Citizens.al

Citizens shpjegon pse nuk po lirohen hapësirat publike

Ilustrim i zaptimit të trotuareve nga kantierët e ndërtimit/Citizens.al

Kryeministri Edi Rama e quajti “rikthim te qytetarët” aksionin e nisur këtë javë për lirimin e hapësirave publike. Por në Tiranë, terreni tregon një realitet tjetër, ku kantieret e ndërtimit janë përjashtime.

Citizens verifikoi se realisht zaptimi i hapësirave publike nuk kryhet vetëm nga baret apo restorantet, por edhe nga kantieret e ndërtimit.

Aksione me shtrirje selektive

Qeveria dhe bashkitë e vendit, sikurse dhe Bashkia Tiranë, kanë ndërmarrë aksione kundër zaptimit të hapësirave publike. Përgjithësisht, synimi është pastrimi i qytetit nga strukturat informale të bizneseve të vogla.

Ndërkohë, ndërtime shumëkatëshe të shtrira në gjithë kryeqytetin kanë zgjeruar kantieret e tyre në trotuare e madje dhe në rrugë.

Shembuj konkretë të zaptimit të hapësirave publike nga kantieret e ndërtimeve janë:

Qendra e Tiranës ku dallojnë:

  • kulla e Hotel InterContinental: ka marrë trotuarin dhe një korsi makine.
  • kompleksi “Book Building” pranë Sahatit ka pushtuar segmente të rrugës “28 Nëntori” dhe “Abdi Toptani”.

Zona e ish-“Ekspozitës Shqipëria Sot” ku dallojnë:

  • Kulla “Green Tower” në bulevardin “Gjergj Fishta” ka zënë të gjithë trotuarin.
  • Te rruga “Islam Alla” ndërtimet kanë zënë një segment të rrugës.

Pazari i Ri:

  • Në rrugicën “Riza Jasa” ndërtimet kanë kufizuar lëvizjen e banorëve dhe turistëve.
  • Në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” kantieri i Bazaar Gate u ka ngushtuar rrugën e banorëve.

Rruga “Xhanfize Keko”:

  • Kulla “Filigree Tower” ka uzurpuar një korsi të plotë rruge, duke ndikuar ndjeshëm në trafik.

Qasja selektive ndaj zaptimeve ekspozon një standard të dyfishtë institucional. Ndërkohë që bizneset e vogla ndëshkohen dhe linçohen publikisht, ndërtimet e mëdha tolerohen në heshtje.

Kjo përzgjedhje e qëllimshme hedh dyshime për favore politike apo interesa të mëdha ekonomike. Zaptimi i trotuareve nga kullat nuk shihet si problem, ndryshe nga zaptimi nga një kioskë apo tavolinë.

Kjo politikë e njëanshme përkeqëson jetën urbane dhe rrit pasigurinë për qytetarët. Rikthimi i hapësirës publike te qytetarët duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Nëse misioni është sinqerisht urban dhe qytetar, ai duhet të përfshijë edhe kantieret e ndërtimeve dhe jo vetëm karriget, apo çadrat e bareve dhe restoranteve.

Përndryshe, aksioni kthehet në propagandë që prek më të dobëtit dhe kursen më të fortët.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW