Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) e ka renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Evropë sa i takon cilësisë së ujërave në plazhe, duke përfshirë këtu det, liqene apo dhe lumenj. Raporti, i cili mbulon të dhënat e katër viteve të fundit (2021-2024), ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin mjedisor në vend dhe pasigurinë që u kanoset pushuesve dhe ekosistemeve detare.
Në raport, EEA ka analizuar më shumë se 21,000 vende të caktuara për plazhe apo larje në të gjithë Evropën, duke u mbështetur në të dhënat publike të siguruara nga vendet anëtare dhe kandidate për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si Shqipëria. Qëllimi është mbrojtja e shëndetit publik dhe e biodiversitetit përmes monitorimit të rregullt të cilësisë së ujërave, në kuadër të Planit të Veprimit për Zero Ndotje të BE-së.
Sipas të dhënave të mbledhura, nga 119 vende të njohura zyrtarisht për larje në Shqipëri, vetëm 16% e tyre janë vlerësuar si “me cilësi të shkëlqyer” të ujërave, një rënie dramatike prej 25 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023.
Më tej, gjysma e pikave të caktuara për plazhe dhe larje rezultojnë “me cilësi të mirë”, 11.8% “me cilësi të pranueshme” dhe 22.7% “me cilësi të dobët” – një përqindje kjo mbi 10 herë më e lartë se mesatarja evropiane prej vetëm 1.5% të ujërave me cilësi të dobët.
Problemi i thelluar i ndotjes: Një krizë e paralajmëruar
Të dhënat e raportuara nga Citizens.al edhe në vitin e kaluar, paralajmëronin për një situatë të përkeqësuar. Atëherë, ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nënvizuan mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura, shkarkimet e pakontrolluara urbane dhe mungesën e një kalendari të qëndrueshëm monitorimi si shkaqet kryesore.
Raporti i EEA për vitin 2024 vetëm sa e konfirmon këtë përkeqësim. Në mënyrë shqetësuese, asnjë nga vendet e caktuara për plazhe dhe larje në Shqipëri nuk përmbushi marrjen e mostrës para sezonit, një kriter bazë për sigurinë e pushuesve.
Sipas standardeve evropiane, për çdo vend për larje kërkohet të merren të paktën katër mostra gjatë sezonit, përfshirë një mostër para fillimit të tij, me një interval që nuk duhet të kalojë një muaj.
Por pse po dështon Shqipëria në këtë pikë?Shkaqet e cilësisë së ulët të ujërave larës janë të shumta dhe të njohura:
- Ndotja urbane dhe industriale pa filtra mbrojtës.
- Mungesa e impianteve funksionale për trajtimin e ujërave të zeza.
- Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve në bujqësi.
- Menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e një sistemi funksional të mbikëqyrjes mjedisore.
Këto faktorë po përkthehen në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik përmes rrezikut nga infeksionet dhe sëmundjet që lidhen me ndotjen e ujit – dhe një dëm të pakthyeshëm për ekosistemet ujore dhe turizmin bregdetar.
Kontraste të forta me Evropën
Ndërkohë që vendet si Qipro (99.2%), Bullgaria, Greqia dhe Austria udhëheqin listën me “ujëra të shkëlqyera” në raportin e EEA-së, Shqipëria mbetet në fund, së bashku me Estoninë dhe Poloninë, duke reflektuar një hendek të thellë në përkushtimin institucional dhe implementimin e politikave mjedisore.
Raporti i thekson nevojën e ristrukturimit të sistemit të monitorimit të ujërave në Shqipëri, vendosjen e një kalendari të rregullt të marrjes së mostrave dhe investime afatgjata në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza.
Gjithashtu, kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë me BE-në për rritjen e standardeve, transparencës dhe kapaciteteve teknike të institucioneve përgjegjëse. Vetëm kështu mund të ndalet rrëshqitja drejt një krize të përhershme mjedisore që dëmton jo vetëm natyrën, por edhe perspektivën turistike dhe ekonomike të vendit.
Si një tregues i mungesës së transparencës, të dhënat e listuara në raport nga AKM-ja nuk ishin të aksessueshme në momentin e botimit të këtij artikulli. Lidhja e bërë në raport rezultonte e paarritshme me webfaqen e AKM-së.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.