Citizens.al

Bujqësia sociale me tokat e konfiskuara, një mundësi e re për të rinjtë

Ilustrim i projektit "Toka Jonë" dhe dy prej pjesëmarrësve/Citizens.al

Në një kohë kur shpesh emigrimi shihet si zgjidhje, të rinj si Klajdi dhe Anxhela kanë vendosur të qëndrojnë.

Klajdi Koka nga Peza e Tiranës, me dëshirën për t’iu kthyer rrënjëve të familjes, ka vendosur të kthejë shtëpinë e vjetër në bujtinë që ruan kujtesën dhe hap dyert për të tjerët.

Në Hamallaj të Durrësit, Anxhela Meta është frymëzuar nga të afërmit e saj bletarë për të ndërtuar idenë e një sipërmarrjeje sociale që prodhon mjaltë dhe jep mundësi për të rinjtë e zonës.

Të dy janë pjesë e programit ‘Toka Jonë” – Ripërdorimi i tokave të konfiskuara për promovimin e bujqësisë sociale, një iniciativë për ripërdorimin e tokave të konfiskuara në funksion të bujqësisë sociale, që mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Ajo po zbatohet nga një tërësi organizatash të udhëhequra nga “Coordinamento delle Organizzazioni per il Servizio Volontario” (COSV), në partneritet me Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe Consorzio Nazionale della Cooperazione di solidarietà sociale Gino Matterelli (CGM).

“Mendova të bëj restaurime dhe ta kthej në shtëpi të dytë për pushime familjare. Aty lindi ideja për ta ngritur bujtinë apo agroturizëm”, tregon Klajdi për Citizens.al.

Klajdi Koka gjatë prezantimit të projektit/Citizens.al

“Kam parë gjyshin ,nënën, prindërit që kanë punuar tokën. Nga njëra anë më vjen keq se përfitimet e tyre nuk kanë qenë të mëdhaja. Por fshati ka diçka të bukur sepse të lejon të jetosh në komunitet”, thotë Anxhela.

Ajo dëshiron që në të ardhmen të investohet në këtë ide, duke krijuar një sipërmarrje sociale për prodhimin e mjaltit, propolisit dhe dyllit të bletës.

“Dua të përfshij edhe të rinj të tjerë nga zona”, rrëfen Anxhela, ndërsa shprehet se nuk dëshiron të largohet nga Shqipëria, edhe pse vështirësitë janë të shumta.

Anxhela dhe Klajdi janë në mesin e 15 të rinjve që janë mentoruar nga ANRD për të përmirësuar aftësitë e tyre në krijimin dhe menaxhimin e sipërmarrjeve sociale në bujqësi.

Alba Tema, oficere projekti pranë ANRD-së tregoi se qëllimi kryesor i projektit ishte mbështetja e të rinjve dhe përfshirja e tyre në sipërmarrjet sociale në sektorin e bujqësisë.

“Është qasje e re e sipërmarrjes sociale bujqësore ashtu edhe për tokat e konfiskuara. Rritja e kapaciteteve lidhur me këtë tematikë, hartimi i ideve të biznesit për të rinj dhe përmirësimi i aftësive të tyre lidhur me hartimin e projekteve, menaxhimin dhe aksesin në fonde ishin disa nga arritjet”, u shpreh Alba.

Anxhela Meta gjatë prezantimit të projektit/Citizens.al

Saimir Bakalli, drejtues i Fondacionit “Josleyn”, i pranishëm në aktivitet, u shpreh se qëllimi është që përmes këtyre ideve, të rinjtë të përfshijnë edhe të tjerë qytetarë në pamundësi ekonomike.

“Nuk do bëhesh milioner apo biznes i madh, por nëse ke fokus social është mundësia më e mirë për t’u integruar. Keni ndërmarrë hapin, keni guximin, e keni idenë, tani ju duhet ta çoni më tej idenë tuaj”, iu drejtua ai të rinjve.

Për Evelina Azizajn, drejtuese e ANRD-së, në ndryshim nga biznesi i zakonshëm, sipërmarrja sociale nuk përqëndrohet vetëm te të ardhurat monetare, por adreson edhe probleme sociale në komunitet.

“Sipërmarrjen sociale e përdor si një mënyrë për t’u integruar qoftë në tregun e punës, qoftë për një mirëqenie më të mirë në komunitetet rurale për shembull ku ka papunësi, mungesë perspektive, është sipërmarrje që integron të gjitha dimensionet”, deklaroi Evelina Azizaj.

Sipas drejtueses së ANRD-së, fakti që ky program vë në fokus të rinjtë jep mesazhe të rëndësishme.

“Fakti që sipërmarrjet i kanë të lidhura me tokën e gjyshit, me tokën e prindërve, me komunitetin ku janë rritur, kjo tregon që rrënjët e të rinjve janë aty dhe ata po e shikojnë të ardhmen për ta ndërtuar aty”, tha Azizaj për Citizens.al

Evelina Azizaj dhe Saimir Bakalli gjatë eventit/Citizens.al

Ripërdorimi i tokave të konfiskuara duke promovuar bujqësinë sociale

Një pemëtore me agrume zuri vend në Shijak, në një nga tokat e konfiskuara nga krimi, duke u kthyer në një nismë komunitare me fokus ripërdorimin social të trojeve.

“ADAD Malore”, organizata që po zbaton këtë nismë, duke e quajtur “Fermë Sociale, e Shëndetshme dhe e Qëndrueshme” e sheh edhe një lloj fuqizimi social dhe ekonomik për zonën.

Hafuz Domi nga “ADAD Malore” thotë se sfidat kanë qenë të mëdha dhe hezitimi nga komuniteti ka qenë i pranishëm.

“Fillimisht kam qenë i rezervuar, por hap pas hapi ne arritëm që t’ia dalim me sukses”, u shpreh Domi.

Tanimë, ferma është e përshtatur me teknologji të re, me sistem ujitës me pika e shoqëruar me mulçërim me plastmas bio-degjenerues, që sipas Domit aplikohet për herë të parë në agrume dhe shërben edhe si model për fermerët e zonës.

Sipas një raporti të ANRD-së, të dhënat e AAPSK-së tregojnë se në Shqipëri deri më tani vlera e aseteve të konfiskuara ka arritur në 140 milionë lekë.

Hafuz Domi nga “ADAD Malore”/Citizens.al

Sipas Evelina Azizajt, projekti për ripërdorimin e trojeve të konfiskuara zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ndaj dhe ka nevojë të diskutohet dhe të ndahen rezultatet me të tjerët.

“…mund të replikohet në të ardhmen si instrument për zhvillimin e qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe mbi të gjitha që tregon sundimin e ligjit, që tokat e përfituara përmes krimit të mund t’i kthehen komunitetit”, u shpreh Azizaj.

Deri më tani është punuar me komunitete në Yzberisht, Durrës dhe Shijak, duke promovuar këtë lloj bujqësie që synon të adresojë problematikat sociale, ekonomike dhe mjedisore.

Edukimi për tokën

“Zëri i Tokës” ishte pjesa teatrale e sjellë nga të rinjtë e Yzberishtit në Tiranë që solli përmes zërave mesazhe të rëndësishme për menaxhimin e trojeve.

Të vendosur në rolin e qytetarit, shtetit, pronarit, tokës ata sollën mes fjalëve të thjeshta një panoramë të përgjithshme se si është menaxhuar deri më sot toka në Shqipëri.

“Projekti ka punuar me grupet komunitare siç janë të rinjtë e shkollave, të cilët janë edukuar mbi sipërmarrjen bujqësore dhe mbi përdorimin e drejtë të tokës”, u shpreh Azizaj.

Çështja e pronës në Shqipëri mbetet delikate. Pas vitit 1991 u ndërmor një reformë radikale duke e shpërndarë tokën në mënyrë të barabartë me të gjitha familjet në zonat rurale, duke mos marrë parasysh pronësinë para komunizmit.

“Kjo qasje krijoi probleme me sigurinë e të drejtave pronësore dhe u krijuan konflikte midis përfituesve të rinj dhe ish-pronarëve që nuk u kompensuan për humbjen”, thuhet në dokumentin e politikave të hartuara nga ANRD.

Gjatë pjesës teatrale të sjellë nga të rinjtë e Yzberishtit/Citizens.al

Sot, edhe pse shumë vite pas reformës shqetësimet mbeten aktuale, duke çuar edhe në konflikte të rënda mes pronarëve dhe ish-pronarëve. Këto konflikte u reflektuan edhe në zbatimin e projektit në Shijak dhe Yzberisht.

AAPSK zgjati vënien në dispozicion të trojeve në 6 muaj, më shumë se sa ishte parashikuar.

“Në përfundim AAPSK kaloi në përdorim tre toka bujqësore të konfiskuara duke përfshirë një parcelë prej 2930 m² në Shijak dhe dy nga 1000 m² secila në Yzberisht”, thuhet në dokumentin e ANRD-së.

Sipas zbatuesve të projektit “Toka Jonë” përdorim i tokave të konfiskuara për promovimin e bujqësisë sociale krijon mundësi konkrete për punësimin dhe fuqizimin e të rinjve, grave dhe grupeve vulnerabël, mirëpo ka nevojë për një seri nismash për të përmirësuar qeverisjen e mirë.

Mes të tjerash organizatat sugjerojnë forcimin e kapaciteteve të AAPSK-së, kryerjen e një analize paraprake të detajuar për asetet e konfiskuara, krijimin e një regjistri publik digjital për të aksesuar asetet e konfiskuara me të dhëna të përditësuara për vendndodhjen, statusin ligjor, sipërfaqen e tyre dhe përdoruesit aktualë.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW