvra me lidhëset e këpucëve.

Më 31 maj, aktivistë dhe qytetarë shqiptarë nderuan kujtimin e tij jashtë kampit të refugjatëve në Lezhë, me pankarta ku shkruhej: “Rrëzojeni Ramën dhe Melonin”, “Liri për emigrantët”, “Digjini të gjitha kufijtë”.

Pamje gjatë aksionit në Gjadër nga Tobias Sitko.

Gjatë fjalës së saj para kampit, aktivistja Kristina Millona e paralelizoi Gjadrin me Guantanamon, “një qendër torturash që prodhon vuajtje dhe vdekje, ku i vetmi shpëtim duket vetëlëndimi.” Fotot e Badouit u ngjitën edhe jashtë portit të Shëngjinit, si simbol për të mos lejuar që kjo histori të përsëritet nga harresa.

Sipas Millonës, raportet e monitoruesve flasin për mbi 40 incidente vetëm në muajin e parë të funksionimit të Gjadrit: vetëlëndime, kushte degraduese, mungesë informacioni dhe pa garanci ligjore.

Aktivistët kërkuan hetim për të gjetur përgjegjësitë që çuan në vetëvrasjen e Badouit, ndalimin e transferimeve drejt Shqipërisë, lirimin e emigrantëve të bllokuar dhe nisjen e një hetimi të pavarur mbi shkeljet e pretenduara.

“Të mbështetësh ende ‘modelin Shqipëri’ do të thotë të jesh bashkëfajtor në një regjim ndalimi dhe përjashtimi që prodhon vuajtje, përjashtim dhe vdekje”, reagoi Amnesty International.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Anna Strolenberg, pas një vizite në Gjadër, tha se “emigrantët nuk dinin as çfarë muaji ishte, shumë janë nën efektin e ilaçeve. Nuk është e qartë sa prej tyre po mbahen.”

Më 9 qershor, Gjykata Kushtetuese e Italisë pritet të shprehet mbi ligjshmërinë e deportimeve drejt Shqipërisë – një vendim që mund të ndryshojë fatin e shumë emigrantëve.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW