Oborri i shtëpisë së Jetmira Kajoshit në Shtoj të Ri u mbush me gra e vajza që kishin ardhur për t’u njohur me Shkodrën përmes duarve të një artizaneje.
Në katin e parë të shtëpisë së saj, Jetmira ka ngritur një punishte për prodhimin e sapunëve nga bimët vendase si livanda, sherebela apo çaji i malit.
Dhjetë vite më parë, ideja për të prodhuar sapunë dukej e largët. Sot, ajo është shembull i qëndrueshmërisë, kurajës dhe formalizimit të punës në tregun vendas.
“Në fillim askush nuk besonte që sapuni bëhej këtu. Me kalimin e kohës produkti u përqafua,” rrëfen Jetmira për Citizens.al.
Të bësh biznes në Shqipëri nuk është e lehtë, sidomos për gratë që ndeshen me mosbesim dhe pengesa administrative që nga dita e parë.
“Publiciteti bëhet bukur, por realiteti është ndryshe,” thotë ajo duke treguar vështirësitë që haste për të bindur klientët për produktin vendas.
Sot Jetmira administron punishten vetë. Në periudha sezoni punëson gra të tjera nga komuniteti për mbledhjen e bimëve dhe përgatitjen e sapunëve artizanalë.
Në dallim nga nismat e tjera, Jetmira e formalizoi biznesin që në fillim, edhe pse nuk kishte më shumë se 100 sapunë në magazinë.
“E hapa NIPT-in pa ditur si do shkonte. Por ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë,” kujton ajo me bindje.
Sot, sapunët e saj shiten si suvenire shqiptare në dyqane artizanale dhe në aeroportin e Rinasit, duke mbartur aromën dhe identitetin e Shtojit të Ri.
Pasdite në Shirokë me peshkatarët e liqenit
Në të njëjtën ditë, pak kilometra larg, Agim Kallmi përgatitej të nisej me varkë në liqenin e Shkodrës. Ai është një prej peshkatarëve të fundit të zonës.
Për 35 vite, Agimi ka dalë çdo ditë në liqen për të peshkuar. Sot, më shumë sesa punë, e quan këtë një mënyrë jetese.
“Kam peshkuar me vëllain pastaj dhe me nusen, por kemi punuar mirë,” thotë ai teksa shtyn varkën në ujë.
Sipas Agimit, liqeni ka shumë specie, por peshkimi është përqendruar te krapi i madh, që kalon pesë kilogramët.
Dita për të nis në orën katër të mëngjesit dhe përfundon pas perëndimit. Ai thotë se të rinjtë nuk duan më të futen në varkë, e cila mbart dhe rreziqe. Këtu merr për shembull të birin.
“Më mirë thotë rri kamerier se të rrezikoj në liqen,” tregon Agimi i mësuar me motin e paparashikueshëm.
Fuqizimi i gruas përmes turizmit
Jetmira dhe Agimi ishin pjesë e një turi të organizuar nga UN Women Albania, që synon të fuqizojë gratë përmes përfshirjes në turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Sipas Irena Shtrazës, drejtuese e projektit, turizmi është një mundësi e artë për të përparuar barazinë gjinore dhe për të ndërtuar ekonomi lokale të qëndrueshme.
“Kjo nuk është vetëm tendencë, është një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës,” u shpreh ajo për Citizens.al.
Në guidë përfshihen gra nga zona të ndryshme, që ofrojnë përvoja të ndryshme: hiking, artizanat, kulinari, peshkim, apo kundrim shpendësh.
Shembuj konkretë janë: “Hello Albania” në Vlorë, “Guided Holidays” në Shkodër, apo “Balkan Pearls” në Tiranë që ofron ture për nënat me fëmijë.
Sipas Irenës, 82% e vendimeve për udhëtime në botë merren nga gratë dhe deri më 2028, ato do të kontrollojnë 75% të shpenzimeve për pushime.
“52% e grave në botë kanë udhëtuar solo me prirjen për destinacione të sigurta, fuqizuese dhe autentike nga ana kulturore,” shton ajo.
Industria turistike po përshtatet: gjithnjë e më shumë produkte dhe shërbime po krijohen për gratë që udhëtojnë vetëm, me fëmijë, apo për të takuar komunitete të tjera grash.
Kjo po nxit nevojën për një turizëm që ofron edhe përvoja njerëzore që nxisin ndërveprimin me komunitetet lokale.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).