Citizens.al

Hije konflikti interesi në konkurset e projekteve të tre stadiumeve

Ilustrim grafik i projektit të stadiumit Niko Dovana dhe dyshimit për konflikt interesi në juri/Citizens.al

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) organizoi konkurse projektimi për stadiumet e Durrësit, Vlorës dhe Korçës, por procesi mban hije dyshimi për konflikte të mundshme interesi. Arkitektë të përfshirë në juritë e përzgjedhjes kishin lidhje me studiot fituese të projekteve.

Konkurset e dyshimta

Në vitin 2023, AKPT organizoi konkurse për rijetëzimin e stadiumeve: “Niko Dovana” (Durrës), “Flamurtari” (Vlorë) dhe “Skënderbeu” (Korçë). Morën pjesë 42 studio, të cilat paraqitën gjithsej 86 projekte.

Fituesit u shpallën në prill 2023. Për Durrësin, u përzgjodh 51N4E & Plan Comun. Në Korçë, fitoi bashkimi Cebra & ARUP & UNO. Ndërsa në Vlorë, u përzgjodh XDGA me partnerë shqiptarë dhe të huaj.

Por nëse kthehemi pas dhe shqyrtojmë procesin, përzgjedhja ngjall dyshime për mungesë transparence dhe konflikte të mundshme interesi. Juritë patën anëtarë që kishin lidhje me disa nga studiot pjesëmarrëse.

Rasti më shqetësues ishte ai i studios belge XDGA. Themeluesi i saj, Xaveer de Geyter, ishte në jurinë e stadiumit të Durrësit, ku fitoi 51N4E. Ai rezulton të ketë pasur lidhje me administratorin e 51N4E, Johan Anrys.

Juritë e konkurseve, arkitektët e nënvizuar ishin gjithashtu pjesëmarrës në garë/Citizens.al

Anrys është bashkëthemelues i studios lokale “iRI”, në të cilën ka qenë aksioner – të paktën deri në prill 2023. XDGA ka punuar me “iRI”-n në disa projekte, për shembull për zhvillimin e PDV-së për zonën e ish-Gardës.

Pra de Geyter, në jurinë e Durrësit, mori përsipër të vlerësonte si fitues projektin e bashkëpunëtorit të tij Anrys.

Peter Wilson, Špela Videčnik dhe Diogo Brito, nga juria e Korçës, ishin në kushte të tjera konflikti të mundshëm interesi. Ngjashëm Marco Casamonti, Jesus Hernandez dhe Odile Decq, nga juria e Vlorës. Po ashtu Pablo Bofill dhe Caterina Memeo nga juria e Durrësit.

Ky grup arkitektësh ishin në juri pavarësisht se studiot e tyre kishin garuar për projektet e stadiumeve.

AKPT tha për Citizens.al se juritë vepruan në fazën e dytë. Ato u ngritën pas një përzgjedhjeje paraprake që u ishte bërë projekteve nga një komision teknik.Sipas AKPT-së, pjesëmarrja e këtyre arkitektëve në juri nuk përbënte konflikt pasi studiot e tyre ishin eliminuar nga gara.

Megjithatë, rasti i XDGA-së nxjerr në pah lidhjet e ngushta të rrjetit ndërkombëtar të studiove.

Nga konkurset bie në sy anashkalimi i pushtetit vendor në Vlorë. AKPT ka marrë në juri ministren e Kulturës Elva Margaritin dhe jo kryetarin e Bashkisë Dritan Leli – asokohe në marrëdhënie të trazuara politike me kryeministrin Rama.

Qeveria i pagoi projektet me fonde publike, pa siguruar investitorë konkretë për ndërtimin e tyre. Ndërkohë dy vite më pas ajo ka nisur t’ua ofrojë për zhvillim privatëve përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH).

Rasti i parë është ai i stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, thirrja për të cilën u hap nga KISH këtë javë.

Lidhja në bashkëpunime mes 51N4E dhe XDGA/Citizens.al

Paratë publike për projekte private

Qeveria i pagoi studiot fituese për projektet e tre stadiumeve dhe zonave përreth me 1.2 milionë euro. Pagesat u kryen për “Planet e Detyruara Vendore” për secilin projekt.

Për stadiumin e Durrësit, “Niko Dovana”, 51N4E dhe Plan Comun u paguan me 368 mijë euro.

Megjithatë, deri në fillim të vitit 2025, asnjë investitor nuk ishte paraqitur për realizimin e tyre. Projekti i stadiumeve mbeti në nivel vizualizimi 3D, pa ndonjë plan konkret zbatimi.

Kryeministri Rama njoftoi në prill 2025 se KISH po përgatiste garën për zhvilluesit. Por Korporata nuk kishte hapur asnjë thirrje konkrete për investitorë.

Në faqen zyrtare, projektet u shfaqën pa përshkrim dhe pa afate të caktuara, së paku deri në qershor.

Më 19 qershor 2025, qeveria miratoi një VKM për transferimin e stadiumit “Niko Dovana” te Korporata. Ajo autorizohej për negocim të drejtpërdrejtë me investitorë privatë për kontrata zhvillimi.

Procesi përjashton garën për projekt-idenë, që në raste të tjera u lihet investitorëve. Në këtë rast, qeveria pagoi vetë për projektet, duke i dorëzuar privatëve një paketë të gatshme.

KISH hapi të mërkurën, datë 9 korrik, thirrjen për investitorë me afat deri më 15 shtator.

Njësoj si në rastin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe ish-“Qemal Stafën” nuk janë dhënë garanci se cilat klube futbolli do të luajnë në të. Teuta për shembull, aktualisht ka mbetur pa stadium.

Projekti 51N4E dhe Plan Comun shtrihet në mbi 76 mijë m² truall dhe parashikon përveç stadiumit (27 mijë m²), zhvillimin e një qendre multifunksionale, njësi hotelerie, tregtare dhe rezidenciale.

Sipas specifikimeve, partneri privat duhet të ketë kapacitete financiare dhe likuiditet apo mundësi financimi për së paku 9.5 milionë euro.

Kriteri bazë në kualifikimin e ofertave do të jetë mundësia e dhënies së 45% të sipërfaqes për publikun dhe avantazh do të ketë ai investitor që ofron përqindjen më të lartë.

Deri më sot KISH ka hapur disa gara për zhvillimin e pronave publike. Gara më e fundit ishte ajo për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, thirrja për të cilën u zgjat deri në fund të muajit korrik.

Më herët janë shpallur fituesit për “VOID Tower”, stadiumin “Selman Stërmasi” dhe vilat qeveritare në Velipojë dhe Vlorë.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

One Response

  1. Te gjithe e dinin kete, por askush nuk ka pipetire per kete fakt, qe ata qe ishin juri te njera, fituan te gara tjeter. Problemi eshte se kjo diktature ka nisur te instalohet pikerisht permes kapjes se formes, arkitektures dhe intelektualeve qe jane ne kete sektor. E te mendosh qe Zoteria nisi nga pikturimi i fasadave me asistentin e tij Sala… sot 25 vite me pas shiko ku ka arritur, aq sa manovra te tilla te te duken normale ngaqe perdor arkistarat e botes per faturat e tij te korrupsionit dhe privilegjeve ne hyrje-daljet ne kancelarite e artit boteror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW