Aktivistë dhe qytetarë të shqetësuar nga ndotja e mjedisit dhe rastet e zjarreve në vendgrumbullimet e mbeturinave në Elbasan dhe Vlorë reaguan sot para ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Të thirrur nga organizata “Qëndresa Qytetare” ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.
Me maska dhe pankarta në duar, aktivistët denoncuan nivelin e lartë të ndotjes që u çlirua pas djegies së vendgrumbullimit të mbeturinave në Elbasan.
Sipas matjeve të fundit, ndotësit ajrorë ishin disa herë mbi normat e lejuara. Metani, azoti dhe dioksidi i karbonit shënuan nivele alarmante për shëndetin publik. Por asnjë institucion nuk lëshoi paralajmërim për qytetarët për masat mbrojtëse.
“Ministria heshti përballë një emergjence të përsëritur dhe të parashikueshme,” tha në një deklaratë që u mbajt para ministrisë nga Migen Qiraxhi, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.
Aktivistët theksuan se zjarret në fushat e mbetjeve janë shndërruar në dukuri të zakonshme në Tiranë, Elbasan e Vlorë.
“Ato janë pasojë e dështimit të projektit të inceneratorëve, që ka përpirë miliona euro publike,” vijoi Qiraxhi, “Në Elbasan, inceneratori që ka kushtuar 42 milionë euro, nuk ka parandaluar asnjë zjarr”.
Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”
Zjarrfikës pa mjete, institucione pa përgjegjësi
Zjarret ekspozuan dhe një tjetër dështim: gjendjen e mjerueshme të zjarrfikësve.
“Katër automjete të viteve ’80 që nuk mund të përballojnë as zjarret e një magazine, janë përdorur për të luftuar flakët e një fushe mbetjesh, e cila përpiu në pak orë të gjithë qytetin e Elbasanit, ndërkohë që ndërhyrja ajrore as u mendua fare si opsion,” theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratë.
Aktivistët kujtuan momentet e vështira sa i takon përballjeve me flakët. Pamjet e zjarrfikësve që shuajnë zjarret me shkurre, tregojnë mungesën e investimeve në këtë sektor të rëndësishëm për vendin.
Ata thanë se, në vitin 2024, Shqipëria regjistroi 1,077 vatra zjarri dhe 43,466 hektarë të djegura. Shifër e dyfishuar krahasuar me vitin 2023, dhe që sipas aktivistëve kaloi pa asnjë analizë institucionale.
Qëndresa theksoi se ndërsa vendi digjet, institucionet zgjedhin heshtjen dhe mungesën e përgjegjësisë. Për këtë aktivistët kërkuan veprim urgjent nga SPAK dhe prokuroritë për zbardhjen e përgjegjësive.
Lexoni gjithashtu:

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.