Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar ndaj kritikave për ndërhyrjet e nisura në ish-burgun e Spaçit, duke i cilësuar pretendimet e aktivistëve si “tymnajë e panevojshme” dhe akuzat për manipulim të kujtesës historike si “keqinformime dashakeqe”.
Deklarata e tij vjen pas nisjes së një peticioni publik nga një grup qytetarësh dhe aktivistësh që kundërshtojnë mënyrën e ndërhyrjes në një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ata pretendojnë se punimet janë bërë pa transparencë dhe në kundërshtim me standardet për ruajtjen e trashëgimisë.
Projekti për rehabilitimin e Spaçit, tashmë i besuar organizatës CHwB Albania, përfshin ndërhyrje konservuese dhe funksionalizimin e disa godinave, me synimin për ta kthyer zonën në muze. Mirëpo paralelisht një pjesë e këtij projekti duket të jetë çuar para për të ndihmuar në realizimin e një filmi.
Gonxhja: Pretendimet, tymnajë e panevojshme
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i konsideroi punimet e nisura në muajin maj në ish-burgun e Spaçit “pjesë të një strategjie më të gjerë” që synon “rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.
Në një reagim në Facebook, të premten, ai hodhi poshtë pretendimet për tjetërsim të historisë, apo qokë, kinse punimet po bëhen për hir të filmit të Namik Ajazit dhe Visar Zhitit. Gonxhja.
Ministri kujtoi miratimin e planit të menaxhimit (2024), që synon ta kthejë Spaçin muze. Ai theksoi se ky plan është miratuar pas “një raundi konsultimesh me grupe interesi” që përfshinin më shumë se 58 persona, ish-të burgosur politikë, profesorë, muzeologë, profesionistë të ruajtjes së kujtesës, përfaqësues të komunitetit, etj.
Por, sipas Gonxhes, plani për realizimin e muzeut kërkon një kohë shumë më të gjatë se ajo që ka parashikuar për xhirimet grupi i kineastëve shqiptaro-italian me në krye regjisorin Ajazi dhe shkrimtarin Zhiti, të cilët kanë qenë gjithashtu ish-të përndjekur dhe të burgosur gjatë diktaturës.
Për këtë, ai tha se ishte kërkuar realizimi me prioritet i disa ndërhyrjeve përforcuese të pjesshme që do ta mundësonin sigurinë dhe rikrijimin e atmosferës së vitit 1973 kur u krye revolta në ish-burgun e Spaçit. Ministri theksoi se buxheti dhe ndërhyrjet “janë minimale”.
Postimi i tij u shoqërua me disa foto nga vendi, përfshirë një godinë me dritare blu, për të cilën ai pyeti se pse nuk ka pasur reagime në të kaluarën kur u vendosën ato elemente.
“Ky projekt nuk ka për qëllim modifikimin e kujtesës historike, përkundrazi – synon të sigurojë vazhdimësinë e saj,” tha Gonxhja, i cili e përmbylli reagimin duke etiketuar një pjesë të aktivistëve si “Sanço Panço të politikës së vjetër”.

Reagime ndaj ndërhyrjeve: Kujtesa kolektive përballë rikonstruksionit estetik
Arkitektë dhe aktivistë të zëshëm në çshtjet publike kanë reaguar ashpër ndaj ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit, por edhe për gjuhën dhe argumentet e përdorura nga ministri Gonxhja.
Urbanistja Doriana Musai i cilësoi këto veprime si “art-washing institucional”, ku arti përdoret si mbulesë për shkeljen e parimeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Sipas saj, suvatimi dhe rilyerja e mureve “të një kampi torture për hir të estetikës filmike është njësoj si të zbukurosh Auschwitz-in për të xhiruar një dramë më realiste”. Ajo e konsideroi këtë ndërhyrje si formë të re dhune ndaj kujtesës, që përpiqet të zëvendësojë autenticitetin historik me një version të sterilizuar dhe politikisht të kontrolluar të së kaluarës.
Musai theksoi se përgjegjësinë morale për ruajtjen e Spaçit e ka pushteti aktual, si trashëgimtar politik i Partisë së Punës që ndërtuan kampin dhe sistemin represiv. Në këtë kontekst, reagimin e Ministrit Gonxhja ajo e cilëson si “përçmues dhe të cekët”, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe refuzimin për t’u përballur me kritikat e shoqërisë civile dhe komunitetit të ish-të përndjekurve.
Arkitekti Arnen Sula kritikoi ashpër gjuhën përçmuese të përdorur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndaj kritikëve dhe theksoi se ndërhyrjet aktuale bien ndesh me planin e miratuar të menaxhimit, duke transformuar vendin nga një hapësirë e kujtesës në një skenografi të gënjeshtërt.
Edhe Qëndresa Qytetare e kundërshtoi rikonstruksionin, duke paralajmëruar se Spaçi po rrezikon të banalizohet në formën e një “kioske makinash me qira”, ndërsa kërkohet një projekt serioz me garanci ligjore dhe profesionale që ruan autenticitetin dhe nderon vuajtjet njerëzore.
Sidorela Vatnikaj, e cila është marrë me një pjesë të organizimeve për të adresuar shqetësimet për këtë çështje e konsideroi reagimin e ministrit si “të turpshëm” dhe konfirmues se “Spaçi po shkatërrohet dhe qytetarët duhet ta mbrojnë”. Vatnikaj i bëri thirrje ministrit Gonxhja për pjesëmarrje në një takim me qytetarët, të shtunën në Spaç, takim që ajo e cilësoi “konsultimi publik që nuk u bë nga qeveria”.
Të katërta reagimet theksojnë nevojën për ndjeshmëri, respekt dhe dinjitet në trajtimin e kësaj hapësire të ngarkuar me dhimbje historike.
Aktivistët nisin peticion: Dëmtohet kujtesa historike
Një peticion publik i nisur nga një grup aktivistësh dhe qytetarësh të angazhuar në mbrojtjen e kujtesës historike, ka nxitur debat mbi ndërhyrjet që po kryhen në ish-burgun famëkeq të Spaçit. Sipas tyre, punimet po zhvillohen pa konsultuar dhe po dëmtojnë autenticitetin e një prej simboleve të dhunës së diktaturës komuniste.
Në tekstin e peticionit, të publikuar nga platforma “Qytetarin.com”, theksohet se suvatimet, lyerjet dhe transformimet e brendshme janë realizuar pa transparencë, pa një konsultim me publikun dhe në kundërshtim me standardet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Firmëtarët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve dhe përfshirjen e ish-të përndjekurve, studiuesve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes për të ardhmen e Spaçit.
Aktivistët kanë paralajmëruar një deklaratë publike në vetë ish-burgun e Spaçit të shtunën, më 7 qershor, ku do të denoncojnë dëmet e shkaktuara dhe do të kërkojnë llogaridhënie institucionale. Ata kanë ftuar qytetarë, gazetarë dhe përfaqësues të institucioneve që të marrin pjesë për të parë nga afër gjendjen aktuale të vendit.
Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur, të cilët u angazhuan në minierën e bakrit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua.
Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite. Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Projekti i fundit, i vitit 2023, duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).
Çfarë parashikon projekti?
Në një artikull të mëparshëm, Citizens.al, ka treguar detajet e ndërhyrjeve të parashikuara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në strukturat e Spaçit. Projekti me vlerë rreth 100 mijë euro, po zbatohet nga “Martini Konstruksion & Real Estate”.
Nga janari deri në fund të muajit mars, IKTK anuloi të paktën tre herë tenderin për mungesë ofertash.
Projekti parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.
Në relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.
Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.
Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.
Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.