Përpjekja e sforcuar e autoriteteve ligjzbatuese ia doli të ndalonte Rrally-n në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë këtë fundjavë, por jo dëmin që shkaktuan me dhjetëra makina Off Road, të cilat pushtuan për dy ditë Plazhin e Dajlanit në Zvërnec dhe xhiruan gomat mbi rënën dhe kodrat e buta, përgjatë vijës bregore në jug të Gjirit të Vlorës, aty ku shtrihen dunat ranore dhe lëshon vezët breshka e rrallë e ujit (Carreta carreta).
Barbaria e garave me makina të larta, që bashkon pasionin sportiv me tipare dominuese mashkullore të supozuara, u kthye sërish për të festuar në një zonë me ndjeshmëri të lartë, duke konsumuar krimin mjedisor të radhës, pas incidentit shokues të derdhjes së mbetjeve të hidrokarbureve në parkun lumor kombëtar të Vjosës, pak ditë më parë.
“Pluhur, fuqi dhe pa frena”, ishte slogani i vrazhdë i një gare burrash me makina që u promovua gjerësisht për disa javë në rrjetet sociale nga organizatorët, në formën e një feste verore, e cila tërhoqi dhe siguroi mbështetje edhe nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, ndonëse ky i fundit u tërhoq më pas, kur gara u bë një shqetësim publik, duke fshirë disa prej postimeve mbështetëse.

Reagimi i autoriteteve ishte i dobët dhe aspak motivues. Megjithëse gara finale u arrit të ndalohej, organizatorët, së bashku me pjesëmarrësit nga Shqipëria, një pjesë të ardhur nga jashtë, arritën “të festojnë” për të paktën dy ditë rresht, mbi një pistë dritash të improvizuar dhe mbi makina me rrota të mëdha, të cilat shkatërruan mjaftueshëm habitate me shumëllojshmëri të theksuar biologjike.
Në fakt, merita e vërtetë për ndalimin e garës i takon ornitologut Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, i cili ndodhej në zonë për një monitorim rutinë. Në muzgun e së shtunës (28 qershor), krahas zogjve, dylbia e tij pikasi një grumbull të pazakontë shoferësh, në afërsi të vendit ku Deti Adriatik bashkohet me Lagunën e Nartës. I shqetësuar njoftoi policinë dhe njëkohësisht, administratën e zonave të mbrojtura, të cilët mbërritën, por me vonesë.
Dihet si rrjedhin ngjarjet në skena të ngjashme: përplasje, tone të ngritura, madje dhe kapje me dorë mes burrave me uniforme dhe shoferëve gjysmë lakuriq me shapka plastike e tuta sporti. Për nga rrëmuja, britmat dhe alarmi, atmosfera i ngjante më shumë një konflikti të armatosur, sesa një marrëveshje për rivendosjen e rendit publik. Krahas dhjetëra makinave, në vendngjarje ndodhej edhe një ambulancë e shërbimit publik, e gatshme për të ndërhyrë në rast të një aksidenti të mundshëm gjatë garës.
Shndërrimi i parqeve kombëtare dhe i zonave të egra në itinerare garash me makina të rënda është bërë traditë e keqe. Zonat e Mbrojtura shihen si terrene të përshtatshme për zhvillimin e tyre, ndërkohë që mungon vetëdija për t’i parë ato si aktivitete të dëmshme, që shkatërrojnë, jo vetëm natyrën, por nuk favorizojnë as turizmin.

Por po aq sa ndjekësit e kësaj tradite, kërcënimi vjen edhe nga lejuesit dhe promovuesit e saj.
Të parët janë kryetarët e bashkive. Për ta e rëndësishme është promovimi për më shumë të ardhura. Janë paratë që garantojnë suksesin e tyre, por edhe karrierën. Ishin këta kryetarë që propozuan (formalisht) ndryshimet ligjore të zonave të mbrojtura vitin e shkuar, duke kërkuar ndarjen e territoreve mes pushtetit qendror dhe pushtetit lokal. Të joshur nga rritja mbytëse e investimeve strategjike, lakmia i bëri që të mos e fshihnin turpin nga dëshira për të grabitur copën e fundit. Por qeveria i mori të gjitha për vete. Ajo shfrytëzoi ndryshimet e kërkuara për hapjen e zonave të mbrojtura kundrejt resorteve dhe hotelerisë turistike. Nën të njëjtin model, këta banditë lokalë po hapin dyert e zonave të egra për gara me makina për të propaganduar gjoja një turizëm të ri: turizmin e aventurës.
Të dytët janë “Administrata e Zonave të Mbrojtura”: rejnxhërsat – rojet e zonave të mbrojtura. Këta nuk kanë asgjë në dorë. Ato pak kompetenca që kishin i kanë humbur. Por më shumë kanë humbur dinjitetin. Një pjesë e stafit (më kurajozët) është larguar ose është pushuar. Zëvendësuesit dhe punonjësit e mbetur nuk mund të bëjnë asgjë, pasi e dinë mirë se drejtohen nga burokratë keqbërës që sillen me zonat e mbrojtura si gangsterë. Sot, nuk ka mjerim më të madh se portreti i një rejnxhërsi i caktuar për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Dikur, një model frymëzimi, imazhi i rejxhërsit mund të krahasohet, lehtësisht dhe tragjikisht, me portretin e një të pashpresi – alegori e gjendjes së territoreve që ata mbrojnë.
Të tretët janë e ashtuquajtura shoqëri civile, e prezantuar në formën e jofitimprureseve, përmes ekspertëve mjedisorë, të cilët ushqehen, kryesisht me fonde të huaja. Deri tani nuk është regjistruar ndonjë përpjekje e sinqertë dhe efektive prej tyre për të ndaluar çmendurinë e garave brenda zonave të mbrojtura. Asnjë organizim i thelluar, asnjë arritje e qëndrueshme për t’iu kundërvënë kësaj masakre. Pothuajse asgjë!
Në vend që të kufizoheshin në numër e në itinerar, garat janë shtuar dhe programet janë pasuruar. Në më shumë se dy dekada, por veçanërisht gjatë kësaj të fundit, itineraret e garave janë shtrirë si metastaza, kudo nëpër zonat e mbrojtura: përgjatë shtigjeve të egra, nëpër shtretër dhe proska të virgjëra, përgjatë luginave dhe grykave malore të vendit. Dhe njësoj, sikurse kanceri shkatërron organet e buta të njeriut, këto itinerare shkatërrojnë shtratin e jetës: tokën pjellore dhe filizërinë e gjelbër, shpresën e vetme të mbetur, pas prerjeve, pas zjarreve dhe pas braktisjes totale.
Me të drejtë ngrihet një pyetje: kush mund t’i mbrojë zonat e mbrojtura nga agresioni i garave Rally?
Ende nuk ka një shpresë të qëndrueshme. Mekanizmat janë të pafuqishme dhe rastësia nuk garanton siguri. Konkluzioni është i qartë: rreziku më i madh nuk vjen nga garat me makina, porse askush nuk është në gjendje t’i ndalojë ato.
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.