Raporti i pluralizmit mediatik në Shqipëri, i përgatitur nga Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias (CMPF), e rendit Shqipërinë tek vendet me rrezik të lartë.
CMPF është një qendër kërkimore me seli në Institutin e Universitetit Evropian në Firence të Italisë.
Në raportin e fundit të CMPF-së, Shqipëria thuhet se ka shënuar pak përparim në përmirësimin e lirisë së medias dhe garantimin e pluralizmit mediatik gjatë vitit 2024, pavarësisht hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas raportit, vendi ynë vijon të përballet me sfida të mëdha në katër fusha kryesore: Mbrojtja themelore e lirisë së shprehjes, pluralizmi i tregut, pavarësia politike dhe përfshirja sociale.
Edhe pse liria e shprehjes është e garantuar nga Kushtetuta, në praktikë ajo kufizohet për shkak të presioneve politike, interesave të pronarëve të medias dhe krimit të organizuar.
“Edhe pse dënohet me gjobë, shpifja mbetet pjesërisht e kriminalizuar në Shqipëri, ndërsa vendi nuk ka bërë asnjë përparim në miratimin e një legjislacioni specifik kundër padive SLAPP”, thuhet në raport.
Raporti përmend se gazetarët në Shqipëri gjatë vitit 2024 u përballën me mungesë sigurie, kërcënime dhe kushte të dobëta pune, ndërsa autoritetet shpesh refuzuan në mënyrë arbitrare aksesin në informacion publik.
Sa i përket pluralizmit të tregut, raporti përmend se kjo është dhe zona më e rrezikuar, pasi pronësia në Shqipëri është e përqëndruar në duart e pak familjeve dhe ka një mungesë transparence sidomos për median online.
“Nuk ekzistojnë masa për të ndaluar përqendrimin e pronësisë apo për të kontrolluar ndikimin komercial mbi vijën editoriale”, thuhet në raport.
Sa i përket pavarësisë politike, raporti nënvizon se shumë media janë të lidhura me aktorë politikë ose pronarë që përfitojnë nga kontrata publike, gjë që ndikon direkt në pavarësinë editoriale.
“Emërimet dhe shkarkimet në median publike janë thellësisht të politizuara, ndërsa mbulimi i fushatave elektorale vazhdon të favorizojë partitë kryesore duke lënë jashtë aktorët e vegjël politikë”, thuhet më tej.
Shqipëria vijon të ketë probleme me përfshirjen sociale, pasi aksesi në media për komunitetet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar apo grupet etnike vijon të jetë i cunguar.
Sipas raportit, gratë janë të nënpërfaqësuara si në përmbajtje ashtu edhe në pozitat drejtuese në media. Politikat për edukimin mediatik janë të dobëta dhe mungon integrimi i tyre në sistemin arsimor.
Raporti thekson se për të avancuar në përputhje me standardet e BE-së, Shqipëria duhet të bëjë përparime në disa fusha, si dekrminalizimi i shpifjes dhe miratimi i ligjit kundër padive SLAPP.
Po ashtu rekomandohet të forcohet pavarësia e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe të përmirëoshen procedurat e emërimeve. Të garantohet transparencë në pronësinë e të gjitha mediave, përfshirë dhe ato online.
Shqipëria ka bërë disa hapa drejt përputhjes me standardet evropiane, me hapjen e negoacitave, por megjithatë raporti vlerëson se mungesa e vullnetit politik, përqendrimi i pushtetit mediatik dhe ndërhyrjet e papërshtatshme në punën e gazetarëve vijojnë të mbeten pengesë serioze për një mjedis të lirë dhe pluralist të medias.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.